Faqja e Pare | Analiza | Serbia ne prag zgjedhjesh

Serbia ne prag zgjedhjesh

image

Beteja politike në këtë prag zgjedhjesh në Serbi është më agresive se kurrë. Dy janë kampet, po aq janë edhe temat dominante të saj. E para ka të bëjë me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj të ardhmes. Elementët pro-perëndimorë janë vendosur përballë nacionalistëve ekstremë, të ndarë mes tyre nga dëshira dhe vullnetit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe tema e dytë, sigurisht, është "e paevitueshmja", Kosova; tashmë shtet sovran dhe i pavarur.

Palët, çdo minutë të fushatës përpiqen ta kenë iniciativën në anën e tyre pasi realiteti është tejet i mbarsur dhe tërheqja kushton shumë. Më konkretisht, politikanët pro-perëndimorë ditët e fundit dolën me një propozim të ri. Ata i kërkuan zyrtarëve ndërkombëtarë që të nënshkruajnë një marrëveshje më të ngushtë bashkëpunimi mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, pa përfunduar më parë detyrimet që kanë ndaj Tribunalit të Hagës. Qëllimi është lehtësisht i lexueshëm dhe i kuptueshëm. Liderët e Beogradit janë shprehur se nënshkrimi i marrëveshjesh do t'i jepte një shtysë mjaft të rëndësishëm kampit pro-perëndimor, për të siguruar pikë të rëndësishme politike në këtë situatë sa delikate dhe komplekse, po aq dhe përcaktuese.

Votimi i datës 11 Maj do të jetë mjaft përcaktues, duke qenë se e ardhmja e vendit, si ndoshta asnjëherë, mund të rikthejë në pushtet ultra-nacionalistët që kanë qenë në pushtet vetëm në kohën e ish-presidentit Millosheviç. Beogradi nuk e ka nënshkruar ende marrëveshjen para anëtarësimit me BE pasi ajo ende nuk ka përmbushur një kusht mjaft të rëndësishëm; arrestimin dhe dorëzimin në Tribunalin e Hagës të dy drejtuesve të masakrave në Bosnjë: ish-liderin politik, Radovan Karaxhiç, si dhe komandantin ushtarak, Gjeneralin Ratko Mlladiç.

Të dy këta individë të shumëkërkuar e kanë bllokuar mjaft gjatë procesin e përafrimit të Serbisë me BE-në. Kjo mbi të gjitha i detyrohet faktit se mes vendeve anëtare të BE, Holanda dhe Belgjika janë shumë më të prera në qëndrimin e tyre, sipas të cilit, fillimisht, Serbia duhet t'i dorëzojë ata në Hagë përpara se ky vend të kualifikohet për të filluar bashkëpunimin më të ngushtë për t'iu bashkangjitur familjes europiane.

Dhe janë pikërisht këto dy shtete që janë në fokusin e vëmendjes së politikanëve pro-perëndimorë serbë. Për më tepër ata duan që jo vetëm të marrin premtime konkrete, por edhe vendime nga ana e këtyre shteteve. Dhe duket se ky insistim po shpërblehet. Holanda dhe Belgjika po e modifikojnë qëndrimin e tyre.

Situata është realisht mjaft e nderë. Këtë realitet e përkeqësojnë më së shumti edhe të dhënat e sondazhit më të fundit, sipas të cilit, partia ultra nacionaliste është mjaft përpara në preferencën popullore. Sipas saj, Partia Radikale që drejtohet nga Vojisllav Sheshel, që aktualisht ndodhet në Hagë, do të fitojë rreth 1.5 milion vota, afro 100,000 më shumë sesa koalicioni pro-perëndimor i drejtuar nga presidenti Boris Tadiç. E treta në renditje është koalicioni i partive politikë të drejtuara nga kryeministri në detyrë, Vojisllav Koshtunica, që mendohet se numëron rreth 500 mijë votues.

Nuk ka dyshim se çështja që i ka hedhur ndjeshëm benzinë zjarrit dhe ka sjellë në krijimin e këtyre balancave të brendshme mes dy kampeve, është shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ajo e ka rritur në maksimum zemërimin dhe nacionalizmin, i cili gjithsesi ishte mjaft i pranishëm. Organizatorët e sondazhit shprehen se afro 7 milionë votuesit serbë janë tërësisht të polarizuar në qëndrimet e tyre. Ata nënvizojnë faktin se koalicioni i tretë i drejtuar nga Kryeministri aktual, që është në sinkron të plotë me nacionalistët, po e organizon ndryshe jetën politike, duke e anuar ndjeshëm balancën e votave në anën e ekstremistëve radikalë. Shkaku kryesor mbetet, thjesht dhe vetëm mbështetja nga SHBA dhe shumë prej vendeve më të rëndësishme të BE për pavarësinë e Kosovës. Aktualisht, ata shihen si armiqtë më të përbetuar të Serbisë dhe të kombit serb.

Kryeministri përcaktues, Vojisllav Koshtunica, i cili që nga përmbysja e presidentit Sllobodan Millosheviç ka qenë në koalicion me Presidentin reformator, këtë radhë ka vendosur që t'i bashkojë votat me radikalët pas përfundimit të zgjedhjeve, me qëllim që të formojë kabinetin e ri qeveritar.

Nuk ka asnjë dyshim se një skenar i tillë, që sipas të gjitha sondazheve të deritanishme, është efikas, do të shënonte edhe rikthimin e forcave më pro Millosheviçit në pushtet, duke e dëmtuar rëndë jetën e brendshme politike, por edhe duke e shtuar ndjeshëm mungesën e stabilitetit dhe të pasigurisë në të gjithë rajonin e Ballkanit. Një Serbi nacionaliste do ta kompromentonte qetësinë dhe rendin në Kosovë dhe në Bosnjë.

Kjo analizë përbën edhe arsyen se përse, gradualisht, do të shohim rritjen e angazhimit perëndimor në krah të forcave pro-perëndimore. Serbët duhet të shohin rezultate konkrete nga kjo politikë, dhe kjo është ajo që duhet bërë. Hezitimi dhe vonesat do të jenë të kushtueshme.