Faqja e Pare | Analiza | Nën çatinë e ngrohtë të NATO

Nën çatinë e ngrohtë të NATO

image

Për shkak të tragjedisë së Gërdecit, dita e sotme, kur në mesditë Shqipëria do të marrë zyrtarisht ftesën Për shkak të tragjedisë së Gërdecit, dita e sotme, kur në mesditë Shqipëria do të marrë zyrtarisht ftesën për në NATO, e ka humbur disi madhështinë që duhet të kishte: por, larg patetizmave dhe butaforisë, kjo është një ditë feste për të gjithë shqiptarët. Në fakt, dhe po festuan, shqiptarët do festojnë kuturu, pa i ditur arsyet e vërteta të festës, pasi është e vështirë të përgatitësh për festë një komunitet që fundja fundit, po hyn në një Aleancë Ushtarake. Për më tepër, mund të ketë qenë ditë e shënuar, por nuk ka qenë ditë feste për Turqinë apo Greqinë para 2 dekadave, nuk ka qenë ditë feste për Hungarinë apo Çekinë, si dhe për shumë vende të tjera, që e kanë konsideruar proces të natyrshëm integrimi: në rastin e Shqipërisë kam dëshirë ta ritheksoj, është dhe duhet të jetë një Ditë Feste, pasi në rastin e Shqipërisë, ndoshta më shumë se në çdo rast tjetër, NATO nuk është thjesht një Çati Sigurie, por më shumë një Prozhektor Demokracie. Eshtë e qartë se kjo formulë nuk ka qenë adekuate për çdo vend dhe për çdo rrethanë. Nuk mund të thuhet kështu për Turqinë p.sh., rasti i parë që më vjen ndërmend. Në shumë raste të tjera, por sidomos në dekadat e para të krijimit të saj, NATO, kuptohet, si një Aleancë Ushtarake, Partneriteti për Siguri ka qenë më i rëndësishëm se Partneriteti për Demokraci, madje mund të ketë patur raste kur për hir të Motos së Parë, mund të jetë cenuar kjo e dyta. Por, në rastin e Shqipërisë, në rastin e këtij konfigurimi të ri të rajonit të Ballkanit dhe sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, mendoj se Partneriteti për Siguri dhe Stabilitet është në mënyrë të barazvlefshme po aq i rëndësishëm sa Partneriteti për Demokraci. Ballkani, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe formimit të shtetit të ri të Kosovës, më lehtë mund të destabilizohet nga instabilitetet e brendshme se nga ato të jashtme, edhe pse këto të fundit janë më të lexueshme. Nga ana tjetër është fare e qartë se, pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së kahershme të popullit shqiptar për të hyrë në Aleancë, Shqipërinë më shumë e futën se u fut në Aleancë. Arsyet gjeopolitike kanë qenë aq të forta dhe të qëndrueshme në kohë, përballë gjithë arsyeve të tjera, sa Shqipëria do të kishte hyrë disa vite më parë në NATO, (pa e merituar plotësisht si edhe tani), në qoftë se do të kishte një klasë politike më të suksesshme, që të paktën do të kishte mundësi të evitonte vitin 1997. Por, në qoftë se Shqipëria do të ishte anëtarësuar në NATO, përpara se të zgjidhej statusi i Kosovës, personalisht mendoj se atëherë Partneriteti për Stabilitet do të ishte më i rëndësishëm se Partneriteti për Demokraci. Ndërsa tani kemi shpresa se mund të ndodhë e kundërta, pasi tashmë të gjithë janë të bindur dhe e kanë vërtetuar se Shqipëria mund të prodhojë destabilitet në rajon vetëm kur përmbyset demokracia brenda vendit, siç ndodhi në vitet 1996-1997. Shqipëria tani nuk mund të prodhojë destabilitet nga jashtë duke provokuar apo nxitur faktorët në rajon, sidomos në Kosovë dhe Maqedoni, siç mund të ketë tentuar për të treguar një lloj fuqie në vitet 1994-1996. Ndaj NATO sot për ne, merr më shumë kuptim si çështje demokracie se sa si çështje sigurie. Ky është një lajm për t’u gëzuar, pasi Shqipërisë tashmë do t’i duhet t’i kryejë reformat e nisura me më rigorozitet dhe përgjegjësi dhe për më tepër institucionet shqiptare do të monitorohen me më rreptësi. Tashmë, na kanë tërhequr me “forcë” drejt demokracisë dhe nuk ka kthim mbrapsht. Linku me BE-në është shkurtuar akoma më shumë. Përfitimet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk mbarojnë këtu. Ndonëse është e pamundur të parashikosh sot ndikimet direkte në ekonominë shqiptare pas anëtarësimit, ky veprim politik nuk ka se si mos të ketë dhe pasoja ekonomike. Të paktën, të gjitha vendet ish-komuniste të Lindjes që janë anëtarësuar në NATO, në harkun kohor të 5 vjetëve kanë patur një rritje të theksuar të investimeve të huaja. Të dhënat statistikore kanë dëshmuar se edhe infrastruktura e këtyre vendeve, përveç projekteve të BE-së është përmirësuar kryesisht dhe për shkak të anëtarësimit në Aleancë. Madje, skeptikëve mund t’u thuhet se anëtarësimi në një nga sistemet mbrojtëse më moderne në botë, ka hapur dhe hapësira të reja e të pamendueshme dhe në sistemin e edukimit. Mbi të gjitha për Shqipërinë anëtarësimi në NATO është çështje imazhi. Shqipëria deri dje kishte disa “njolla”, të cilat, pa këtë anëtarësim, vetë do t’i kishte hequr ndoshta një dekadë më vonë: Shqipëria për të huajt ishte jo vetëm një vend ish-komunist, por dhe vendi me izolimin më të madh në Evropë, dhe një vend ballkanik me konotacion negativ dhe një vend që, jo shumë larg, por gati një dekadë më parë desh u shpërbë për shkak të një konflikti të brendshëm që akoma ka mbetur pa etiketë dhe i pakategorizuar në historinë botërore. Ndaj, s’ka arsye as për skepticizëm, as për vetëpërmbajtje: Gëzuar Festën Shqiptarë!