Muhabet per Muhabet
Si asnjëherë më parë në këta 17 vjet të shtypit të lirë, gazetat dhe mediat e tjera tonat nuk kanë botuar kaq shumë dëshmi, fakte, analiza, teza dhe hipoteza sa këto ditë pas shpërthimeve në Gërdec. Pati zëra që shtypi investigues mund të kishte bërë diçka më parë se të kishte ndodhur katastrofa, për të botuar përmasat e një skandali që nuk se s'njihej nga disa vetë, ndoshta vërejtje e drejtë, megjithatë kjo nuk ia heq dot meritat disa gazetave tona të përditshme, dhe ndonjë stacioni televiziv, që dita-ditës po hedhin dritë mbi ngjarjen që ndodhi, mbi përgatitjen e saj, personazhet kryesore, fajtorët, viktimat, indiferentët. Asnjëherë, në asnjë skandal të Republikës sonë të re, gazetat nuk kanë botuar kaq shumë dëshmi të sakta, shtypi nuk është treguar kurrë ndonjëherë më parë kaq pa frikë ndaj pushtetarëve dhe instrumentave të tyre, ç'është e vërteta këto kohë krejt të diskredituar.
Mbaj mend p.sh. shtypin rreth vrasjes së ish-deputetit Azem Hajdari, një shumësi shkrimesh që nuk të çonin asgjëkundi, një fjalësi që edhe më shumë e ngatërroi labirintin e asaj ngjarjeje, derisa një ditë hoqa dorë së lexuari për këtë temë, pasi nuk po merrej më vesh asgjë. Ose historitë e vitit 1997, ku ende dhe sot nuk mëson dot se cilët ishin fajtorët, cilët të shtypurit dhe të mashtruarit e cilët përfituesit, cilët kriminelët e cilët viktimat.
Jo se nuk ka mjegull mbi ngjarjen e Gërdecit. Ajo ka filluar të hidhet dhe përshtypja është se do të shtohet edhe më shumë – vëreni vetëm veprimet dhe deklaratat e tregtarit Kosta Trebicka, i cili në fillim me përgjimet dhe deponimet e tij në prokurori, në tetor 2007, akuzonte drejtpërdrejtë majat e shtetit tonë, tani ka filluar të dalë në ekrane për të thënë se Berisha është i pa-fajshëm dhe i pa-ditur.
Por, pavarësisht nga këto: shtypi po na jep përditë faksimile urdhrash, VKM-sh, dëshmi punëtorësh të ferrit, fletore me emrat e tyre, dëshmi gjeneralësh, foto që nuk mund t'i kundërshtojë askush, si ato të të miturve mes predhave dhe politikanëve kokë më kokë me matrapazët e municioneve.
Tek shoh këtë shumicë faktesh dhe këtë çlirim të shtypit tonë konjunkturat dhe frikat e mëparshme, habitem edhe më fort kur lexoj komente dhe interpretime si ato të djeshmet e analistit që shfaqet shpesh në faqet e Shekullit, me artikujt të respektueshëm ndonëse pak të rëndë, z. Arbër Xhaferri. Shkruan z. Xhaferri: „Si të shpjegohet eksplodimi i pabesueshën në fshatin Gërdec? Në të gjitha debatet televizive zhvillohet një polemikë e ashpër për të zbuluar fajtorin. Opozita politike e fajëson qeverinë për përgjegjësinë dhe kërkon dorëheqjen, madje rënien e qeverisë, ndërkaq qeveria jep kundërargumente, po aq bindëse se ato kanë bërë çdo gjë për të zbutur efektin e këtij aksidenti (!). Nga këto debate nuk mund të identifikohet fajtori".
Por kujtesë, mund t'i themi komentatorit se nuk duhet të presë që të identifikohet fajtori nëpërmjet një debati midis politikanësh. Debatet e politikanëve në asnjë vend të botës, aq më pak në Shqipëri, nuk mund të shërbejnë si prova. Identifikimi i fajtorit duhet bërë nëpërmjet elementesh të tjera, që rëndom janë dëshmitë e dëshmitarëve, faksimilet, pse jo edhe përgjimet, ato që botohen pjesërisht në gazeta, e pastaj në rrugë juridike regjistrohen dhe shqyrtohen nga prokuroritë dhe gjykatat. Çështja që z. Xhaferri zbulimin e së vërtetës nuk e kërkon te dokumentat, faktet, fotot, e pra te vendimet e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, te ligji i ri që nxorën këta të dy për armatimet, te përdorja e një firme gjysmë fantazëm amerikane dhe një firme fantazëm qipriote, te fotot e punëtorëve të pasiguruar dhe pakualifikuar në fabrikë, te barazlargesa e depos së fshehtë të riambalazhimit nga porti i Durrësit dhe aeroporti i Rinalist – por te debati midis pozitës dhe opozitës, tregon që ose s'ka mundësi, duke qenë jashtë Shqipërie, të shohë foto nga Gërdeci dhe dokumenta nga ministria jonë e Mbrojtjes ose nga kryeministria, ose, për arsye që nuk mund t'i kuptojmë, nuk ka besim as në VKM, faksimile, foto, dëshmi.
I dëshpëruar që nuk e gjeti dot të vërtetën pasi ka dëgjuar debatet e politikanëve të pozitës dhe të opozitës, meqë të dyja palët „janë njësoj bindëse", z. Xhaferri vjen te shpjegimi i tij për atë që ndodhi, te shkaku i vërtetë. Sepse ai e ka një të tillë. Nuk dimë nëse e ka depozituar më parë në prokurorinë tonë, në Kuvendin shqiptar e në çdo institucion tjetër që po merret këto kohë me ndriçimin e ngjarjes, sidoqoftë shpjegimi, edhe pse i çuditshëm, vjen i shkurtër dhe i prerë: „Mendoj se fajtori duhet kërkuar te mendësia orientale që krijon dhe kënaqet me standarde të ulëta, që objektivisht nuk mund t'i parandalojnë fatkeqësitë e kësaj natyre. Shqiptarët për një kohë të gjatë nuk i kuptojnë mesazhet që vijnë nga organizmat dhe faktorët ndërkombëtarë lidhur me plotësimin e standardeve" etj.
Me këtë z. Xhaferri do të thotë që fabrika, më saktë depoja për riambalazhimin e fishekëve drejt eksportit dhe për nxjerrjen e skrapit, punonte me mënyra primitive, ngaqë kështu është mendësia e shqiptarit. Tek vë theksin mbi llojin e punishtes ose të depos, komentatori lë krejt në harresë pyetjet më të rëndësishme që enden në kokat tona gjithë këto ditë: Përse u ngrit një pikë kaq e rëndësishme, me një sasi të hatashme municioni, në një qendër kaq të populluar, kaq pranë aeroportit, kryeqytetit? Shqipëria ka uzina armësh në Poliçan, vende të shkreta plot. Përse u mbajt kaq e fshehtë ekzistenca e saj? Përse në një moment të parë kryeministri dhe ministri ynë i mbrojtjes mohuan të kishin dijeni për të, ose e kaluan gjithë përgjegjësinë te privati, pastaj ministri u dorëhoq dhe doli se kishte nxjerrë edhe urdhëresë për caktimin e zonës, se pika e vdekjes kishte qenë një konsorcium midis personazhesh të errët dhe ministrisë së tij? Përse në fillim na u tha se gjithçka ishte punë e privatit, pastaj doli se ishte shteti që po ndihmonte NATO-n dhe Afganistanin, me një tregti „krejtësisht legale" (fjalët e Berishës)?
Tragjedia që ndodhi ka ende një numër të panjohurash e s'mund të themi aspak se jemi të kënaqur me sa kemi mësuar. Por zbulimi i fakteve shkon dita-ditës në një drejtim që u paralajmërua që ditën e dytë pas shpërthimit: kemi të bëjmë me një aferë të përmasave të mëdha, ku motori kryesor ishte lakmia për fitim – sa e personave privatë aq dhe e protagonistëve tanë shtetërorë, në fakt në një simbiozë që është zor ta ndash: çështja që në këtë lakmi nuk respektohej as siguria e punëtorëve as mirëqenia e tyre as teknologjia e duhur, shkon pikërisht në këtë drejtim dhe është krejt e kuptueshme. Shqipëria ka shumë fabrika dhe depo moderne, zoti Xhaferri, por punishtja dhe depot e Gërdecit ishin ilegale, ishin punë e ndyrë, dhe në një punë të ulët e të fshehtë prit gjithçka: shfrytëzim grash e të miturish, mungesë sigurimi teknik, pse jo deri dhe atentate me detonime. Në një aferë të papastër, mjetet shpërthyese janë rëndom të pranishme, qoftë vendndodhja në Palermon oksidentale, qoftë ajo në Tiranën orientale.
T'u thuash sot të goditurve nga ajo katastrofë, por në përgjithësi opinionit tonë publik, se u gjet shkaktari i vërtetë dhe ky është mentaliteti oriental i shqiptarëve, është si t'i shpjegosh shirat e marsit me avujt që nxjerrin kuzhinat e qebaptoreve në Stamboll. Megjithatë e tëra nuk duhet marrë kaq seriozisht, vetëm se shpjegimet e opinionistëve tanë po largohen shpesh kaq shumë nga realiteti i gjërave, sa dhe mund të shpallet se „Opinionet nuk kanë të bëjnë me faktet" ose le të krijohet rubrika „Opinion për opinion" sipas modelit të njohur „muhabet për muhabet".
