Faqja e Pare | Analiza | Drejtësia që nuk amniston Berishën

Drejtësia që nuk amniston Berishën

image

Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë vendosi dje të kërkojë nga Kuvendi heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, si përgjegjësi numër një i krimit qeveritar të ndodhur në Gërdec në 15 mars 2008. Zyrtarizimi i kërkesës së akuzës shqiptare ishte përgjigja e vonuar e vendimit plebishitar dhënë këto gjashtë javët e pastragjedisë për mekanizmin shtetëror që çoi në përgatitjen, bërjen e milionave dhe krijimin e kushteve optimale që krimi shtetëror të kryhej në zonën më nevralgjike të qendrës metropolitane Tiranë-Durrës, përgjatë autostradës, në një zonë të mbipopulluar dhe pak milje larg aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit.

Është stërvërtetuar në këto javë të mars-prillit se pas fabrikës së vdekjes, shpërthimi i të cilës la 26 viktima, 11 të sakatuar, qindra të plagosur, mijëra shtëpi dhe biznese të shkatërruara, të gjitha me një kosto mbi 20 miliardë lekë, qëndronte një ekip i gjerë qeverisës, nga Kryeministri te inspektorët e punës, i cili nuk mund të përmblidhet vetëm në postin e ish-ministrit të Mbrojtjes dhe në mundësitë që ia kishte për të krijuar këtë biznes 300 milionë dollarë. Ndaj përgjigja e djeshme e Prokurorisë së Përgjithshme është vetëm një heqje meraku për publikun, i cili priste vënien e drejtësisë në vend. Ndërsa përgjigja e plotë do të ishte çmontimi dhe demontimi i të gjithë atij arsenali vrasës që është grumbulluar në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, e cila ka qenë dhe mbetet tutorja kryesore e Mediut, Delijorgjit, Pinarit e të tjerëve.

Kur zoti Mediu me kostumin e ministrit të Mbrojtjes do të devijonte në vitin 2006 demontimin e municioneve nga uzinat e specializuara në një kapanon në Gërdec, miratimin e kishte dhënë qeveria. Kur në kundërshtim me marrëveshjet e demontimit, të nisura që në 2002 me donatorët e vendeve anëtare të NATO-s, ku ishte vendosur që demontimi të mos ishte biznesi fitimprurës i qeveritarëve, por aksioni për pastrimin e vendit dhe rritjen e sigurisë, ai biznes u konvertua në llogaritje makute e fitimeve nga shitja e skrapit, barutit dhe mashtrimit me municione të skaduara për forcat antiterror në Afganistan apo Irak, kryeministër ishte Sali Berisha. Kur në shkelje flagrante të kushteve të sigurisë dhe parimeve njerëzore për respektin për jetën dhe shtetasit, qeveritarët morën si argatë fëmijë dhe gra për të çmontuar predhat shfarosëse, kryeministri i ministrit Mediu ishte Sali Serisha.

Kur pa pikë hidhërimi dhe ndjese njerëzore për atë çfarë kishin sajuar për shqiptarët në Gërdec, Berish&CO nxitonin ta perifrazonin krimin qeveritar si "aksident teknologjik" (pikë e rrëzuar dje nga Prokuroria), apo të premtonin parajsën në Gërdecin e kthyer në ferr, përgjegjësi kryesor nuk mund të ishte askush tjetër përveç Kryeministrit dhe bashibozukëve që ai ka rekrutuar në kabinet. Kur përgjatë këtyre gjashtë javëve, dhimbja për Gërdecin, megjithëse e groposur nga qeveria, vijon të rënkojë si në mesditën e 15 marsit 2008 dhe nuk mund të shërohet as me lëmosha, konto bankare dhe premtime për rindërtim, publiku i gjerë gishtin vijon ta drejtojë mbi Kryeministrin e vendit.

Këto gjashtë javë kanë qenë një moment i thellë reflektimi për të gjithë shqiptarët që u zgjuan nga gjumi letargjik ku i kishte vënë autori, ish-presidenti i kaosit të 1997-ës dhe thellë në veten e tyre u bindën se nuk ishte kjo që ëndërruar për vitin 2008.

Ka qenë një moment i thellë reflektimi edhe për ndërkombëtarët, të cilët fillimisht u joshën nga devotshmëria anti-krim dhe anti-korrupsion e qeverisë "Berisha" ndërsa sot janë më të bindur se në vitet 1996-1997 ai është strumbullari kryesor i krimit dhe korrupsionit, dhe e ka ngritur atë në sistem.

Prokuroria shqiptare tregoi dje se ishte pjesë e këtij reflektimi. Por ajo, me cilësitë dhe atributet që nuk i kanë as shqiptarët dhe as ndërkombëtarët, duhet të kalojë në etapa të tjera për përmbushjes të drejtësisë. Pak muaj më parë ajo bëri të njëjtën kërkesë për ish-ministrin e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, me dosjen famëkeqe, edhe ajo milionere, për abuzimet me Durrës-Kukës, por zyrtari i lartë vijon i qetë të jetë kryediplomati i Shqipërisë, sepse pas tij është Kryeministri i vendit, pa lejen e të cilit, asnjë ministër nuk mund të marrë as frymë. Ndaj dhe etapa tjetër e Akuzës Shqiptare duhet të shkojë te strumbullari i malinjitetit që ka zaptuar qeverisjen në Shqipëri, përpara se ai t'ia marrë frymën vendit përfundimisht, ku nuk mund të bëjë përjashtim as Prokuroria.