Te rrënjët e së keqes
Reagimi i parë i njeriut ndaj një katastrofe me përmasa të mëdha është që ta kërkojë shkaktarin te një forcë madhore. Kjo forcë madhore, kur nuk është natyra, mund të jetë sot vetëm shteti. Ndaj pothuajse në të gjitha katastrofat që ka kaluar vendi ynë në vitet e fundit - dhe këto nuk kanë qenë pak - gishti i revoltuar i qytetarëve ka treguar një drejtim: nga shteti. Në dhimbjen e tyre, që është e paanë dhe e paqetësueshme, njerëzit dëftejnë ashtu vetvetiu drejt një fajtori që është gjithashtu i paanshëm në të keqen që mund të shkaktojë dhe në errësirat e tij të panjohura: drejt shtetit. Këtë e bëjnë nganjëherë edhe gazetarët, opinionistët, politikanët e opozitës. Kështu p.sh., pas katastrofës së parafundit, asaj të liqenit të Farkës, nuk ishin të paktë gazetarët, letërshkruesit nga populli, politikanët e majtë ata që treguan si fajtor kryesor për mbytjen e 16 vetëve qeverinë.
Në të vërtetë gisht i ngritur në drejtim të gabuar. Tragjedia e Farkës u shkaktua prej individit, nga mosrespektimi i rregullave të sigurisë, nga ajo mendjelehtësia e frikshme që tregojnë shpesh shqiptarët ndaj standardeve teknike: Kjo varkë lejohet të mbajë deri në 10 persona, mos përdor alkool kur je në timon, ndalohet djegia e mbeturinave të rrezikshme, kujdes merr flakë lehtë etj., etj. Të gjitha kërkesa sigurie që i gjen në çdo manual ose rregullore. Dhe që përgjithësisht te ne shkelen, nga persona që luajnë përditë me zjarrin dhe që, kur u kujton rrezikun, të përgjigjen me shprehjet me të papërgjegjshme të gjuhës sonë: "s'ka problem" dhe "mos kij merak". Të jeni të sigurt që aksidentet, të cilat i takojmë përditë në faqet e gazetave, kanë ndodhur pasi personi përgjegjës, e zëmë shoferi i pirë në timon ose roja i digës së liqenit, u ka thënë njerëzve pranë "s'ka problem" dhe "mos kij merak".
Pasi kemi kujtuar këtë prirje të shumë shqiptarëve për të mos respektuar standardet e sigurisë, mund të themi pa ngurrim se të gjitha katastrofat te ne, përjashtuar ato natyrore, kanë si përgjegjës ose personat privatë ose strukturat shtetërore, ose janë një përzierje e këtyre të dyjave. Është e kotë të bësh përgjegjës shtetin për një tragjedi që shkaktohet nga marrëzia ose mendjelehtësia kriminale e një individi. Kjo bën që të mos shkunden gjithë ata individë të papërgjegjshëm që enden lart e poshtë në Shqipëri, e që fajtori të ngelet përsëri jetim. Dhe anasjelltas, është e pafalshme për një gazetar ose opinionist të mos dëftejë strukturat përkatëse qeveritare ose bashkiake që mbajnë përgjegjësinë për një tragjedi. Dhe të jetë mundësisht sa më konkret.
Tragjedia e Gërdecit ka një fajtor të sigurt dhe të madh: qeverinë shqiptare. Ajo mund të ketë edhe fajtorë më të vegjël, e zëmë një punëtor që ka pirë cigare pranë barutit, por ky bëhet krejt i parëndësishëm përballë pyetjes kryesore: Cilët ishin njerëzit që vendosën për ngritjen e një fabrike kaq të rrezikshme çmontimi në mes të një qendre aq të populluar sa Vora? Përse u ngrit pikërisht në Vorë, kishte të bënte ajo me afërsinë e aeroportit të Rinasit? E dimë të gjithë sa fitimprurëse është tregtia me armatime dhe municione; bëhej biznes prej kësaj fabrike, me dijeni ose jo të qeveritarëve, me pjesëmarrje ose jo të tyre? Këto janë sot pyetjet që mund të fillojnë të hedhin dritë në një aferë kaq të përgjakshme, që s'mund të jetë kurrë aq e lehtë sa lidhja e kontratës nga qeveria me një nënkontraktor privat i cili mbaka përgjegjësinë e mëtejshme.
Sepse këtë tha në fillim Berisha: „prej momentit kur Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar kontratën me firmën private, duhet hetuar kjo firmë private". Por më pas me sa duket e kuptoi se ishte një justifikim i trashë dhe i kërkoi dje ministrit Mediu të jepte dorëheqjen. Vetëm se kjo dorëheqje do të jetë pa vlerë, në qoftë se nuk bëhet analiza dhe hetimi i plotë. Në radhë të parë për pyetjen kryesore: Kush lejoi të hapet një fabrikë e tillë vrastare në zemër të Vorës, në një nga zonat më të populluara të Republikës, ishte ky vërtet vetëm ministri i Mbrojtjes Mediu që nënshkruante pa dijeninë e Kryeministrit?
Zoti Berisha duhet të heqë dorë nga "respekti për privatin dhe kontratat", kur në lojë është jeta e qytetarëve, shëndeti i tyre dhe i mjedisit të tyre. Ai nuk mund të shpallë me të madhe fabrika gjigande çimentoje, pa sqaruar në radhë të parë banorët anas se cilat do të jenë ndikimet e tyre mbi mjedis, se si do të jetë cilësia e ajrit, ujit e tokës pas ngritjes së këtyre industrive. Ai nuk mund të lejojë ndërtimin e mëtejshëm të TEC-eve dhe të "Petroliferës" në Vlorë, në portat e qytetit të madh, me një potencial ndotjeje për gjithë Gjirin edhe sikur të ndodhë një katastrofë e vogël, si ajo e Knallës në Shëngjin vitin e shkuar, aq më shumë kur popullata kërkon në mënyrë të përsëritur referendumin për ta zgjidhur këtë çështje. Jo vetëm pse ne si komb e si shtet nuk jemi pjekur ende aq sa të pranojmë industri të rrezikshme në afritë e qendrave të mëdha të banuara - çka është mëse e vërtetë - por për një arsye të thjeshtë morale e ligjore bashkë: nuk mund të ngresh sot industri a biznese të rrezikshme, pa bërë më parë qartësimin e popullatës dhe pa e tërhequr atë në vendimmarrje, siç e kërkon Konventa e Aarhusit që e ka ratifikuar edhe parlamenti ynë. Kjo vlen për Vlorën, vlen për Fushë Krujë-Lezhën, për centrale atomike, e për gjithçka tjetër që Nano-Berisha i kanë nënshkruar me aq dëshirë ndër këto vite, pa informuar ose duke disinformuar opinionin publik.
Një ministër i dorëhequr ndërkohë, Mediu, pardje na tha që është ende herët për të kërkuar fajtorë, në radhë të parë duhet ndihmuar popullata etj. E kuptoi ndërkaq dje se nuk është aspak herët për të gjetur përgjegjësit. Ndihma për fatkeqët është një gjë, ndriçimi i të vërtetave rreth asaj që ndodhi një gjë tjetër. Në të gjithë botën katastrofa të tilla vënë në veprim të dyja këto aksione. I pari është humanitar, i dyti është operacion për të hequr rrënjët e së keqes. Nuk mund t'u lihen më në dorë në të ardhmen vendime kaq të rëndësishme personave të pandjeshëm ose të papërgjegjshëm ndaj jetëve të qytetarëve të tyre, ose ata duhen kontrolluar aq shumë në vendimmarrjet e tyre, sa ta kuptojnë më në fund se janë aty për të shërbyer dhe jo për të sunduar, për të kontrolluar dhe jo për të shitur e për t'u pasuruar, siç kanë kujtuar deri më sot.
