Misioni i mundur i presidentit
Që kur hyri në Pallatin e Brigadave me një ceremonial të denjë zyrtar, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, është munduar të luajë rolin e arbitrit, sipas pozicionit që i jep Kushtetuta, për të qenë mbi palët. Nga ajo mbrëmje e 24 korrikut 2007, kanë kaluar gati nëntë muaj dhe ish-nënkryetari i PD-së, Bamir Topi ka shumë për të thënë rreth detyrës së re, që nuk mund të quhet më një përvojë e re, pavarësisht se ai është kryetari i shtetit me moshën më të re që ka patur Shqipëria prej rrëzimit sistemit njëpartiak (ku presidenti ishte Kukulla e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë).
Kemi patur rastin të ndjekim reagimet dhe ndërhyrjet e Presidentit, nga vizitat në vendin e tragjedive, te apelet për funksionimin e shtetit social, deri te konflikti më i fundit mes MTKRS-së dhe FSHF-së për statutin dhe Auditin e Brendshëm. Dhe në këto ndërhyrje, Presidenti ka qenë mbi palët dhe një arbitër korrekt (gjë që është vlerësuar edhe nga anketimet e publikut).
Ndaj nuk është e papritur që z.Topi është politikani më i vlerësuar në vend, duke lënë shumë prapa figurat e tjera të së djathtës, të cilat krenohen se promovuan hyrjen dhe ngjitjen e tij në hierarkinë e selisë blu. Popullariteti i është shtuar edhe pas dorëzimit të mandatit të nënkryetarit të PD-së dhe marrjes së detyrës së kreut të shtetit, megjithëse opozita shumë herë e ka akuzuar se ai po mban poshtë kostumit të Presidentit të vendit, mishërimin e përfaqësuesit të lidershipit të PD-së.
Por ajo që bie në sy është që sinjalet e qarta për integritet institucional të Presidentit, nuk janë kapërdirë kollaj nga figurat e tjera të shtetit, nga kryeministri Sali Berisha medoemos, i cili në mars 1997, ndërsa vendi digjej, ekzaltohej me mandatin e dytë presidencial, të rrëmbyer në një Kuvend ku nuk kishte opozitë.
Nuk janë kapërdirë as nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila para më shumë se një viti ëndërronte të transferohej pushteti presidencial tek ajo, si numri dy, deri kur të bëheshin zgjedhjet e reja parlamentare.
Nuk është rastësi që këto dy figura kryesore të pushtetit dhe të PD-së, janë promotorët kryesorë të përpjekjes për kthimin e kreut të shtetit nga arbitër, në një ndër mijëra spektatorët e ringut politik. Ndërsa Kryeministri është munduar ta mbajë brenda marazin, Kryetarja e Kuvendit publikisht ka kërkuar që roli i presidentit, të jetë fund e krye ceremonial, duke fuqizuar pushtetin e Shefit të Ekzekutivit.
Devijimi i luftës destruktive të lidershipit të PD-së në kufizimin e kompetencave të Presidentit, nuk ndodhi rastësisht vetëm një muaj nga masakra e përgjakshme qeveritare në fshatin Gërdec. Për kryeministrin e fundosur Berisha, Samiti i NATO-s dhe festimet idiote për marrjen e ftesës në Bukuresht, apo rikthimi i debateve politike për pragun elektoral dhe mirëkuptimin PS-PD për reformën zgjedhore, ishin kamerdare shpëtimi. Dhe ai jo vetëm e quan veten të mbijetuar politikisht, por po kafshon edhe krahët që iu zgjatën për ta nxjerrë në sipërfaqe. Presidenti i Shqipërisë ishte njëri prej tyre, sepse nuk nxitoi të përdorte autoritetin e postit që ka. Nëse ai do të dilte hapur në krah të popullit për të vënë edhe ai gishtin ku e ka vënë mbarë populli shqiptar, mbi Kryeministrin, kryefajtor të tragjedisë së Gërdecit, ai nuk do të kishte asgjë për të humbur. Do të hynte në histori.
Sali Berisha, president në vitet 1992-1997, hyri në histori si kreu i shtetit të rrënuar, që me kallash në dorë qëndroi stoik për të mos e dorëzuar presidencën në mars 1997. Rexhep Meidani, kryetar shteti në vitet 1997-2002, do të mbahet mend si presidenti që më 14 shtator 1998 nuk ua dorëzoi pushtetin kryengritësve zjarrvënës së Berishës dhe kjo lëvizje shpëtoi shtetin dhe institucionet e tij. Alfred Moisiu, president në vitet 2002-2007, pati armë të fortë në duar mos dekretimet që vinin nga qeverisja sharlatane e Nanos dhe më pas qeverisja hakmarrëse e Berishës dhe për këtë ai mbetet gjenerali i Presidencës.
Presidenti aktual pati fatin e keq të jetë kryetar i një shteti të minuar nga qeveria e Gërdecit, por si çdo e keqe, e ka një të mirë pas. Z.Topi pati shansin të ishte Presidenti që duhej të rivendoste autoritetin e shtetit të rrëzuar nga mafia qeveritare e trafikut të armëve. Kryerja e misionit të tij do ishte edhe një shpagim institucional për Presidencën, sepse autorët dhe përfituesit e Gërdecit me qëllim kishin rrethuar, injoruar dhe shmangur autoritetin e paraardhësit Moisiu, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Dhe, ndërkohë, para presidentit Topi po shfaqen Gërdecët e tjerë të sajuar nga PD-ja. Ata që nuk duan një kryetar shteti mbi palët, por një spektator që vetëm duartroket pokerin e kryeministrit autoritar, apo që ngutet të firmosë mashtrimin elektoral me legalizimet, i cili e kthen formalizimin e banesave dhe të bizneseve, një karrem elektoral, duke e bërë pjesën më vitale të vendit një Gërdec, gjithmonë në rrezik shpërthimi.
Është një mision që vetëm duhet kryer dhe është shumë i mundshëm.
