Shqipëria, Europa dhe Aleanca Atlantike
Sonte si një bashkëkombas në Diasporë, bashkë me shumë miq zviceranë, të kombeve të tjerë dhe shqiptarë, morrëm tek „Cajupi“ i Universitetit Popullor Shqiptar, nga media elektronike, një lajm që na ngrohu zemrën e bashkëkombasve të thjeshtë të çdo kraku politik, feje apo krahine. Shqipëria nënshkroi aktin më të rëndësishëm në historinë e tij. Aleanca e vendeve të Atlantikut të Veriut, siç u shpreh sot Presidenti i nderuar shqiptar, Bamir Topi bëri që „populli shqiptar të shkëputet nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha theksoi se „vendimi i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, për të ftuar Shqipërinë, është vlerësim dhe afirmim i përpjekjeve dhe arritjeve të shqiptarëve në shndërrimin e Shqipërisë nga vendi i monizmit total, izolimit më të thellë, hiperkolektivizmit të plotë, lirive dhe të drejtave të ndaluara, në vendin e pluralizmit politik dhe demokracisë funksionuese, shtetit ligjor, ekonomisë së lirë të tregut, një vend që këto 15 vite ka vendosur një bashkëpunim luajal të gjithanshëm me Aleancën e Atlantikut të veriut ».
Këto fjalë të dy burrave të shtetit shqiptar që i ka zgjedhur populli i qytetëruar i Shqipërise, më çojnë në kujtime të largëta. Në ato vite kur ishim të detyruar të dëgjonim „anatema“ të kobshme për NATO-n dhe SHBA, për „Koka Kolën“ që te dehte; për Parkun madhështor të Nju Jorkut, frymëmarrjen e tij ku gjoja nuk kaloje dot (?!); për Amerikën e „mungesës së lirise“; kur edhe pse vëllezër tanë, në Diasporën e largët, në SHBA, kishin zënë vende të nderuara në administratën amerikane, ne e kishim të ndaluar të bisedonim me „imperialistët“ amerikanë, qofshin këta dhe punonjës të Kombeve të Bashkuara.
Natyrisht kultura politike e një pjese të përfaqësuesve realistë të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si dhe lidhjet që ata mbanin me përfaqësues të vendeve mike të Bashkimit Europian apo të NATO-s, sillnin si rezultat që disa prej tyre, shpesh e kapërcenin rrezen e ngushtë të politikës së atëhershme , megjithëse ndeshnin shpesh me „rodhen“ e nomenklaturës që nxihej e skuqej në fytyrë. Ata diplomatë, si Shaban Murati me shokë sot, përçonin ndjenjat e popullit shqiptar për një jetë më të mirë, krahas NATO-s, Amerikës, Europës, lirisë, të drejtës, apo parimeve të Kombeve të Bashkuara.
Nuk i perkas asnje partie politike, por si shqiptar i thjeshte, si ish diplomat, dhe funksionar i pavarur ne disa organizma nderkombetare per rreth 25 vjet, dhe me pjesemarrjen time ne shume konferenca nderkombetare, kam dashur dhe dua të jap një mesazh modest për lexuesin shqiptar dhe miqtë tanë zviceranë apo evropianë, të Evropës që përfaqësohet në Bruksel. Gjithcka qe shpreh eshte personale dhe nuk perben ndonje qendrim te ndonje grupimi politik, apo të një krahine të Shqipërisë apo Kosovës
Kam ngritur, jo pa qëllim në librin tim: „Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara“ (Toena), problemin e përkatësisë evropiane apo në Aleancën Atlantike, të kombit shqiptar. Argumentat kanë qënë dhe janë të shumta për të bindur bashkëbiseduesit e shumtë për praninë e Shqipërisë „de jure“ dhe „de facto“në Evropë dhe në NATO prej kohësh: qysh në fillimet e demokracisë së brishtë. Nuk ka nevojë të bëhet shumë filozofi lidhur me këtë problem. Nuk kanë qënë shqiptarët më pak se qytetarë të kombeve të tjerë paqedashës, liridashës, mikpritës, bujarë, punëtorë, vendet e të cilëve janë pranuar shumë më parë në NATO, pas rrëzimit të diktaturave të tyre. Po nuk i dhe dorë një vendi të ri, s’ka si ai të avancojë. Kështu është vepruar me Greqinë, Spanjën, Portugalinë apo edhe me vende të Europës Lindore. Diznivelet do egzistojnë, por nuk mund të vazhdohet përjetësisht të pengohen vende që i përkasin Europës apo NATO-s dhe të mbahen jashtë tyre. Por fatmirësisht sot ato pranohen në familjen e madhe paqëdashëse të Aleancës Atlantike. Shqipëria e meriton një çmim të tillë, pasi ajo është një partnere shumë e rëndësishme e paqes në Europë, e zhdukjes njëherë e përgjithmonë të nofkës famëkeqe të „ballkanizimit“, e vëllazërisë midis popujve. Ajo është një faktor i rëndësishëm i lirisë së ëndërruar edhe nga paraardhësit tanë që e mbrojtën me gjak tokën e tyre amtare, që e ruajtën të pastër gjuhën shqipe.
Eshtë kënaqësi e veçantë kur dal për shëtitje me familjen, pas punës së lodhshme të ditës. Buzë liqenit Leman, ajri ështe tepër i pastër dhe në fytyrë vjen flladi i freskët dhe çlodhës. Pranë hotel "Presidentit", ndodhet dhe ndërtesa e madhe e te Drejtave të Njeriut, ose siç quhet ndryshe Pallati Uillson. Thomas Uillson ka qënë presidenti i SHBA- së për dhjetë vite rresht, rektor i Universitetit të Princëtounit dhe guvernator i Nju Xhersit, strehë prej dekadash e shumë shqiptarëve të ndershem. Mendimi për krijimin e Lidhjes së Kombeve është meritë e këtij burri të madh shteti, amerikan. Uillson, mëse njëherë ka mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.
Prandaj fjalët e mira të përfaqësuesit më të lartë të SHBA, presidentit Xhorxh Bush, edhe në drejtim të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Atlantike tani, më gëzuan pa masë. Siç më kanë gëzuar edhe vlerësimet e amerikanëve të tjerë më parë.
Pra edhe « Europa tjeter », ku bën pjesë Shqipëria, edhe për pak kohë jashtë « Bashkimit Europian », si rezultat i presioneve dhe bëmave të disa antieuropianëve pa cipë, po luan edhe ajo rolin e saj si ndërmjetësues dhe shtet me të drejta të barabarta, si vendet e tjera Anëtare të NATO-s, për të ardhmen e Kosovës, të Ballkanit apo edhe më tej, të Europës.
Kush është Europa ? Në Universitetin Europian të Gjenevës, profesori zviceran Braillard na përmendte shpesh Shumanin, Denis de Rougemont, baballarët e Europës dhe dëshirën e tyre qysh në fillimet e saj për një Europë pa kufi. Përkufizimet janë nga më të ndryshmet, nga ata që e njohin mirë Europën dhe vendet që e përbëjnë, por edhe nga ata që shkruajnë për vende europiane, si Shqipëria, por që kurrë nuk kanë shkelur në të. Nuk dua t’i bëj një analizë të veçantë kësaj radhe librit në frëngjisht, viti 2004, « Ligjërata ballkanike : fjalë dhe njerëz ». Pasi përmend memorandumin famëkeq të 1937 të akademikut serbomadh Vasa Cubriloviç të titulluar « Iseljavanje Arnauta », ose në frëngjisht « L’expulsion des Arnaoutes » (Dëbimi i arnautëve), ai thotë : « Fjala « Shqiptar » (Albanac, në shumës Albanci) e huazuar nga gjuhët perendimore, del vetëm me pavarësinë e Shqipërisë në 1913 » ( ?!!). Nuk e di në është një lapsus i autorit, apo i botuesit të librit, por m’a merr mendja se kushdo që shkruan për Shqipërinë apo shqiptarët, për përkatësinë e saj në Europë, apo jo, sipas orekseve dhe fjalëve të marra nga historianë serbë apo të tjerë, duhet më parë të konsultohet edhe me vetë historianët shqiptarë, apo edhe vetë shqiptarët që ndodhen tanimë kudo, pas kthimit në skenën europiane edhe të « Europës tjetër », pas ngjarjeve të vitit 1989, pas rënies së Murit famëkeq të Berlinit. Gjeografia, kultura dhe politika kanë bërë që edhe kombe që më parë kanë qënë vetëm objekt i historisë, tani janë bërë subjekt i saj dhe nuk janë më jashtë ndërgjegjes europiane. Albert Kamy jo më kot ka theksuar : « Mal nommer les choses ajoute aux malheurs du monde » ( Po të emërtosh gjërat keq ato ja u shton mjerimeve të botës)…Prandaj edhe kur të shkruaj përsëri, lidhur me librin e atij profesori të gjuhëve dhe letërsisë slave në Universitetin e Provansës, do të mundohem të marr mendimin edhe të miqve të mij historianë, diplomatë, gazetarë nga Shqipëria, si dhe profesoreshes nga Franca Solange d’Angely, mikut tim dhe te saj, Saimir Lolja ne Kanada, Besnik Mustafaj, diplomatit Shaban Murati, Aleksandër Sallabanda, Mehmet Elezi, Sejdi Qerimaj, Qazim Tepshi, Ylljet Aliçka, Llesh Kola, profesorëve të nderuar Koli Xoxi dhe Hamit Boriçi, Dritëro Agolli, Alfred Uçi, Xhevat Beqaraj, Agim Faja, shkrimtarit dhe analistit Thani Naqo , historianit Gjergj Biba në Tiranë e të tjerë që të më falin që nuk po i përmend këtu për mungesë vendi. Edhe atij « qoftëlargut », ish diplomat me një dhëmb floriri, apo edhe pa dh¨mb të tillë, që është strukur sonte diku atje në apartamentin e tij në Gjenevë, pas pranimit të Shqipërisë në NATO do gjej kohë t’i them dy fjalë…Ashtu, si edhe funksionarë ndërkombëtarë, qofshin këta të nivelit të lartë apo edhe në drejtoritë përkatëse që merren me « Europën tjetër », apo NATO-n, konsultohen me funksionarët shqiptarë, sado të paktë që të jenë ata. Kam pasur dhe kam respekt të veçantë për gjithë ata kolegë të kombeve të ndryshme që në një çast apo një tjetër merrnin edhe mendimin tim për çështje që kishin të bënin me Shqipërinë, por edhe rajonin rreth saj, Kosovën dhe viset, Maqedoninë, e cila më 8 prill 1993 u pranua si anëtare e Kombeve të Bashkuara me unanimitet nga 181 vende që e përbëjnë këtë organizatë me prestigj…Kam në dorë një libër rreth 500 faqesh, si dhe të tjera, me dedikim nga zvicerani Basil Shader (Schader), shembull tepër domethënës, larg lavdeve të dikurshme të m-l për E.H. , apo edhe nxirrjes së realitetit për shqiptarët nga shtypi dhe botimet e « bulevardit » dhe « kronikat e zeza ». Ai është profesor i Universiteteve të Zyrihut dhe Tiranës. Kur më dërgoi letrën e parë, me një kërkesë për t’i çuar librin tim « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë », me një shqipe të pastër, mendova se ishte ndonjë bashkëkombas ynë nga Kosova. Por kur më dërgoi librat e tij dhe sidomos atë prej 500 faqesh, botuar nën kujdesin e prof. Gjovalin Shkurtaj, u befasova dhe me të vërtetë u emocionova, se kisha të bëja me një zviceran që e di më mirë shqipen letrare dhe të folur, se një pjesë e bashkëatdhetarëve tanë. Prof.Dr. Basil Schader ja u kushton librin e tij të fundit « Shqiptarëve kudo në botë, me shpresën dhe dëshirën që të ruajnë gjuhën e tyre të bukur, kulturën e tyre të lashtë dhe identitetin e tyre si shqiptarë ». Ai në të nuk flet vetëm për gjuhësinë, por edhe për bashkëjetesën 30-të vjeçare midis zviceranëve dhe shqiptarëve ; për Zvicrën në perceptimin e mërgimtarëve shqiptarë ; për shqipen që i përket familjes së gjuhëve indo-europiane, për faktin se atë e flasin rreth 6,5 milionë shqiptarë ; për shqipen që është një prej gjuhëve më të lashta të Ballkanit dhe preardhjen e saj nga gjuha e ilirëve, të cilët kanë ardhur në Ballkan që në fillim të mijëvjeçarit të dytë para e.s. Gjithçka ky zviceran, mik i vërtetë i shqiptarëve e ka të bazuar në fakte historike, jashtë çdo lustre apo nxirrje të realitetit. Siç shprehet në parathënien e librit prof.dr. Gjovalin Shkurtaj : « Prof. Dr Basil Shader është një personalitet i dalluar dhe dashamirës i Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili përveç ndihmesave që jep për shqiptarët në Zvicër, së bashku me gruan e tij, zonjën Erika, ka kontribuar shumë edhe për rindërtimin dhe pajisjen e shkollave të komunës së Balldrenit (Lezhë). Prej disa vjetësh ai është lidhur me mësues dhe drejtues të arsimit të asaj komune dhe ka sjellë ndihma të konsiderueshme financiare për ndërtimin e pajisjen e shkollës fillore të Torovicës dhe asaj tetëvjeçare të Kolajakut, si dhe për pajisjen me mjete mësimore të shkollës së mesme të Balldrenit. Për meritat e ndihmesat e tij të vyera, Këshilli Bashkiak i Balldrenit i ka akorduar prof. Dr. Basil Shaderit dhe bashkëshortes së tij, titullin « Qytetar nderi » në shtator 2002 ». Një shembull i një njeriu fisnik që i respekton shqiptarët, kombin shqiptar, por që edhe ata e respektojnë dhe e pranojnë në gjirin e tyre. Të tillë duhet të ishin dhe ata që shkruajnë « Ligjërata… » apo për « Bulevardin Zogu i Parë », në Tiranë, ku pasi kanë qeshur, por edhe nënqeshur, kanë pirë e ngrënë nga shqiptarët, vjellin vrer dhe përçmojnë bashkëbiseduesin e sinqertë që flet edhe për historinë e kombit të tij, me të vërteta historike, për dëshirën e tij për të qënë në familjen e madhe europiane, si tanin ë Aleancën Atlantike. A është e udhës që ndonjë autore shqiptare, bashkëkombas në Zvicër (sado që përbën minoritetin) apo ndonjë parlamentar « qoftëlarg » me humor therës negativ, të thotë për bashkëkombasit e vet « Jemi në Shqipëri. Këtu nuk bëhet shaka... » Dhe kritikja letrare frankofone, pa e parë Shqipërinë, por duke u nisur nga stili narrativ i tregimtares thotë se një fjalë e urtë shpreh për mrekulli Shqipërinë : « Vis que je te haisse, et meurs, que je te pleure ! » (Jeto që të të urrej, dhe vdis që të të qaj). O Zot deri ku arrin mendja e njeriut për kombin e vet që e ka nxjerrë në dritë, për ata fqinjë të pastër, punëtorë, gazmorë, paçka se ajo dhe ai historiani duan të vënë shenjen e barazimit, me atë diktaturë dhe me « rodhet » e nomenklaturës që shijnë dhe përfitojnë akoma nga demokracia e brishtë.
Shkrimtarja shqiptare bën mirë të marrë shembull nga e paharruara shkrimtare zvicerane Liliane Perrin për « Një bashkëshort pa rëndësi » që do shohë shpejt dritën e botimit në shqip. Apo librin e romancieres tjetër zvicerane Anne-Lise Thurler me romanin « Agimi i errët tek fusha e mëllenjave ». Ky roman është shkruar me vërtetësi dhe humanizëm, është si një biografi përfaqësuese e mijra e mijra shqiptarëve nga Kosova, të cilët si rezultat i dhunës dhe torturave të pësuara nga pushtuesit serbë, u detyruan të shkojnë në mërgim për të pasur një jetë më të mirë për familjet e tyre. Selajdin Doli që është edhe bashkëautor i librit, i torturuar dhe i burgosur për vite të tëra më kot, është mirënjohës ndaj shkrimtares zvicerane, pasi ëndra e tij u bë realitet me këtë libër ku shfaqen me realizëm karakteri dhe vuajtjet e një populli martir. Pas leximit të këtij libri, më vijnë ndërnend fjalët e Ismail Kadaresë, në tetor 1992, i cili në parathënien e romanit të Liliane Perrin, ka shkruar ndër të tjera : « Realiteti kafkajan dhe i përditshëm i këtyre të rinjve shqiptarë të Kosovës që përpiqen t’i shpëtojnë me ikje dhe migrim fatit të keq të një populli që nuk duket se mund të imponojë vendin e tij të ligjshëm në hartën e Ballkanit dhe të Europës. I vetmi komb i kontinentit të vjetër i ndarë në dy, që është akoma përballë Golgotës së tij…Nëse këto faqe të shquara janë larg çdo ambicjeje apo zhargoni politik, shprehet Kadaré, ato shkojnë më larg se sa një trillim i thjeshtë, më larg se sa një takim pat ë ardhme ».
Le t’i kthehemi përsëri Europës : me mbi 10 million km2, ose 6.5 për qind të tokave që e përbëjnë rruzullin tokësor, ajo përfaqëson vetëm një të pestën e Amerikës apo të Azisë, një të tretën e Afrikës…Emri Europë kur u shfaq për herë të parë në Antikitet, tregonte, në mitologjinë greke, një Feniciane të re dhe të bukur që e rrëmbeu Zeusi…Në shënimet e mija për « Europën tjetër », atë jashtë 25-shes kam shënuar ndër të tjera :
Po të shfletosh volumet e « Historisë së përgjithshme të civilizimeve » nuk gjen ndonjë referencë për Shqipërinë. Nuk është vendi këtu për të dhënë argumenta të tjerë, jo vetëm si ato të profesor Basilit, gjuhëtarëve, historianëve në botë, lidhur me historinë e civilizimit shqiptar, por kjo harresë të bën të mendosh : historianët që kanë shkruar historinë e Europës, edhe të « Europës tjetër » a mos i ka dhënë vetë shans E.H. të « sundojë » në Shqipëri nga 1944 deri në 1985, derisa vdiq ? E vërtetë është se në atë periudhë, veprat e tij kishin përparësi dhe përktheheshin edhe në gjuhë të huaj, ato përmbanin edhe fakte historike, por ata historianë që formulonin edhe historinë e Shqipërisë, krahas asaj të « Europës tjetër », diku atje në një vend të Europës, nuk mund të merrnin si bazë referenca të diktatorit. Por nga ana tjetër, në mos gabohem, janë botuar në gjuhë të huaj edhe në atë kohë libra si « Historia e Shqipërisë », në gjuhën frënge, nën kujdesin e profesorëve shqiptarë, mbi 25 vite më parë, që përmban edhe fakte historike të pakontestueshme për historinë e civilizimit shqiptar jo vetëm gjatë kohës së Skënderbeut, por edhe më parë. Për çudi, botimi i 2004 « Ligjërata ballkanike : fjalë dhe njerëz », i të njëjtës shtëpi botuese në Francë, nuk i referohet shumë veprës së francezit Zhorzh Kastelan (Georges Castellan) « Histori e Ballkanit » (shekulli XIV-XX), 1991, e cila përmban fakte historike bindëse dhe për civilizimin e « Europës tjetër », duke përfshirë edhe Shqipërinë, edhe për autoktoninë e shqiptarëve e shumë dëshmi të tjera, por autori i « Ligjëratës… » gjen me vend të përmendë nga libri i profesor Kastelanit vetëm faktin se « populli » i Shqipërisë « del shumë jashtë cakut të shtetit të tij eponim dhe duke bërë këtë ai kënaq dëshirat kontradiktore të lexuesve francezë dhe ballkanikë ». Autori nuk mungon t’i japë vend edhe Mira Millosheviçit, gruas së diktatorit të vetëvrarë, në një kohë që mund të merrte, ndër të tjera, të dhëna historike nga botimi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti Historisë të vitit 1993 (mbi 11 vjet para botimit të « Ligjëratës… » , me titull : « The truth on Kosova » (E vërteta mbi Kosovën ). Ky botim voluminoz prej 350 faqesh ka dokumenta mbi ilirët dhe autoktoninë e shqiptarëve. Që populli shqiptar s’ka dalë jashtë « cakut » të shtetit të tij eponim, mjafton të përmendim vetëm shkrimin e studjuesit Aleksandar Stipeviç, me titull « Every story about the Balkans begins with the Illyrians » (Cdo histori mbi Ballkanin fillon me Ilirët »), apo të studjuesit tjetër Radoslav Katiçiç « Mbi antroponiminë dhe etnogjenezën e Shqiptarëve » ; të prof. Henrik Baric « Disa të vërteta mbi banimin e hershëm të shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit » ; apo prof. francez Alain Ducellier « A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën » ; ai libër përmban burime të shumta studimore , jo vetëm nga arshivat qëndrore shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe të Turqisë, të Austrisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, të Gjermanisë, të arshivave të Foreigh Office të Britanisë së Madhe dhe të vetë ish-Jugosllavisë.
Këto ditë mora librin « Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës » (fletë nga ditari i një ambasadori) e një diplomati dhe gazetari penëartë, me një përvojë 40 vjeçare edhe në fushën e gazetarisë, apo prej mbi një dekade, në atë të diplomacisë. E kam fjalën për Shaban Muratin, me të cilin vite më parë ishim kolegë. Atij ndoshta nuk do t’i vijë mirë që unë shkruaj për të, pasi ai është tepër modest, por leximi i librit, si dhe dedikimi që më ka dërguar, nuk mund të më lënë pa e përmendur. « Fredit, mikut tim të vjetër, miqësia me të cilin ka kaluar dekada, duke zbuluar vlerat e miqësisë së vërtetë ».
Më gëzoi ky libër, mbit ë gjitha pasi shpreh realitetin shqiptar dhe vjen pas deklaratës së tij tepër domethënëse, si një prej njohësve më të mirë të Ballkanit, kur u shpreh para disa ditësh tek « Zëri i Amerikës » se vendimi i pritshëm për ftesën për anëtarësim në Nato të Shqipërisë, … është një vendim strategjik i Aleancës për të shtrirë zonën e sigurisë edhe në një rajon problematik si ai i Ballkanit ». Ai theksoi se ky akt do të jetë me ndikime edhe për Kosovën dhe Serbinë, ndërsa është i mendimit se do të influencojë në thellimin e reformave edhe në Shqipëri.
Shaban Murati me kurajo qytetare në librin e tij të ri « Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës përkrah ndër të tjera dhe ndërhyrjen tepër domethënëse të NATO-s në vitin 1999, ku procesi politiko-diplomatik i rregullimit të statusit final të Kosovës u karakterizua nga lëshime dhe nga llogari, nga ndërhyrje të llobeve tona armike, ku Kosova dhe kosovarët pak ose aspak merreshin në konsideratë. Ashtu siç sot, ata që deri dje fërkonin duart dhe përgatiteshin për manifestime « të fuqishme » besoj se janë strukur diku. Ata mendojnë akoma se me për shqiptarët, dhe me shqiptarët mund të bëhet çfarëdolloj pazari, apo që ta shtynin deri në « kalendrat greke » pranimin e Shqipërisë në NATO. Si për të provuar humoret e sotme ballkanike ndaj shqiptarëve, Shaban Murati na kujton një fakt të freskët, atë të samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) të mbajtur në Zagreb vitin e shkuar, ku të gjitha vendet pjesmarrëse, veç Shqipërisë, ranë dakort që të hiqej nga deklarata finale paragrafi mbi zbatimin e planit Ahtisari për Kosovën. Murati, që njihet si një europeist e euroatlantist i vendosur, megjithatë nuk kursen askënd kur bëhet fjalë për lëshime të paprincipta ndaj çështjes së Kosovës, apo në përgjithësi të kombit shqiptar.
Diplomati dhe analisti ynë me penë të mprehtë, nuk e injoron edhe faktin Serbi në librin e tij. Jo më kot, por me argumenta bindëse, Shaban Murati ka paralajmëruar rikthimin e Serbisë në diplomacinë për Kosovën, që kurse u panë shënjat e para të një tërheqje ndaj saj. Që kurse, ende pa përmbushur detyrimin moral e ligjor të bashkëpunimit me gjykatën e Hagës, Serbia u ftua të nënshkruajë marrëveshje të veçantë ushtarake me SHBA, u pranua deri në programin e NATO-s “Partneritet për Paqë” dhe… u ftua të rifillojë negociatat për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE. Dhe të gjitha këto “dhurata” iu dhanë Serbisë, në një kohë kur Koshtunica e kompani nuk linin rast pa ndërmarrë anatema në unison kundër SHBA, Europës e NATO-n për “agresionin” e tyre kundër Serbisë.
Pa hyrë në brëndësi të argumentave të tjera të afishuara nga Shaban Murati, në librin e tij, do të uroja që « Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës » të ishte në tavolinën e çdo diplomati shqiptar, kudo në vendet e Aleancës Atlantike, në « Europën tjetër » apo në vendet e Bashkimit Europian, dhe gjetiu, pasi është një analizë e thellë e procesit të « ndërrimit demokratik » në Serbi, pas rënies së regjimit famëkeq të Millosheviçit. Libri të bën të nxjerrësh disa deduksine. Ai të bën të mendohesh dhe niset. siç shprehet edhe në librin e tij të parë « Serbia kundër Serbisë. Analizë e një gjysëm revolucioni të lënë përgjysëm « « U konstatua një avancim i pozitave serbe në rajon dhe kjo nga disa faktorë :
Nga dëshira e mirë e disa shteteve europiane për të parë Serbinë të inkuadruar në proceset e reformave demokratike bashkë me shtetet e tjera të rajonit.
Nga dëshira jo e qartë e disa shteteve të Bashkimit Europian dhe e Rusisë për të kundërshtuar praninë dhe rolin e NATO-s në rajonin e Ballkanit.
Nga dëshira e vjetër e disa shteteve të rajonit për të bërë një rikompozim të aleancave të vjetra në terrenin ballkanik me të njëjtën bazë antishqiptare. Ekspertë të ndryshëm vlerësojnë »se Serbia ia arriti këtij avancimi nëpërmjet nxitjes, pjesëmarrjes dhe fryrjes së vatrave të tensionit në rajonin tonë. Nuk ishte rastësi që ajo i lidhte vatrat e ndryshme të tensionit në Ballkan vetëm me emërtim shqiptar dhe me përrallën e vjetër të përpjekjeve për « Shqipëri të Madhe ». Fushata intensive e diplomacisë serbe për satanizimin e faktorit shqiptar në Ballkan, e kombinuar me veprimtaritë e lidhjeve të vjetra të shërbimeve sekrete dhe me idiotizmin apo mercenarizmin e disa grupeve revolucionare ose kriminale shqiptare, arriti të lëvizë për të keq në disa kancelari opinione dhe qëndrime kundrejt kombit shqiptar » :
Uroj që i përkushtuari i panairit ndërkombëtar të librit dhe të shtypit në Palekspo të Gjenevës « Albimpex », « Toena » e të tjerë, që hapet në fund të prillit të 2008, të na sjellë të paktën një numër ekzemplarësh të librit.
Do të dëshiroja që libri i tij të përkthehej edhe në gjuhë të huaj që të ndodhet edhe mbi tavolinën e analistëve të NATO-s, Ballkanit, Serbisë, Shqipërisë, « Europës tjetër », apo edhe tek përfaqësues të llobit serb apo ndonjë tjetri kudo që janë vendosur. Ky do të ishte një shërbim i madh që do t’i bëhej edhe kombit tonë dhe vënies në vend të të vërtetave historike që të mos shtrëmbëroheshin enkas, apo edhe të prirur për t’i servirur opinionit publik dhe lexuesit « fjalë dhe njerëz » që mund të shkaktojnë keqkuptime apo fatkeqësi popujve dhe vendeve të « Europës tjetër ». Mjafton që këta autorë të shohin edhe « jetët e dymbëdhjetë Qezarëve », 12 biografi të ndara në 8 libra për Qezarin, Augustin dhe trashëgimtarët e tyre julio-klaudienë (Tiberin, Kaligulën, Klaudin, Neronin) ; apo për tre perandorët e vitit 69 (Galba, Othoni, Vitelliusi), ato të tre perandorëve të dinastisë flaviane (Vespasienin, Titysin, Domilienin). Në to mëse njëherë përmenden me respekt Ilirët, paraardhësit autoktonë të « shqipëtarëve », « arbanasve », « arbëreshëve », « arvanitasve ». Çfletoj herë pas here, ndër të tjera nga biblioteka ime, edhe librin e Gaston Boissier i Akademisë Franceze « Ciceroni dhe miqtë e tij », studim mbi shoqërinë romake të kohës së Qezarit, botuar nga libraria « Hachette » në 1923. Në të përmenden me simpati dhe shqiptarët. Po t’i kthehem qoftë edhe me dy rreshta librit të profesorit francez Zhorzh Kastelan « Historia e Ballkanit » ke respekt për këtë studjues që i jep vendin që meriton edhe « Europës tjetër », pra ndër ta dhe Shqipërisë dhe librin ja dedikon : « Kolegëve dhe miqve të mi në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani, Turqi e ish-Jugosllavi, të cilët gjatë një çerek shekulli më bënë ta kuptoj e ta dua Ballkanin ». Këtyre historianëve duhet t’u jepen në dorë dhe t’u besohen arkivat e shteteve europiane, në mënyrë që e vërteta historike të mos shtrëmbërohet dhe t’i shkojë për hosh keqdashësve të « Europës tjetër » për ta përçarë atë, për të futur pyka midis tyre. Zvicerani Urs Altermatt, profesor i historisë së sotme në Universitetin e Friburgut, dhe Bernës, Zvicër, në prologun e librit të tij « Etnonacionalizmi në Europë », botuar nën kujdesin e Fondacionit PRO HELVETIA në shqip nga « Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit », thekson : « Sarajeva nuk është aksident. Kryeqyteti boshnjak qëndron në një radhë të gjatë vendesh që ngrihen në murin e historisë se re europiane si përmendore ndarjesh etnike dhe dëbimesh me motive raciste, kampesh përqëndrimi, luftërash civile dhe genocidesh :Konstandinopoja, Auschwitzi, Katini, Belfasti, Nikozia, Hoyerswerda… »
Do të dëshiroja që hapi i parë që u bë ndaj Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit, të zgjerohej edhe në Europën e 25 vendeve, edhe për vendin tim dhe të bashkëbiseduesve të mij. Ajo i ka dhënë Europës figura të shquara dhe ku sot e kësaj dite me mijra e mijra shqiptarë japin ndihmesën e tyre në fushën e ekonomisë, të shkencës, të ndërtimit, arsimit, të artit që ato të ecin më përpara. Hendeku midis « Europës tjetër » dhe Europës së 25-tëve nuk duhet të thellohet më. E vërtetë se epoka e E.H. e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një « vend i mbyllur », « hermetik ». Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur « flakën » diktaturën në 1964, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët. Është e vërtetë që « arbanasit » kur u larguan nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe. Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mjund të shuhen. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas, bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe zbulime arkeologjike, siç ka ndodhur edhe me kombe të tjerë. Por ato nuk mund ta lënë Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Voskopoja, Apollonia, Butrinti, Berati, Durrësi… janë vlera që i përkasin civilizimit europian…
Në shënimet e mija të fundit kam shënuar në anglisht edhe fjalët e zotit Panos Englezios, President i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF), i cili më shkruante pak kohë më parë pas kthimit nga Konferenca Ndërkombëtare e Talasemisë në Dubai :
“We were extremely pleased to learn the Albanian Ministry of Health, the health professionals involved in the treatment of patients with thalassaemia and the Albanian national Anti-Thalassaemic Association are now working closely together towards implementing further improvements regarding prevention and treatment protocols for Thalassaemia in Albania. This is extremely encouraging and soul-satisfying”.
Ja u dhashë versionin në anglisht, për të mos bërë edhe unë ndonjë lapsus në përkthimin në shqip të fjalëve të Presidentit të nderuar të TIF-I, si ai profesori francez i gjuhëve sllave atje në Provans: “Jemi shumë të kënaqur kur lexojmë se Ministria Shqiptare e Shëndetësisë, profesionistët e shëndetësisë që merren me mjekimin e pacientëve me talasemi dhe Shoqata kombëtare e Luftës kundër Talasemisë, po punojnë tani ngushtë për të vendosur vlerësime të mëtejshme lidhur me protokollet e parandalimit për Talaseminë në Shqipëri”.
Lexoj tek adresa ime elektronike e sotme mesazhin e ngrohtë të gazetares Laureta Roshi në Fier e cila ndër të tjera po boton një gazetë për qytetin e Fierit nga janë prindërit e mij. Ajo po bën një punë të lavdërueshme edhe për të sensibilizuar opinionin për sëmundjen e shekullit të 21, Talaseminë e cila është përhapur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi, Qipro, Itali, Francë, Britani e Madhe, vendet arabe e deri në SHBA, Kanada, si rezultat I lëvizjeve migratore. Shpresojmë që shoqata zvicerane e Talasemisë, ajo franceze, TIF, Cooley’s Anemia Foundation në Nju Jork, biznesmenët shqiptarë dhe miqtë tanë, do të japin ndihmesën e tyre.
Mesazhet që më vijnë sonte nga « Europa tjetër », po në « Europën tjetër » në Zvicër, lidhur me përkatësinë e Shqipërisë demokratike në NATO, më mallëngjejnë për pastërtinë e tregimit të jetës së përditshme edhe atje në Tiranën e bukur, edhe për atje në Fierin e njerëzve të mirë, të urtë, të pastër, edhe për Valbonën, Tropojën, Devollin…Mesazhe të ngrohta dhe premtime për ndihma për Gërdecin, talasemikët…
Miku im arkitekti me famë botërore, Franko Marusich (nga familja Marubi), si edhe unë ruajmë si të shenjta pemën gjenealogjike të familjeve tona, si edhe shumë familje në Europën e të 25-tëve. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë e krishterja Zografë që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike të « Europës tjetër », sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Të jesh në Aleancën Atlantike, në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, me të njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta. Korrupsoni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ». Kjo si rezultat i një të vërtetë, pasi njerëzit bëhen të pangopur por disa herë edhe nga xhelozia…Lexojmë çdo ditë lajme të mira…British Airways dhe shoqëri të tjera ajrore ka filluar fluturimet në Shqipëri. Urojmë që edhe shoqëri të tjera ajrore europiane, në interes të përfitimit reciprok, ta bëjnë këtë, përveç atyre egzistueseve. Lexojmë se edhe agjenci udhëtimi këtu në Zvicër organizojnë udhëtime në Shqipëri. Jetojmë në një epokë të jashtezakonshme, plot shpresa dhe shqetësime, një epokë ku zbulimet pasojnë njëra tjetrën, ku qëndrimet e kundërta nuk kursejnë as zakonet dhe as traditat më solide ; një epokë ku problemet që dje nuk viheshin në dyshim : të energjisë, të zhvillimit të vendeve europiane, të strukturave politike të botës së industrializuar, sot përbëjnë një shqetësim për disa ; tani jemi « të pushtuar » nga Televizionet publike dhe private, si dhe gazetat e shumta ; sociologu kanadez, Herbert Marshall McLuhan me analizën e tij të mediave, « revolucionare » për epokën shprehet : « Nga të gjitha anët ne na vjen informacioni me shpejtësi të madhe, me shpejtësi elektronike. Mund të thuhet se ne të gjithë bëjmë pjesë(…) në një fshat botëror »…
Ka ndonjë që “në këtë fshat botëror” don të shtyjë hyrjen e Shqipërisë « de jure » në Bruksel pasi u pëlqen fuqia e lirë punëtore shqiptare, mungesa e mbrojtjes së tyre nga « shteti i së drejtës » ku jetojnë…Por ne jetojmë edhe në një epokë të solidaritetit ndërkombëtar, kur i jepet dora njeri tjetrit. Në këtë ndërvartësi të thellë, kufijtë pothuaj fshihen midis njerëzve apo edhe shteteve fqinje. Zvicra dhe Franca në kufijtë e tyre, nuk kanë mure ndarëse, apo tela me gjemba. Por kanë bimësi dhe lule. Natyrisht kontrollet « e lëvizshme » nuk mund të shmangen ndaj keqbërësve.
Lexoja këto ditë intervistën e një shkrimtareje, vepra të së cilës i kam lexuar edhe më parë, por që s’njihet nga lexuesi shqiptar. Do t’i kthehem asaj përsëri në shkrimet e mija. Ajo që më bëri përshtypje ishte kjo frazë e saj: « Jeta na punon renga të pabesueshme dhe për aq sa pranojmë dhe që ne mund të veprojmë, mund ta kthejmë çdo situatë në mënyrë pozitive dhe të dobishme, jashtë çdo situate që na ishte propozuar në fillim ». Pra edhe pse « funksionarët jugosllavë » në kufijtë me Shqipërinë u thoshin turistëve dhe vizitorëve të huaj që do shkonin nga ish-Jugosllavia në Shqipëri : » Kur të ktheheni, në rast se kaloni këtej, ne do t’u marrin çdo botim të nxjerrë në Shqipëri…Edhe broshurat turistike dhe librat e artit… ».
E njejta gjë ndodhte në 1988 kur shkruan gazetari francez shkruan në « GEO » për Shqipërinë si « vendi më i çuditshëm në Europë » ku ndër të tjera thotë: « Para se të nisesha nga Franca, agjencia e udhëtimit atje kishte shpërndarë një qarkore: « Materiali i shtypur jashtë Shqipërisë nuk është i autorizuar të hyjë në Shqipëri. Veçanërisht, prospektet mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike…Një pensionisti të Metz (qytet në Francë) iu konfiskua një e përjavshme sportive. Kurse një udhëtar tjetër duhet të lërë aty në doganën e Hanit të Hotit disa revista mode… »
Këto rregulla të dy vendeve fqinjë të « Europës tjetër » uroj t’i përkasin së kaluarës. Asaj të kaluare kur megjithë mbylljen, izolimin, shqiptarët në Durrës shihnin si para një TV në Amerikë me dhjetra stacione televizive italiane dhe ëndërronin që një ditë deti Adriatik të ngrinte dhe ata të shkonin në këmbë deri atje ; ato i përkasin së kaluarës kur ata qindra shqiptarë të të dy anëve të kufirit shihnin telat me gjemba që kishin ndarë për jetë vëllezër dhe motra të një fshati (si ajo punëtorja shqiptare në korridoret e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në vitet 80-të), apo kur krismat e pushkëve rrëzonin pa jetë trupat e të rinjve që donin të shihnin dhe të shkonin në Europën e Brukselit për të bërë një jetë më të mirë ; apo kur ai arsimtari atje në bjeshkët tona të bukura, krahas mësimit të letërsisë që u bënte vogëlushëve dhe adoleshentëve malësorë, mësonte dhe vetë një gjuhë të huaj, për të pasur një dritare më vonë në botën tjetër, atë të « parajsës perendimore » ku duhet punë shumë, për t’u argëtuar pastaj me familjen, me shokë e miq të mirë.
Më lejoni ta përfundoj këtë shkrim me mendime të mija modeste, pa mllef, pa nerva, pa prapamendime për vende që i përkasin « Europës tjetër », me fjalët e shkrimtarit të madh francez Viktor Hygo, shumë dekada më parë: « Do të vijë një ditë kur bombat do të zëvëndësohen …nga një arbitrazh i nderuar i një Senati të madh sovran që do të jetë Europa, njëlloj si Asambleja Ligjvënëse është në Francë… ». Ai Viktor Hygo i madh që ne të « Europës tjetër » e kujtojmë me respekt drejtoi në vitin 1849 « Kongresin e Miqve të Paqes » ku u bë thirrje për « Shtetet e Bashkuara të Europës ». Le të ngrejmë edhe ne nga një dolli për Shqipërinë në NATO dhe së shpejti në Bashkimin Europian, të jemi solidarë dhe në unison për çështjet e kombit, parlamentarë, pozitarë dhe opozitarë, si gjithë kombet e tjera të qytetëruara, si Zvicra që e mendonin Shqipërinë “rilindasit” tanë, që brezat e ardhshëm të mos na mallkojnë dhe të na fusin në kallëpet e atij “qoftëlargut” që shkon nga e majta apo e djathat, fryn era e ngrohtë për të dhe familjen e tij të ngushtë. Shqiptarët meritojnë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe Kosova, edhe vendet e tjera të Ballkanit, edhe ata popuj që ëndërrojnë të „kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin në Evropë“. Jemi në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë.
