Kjo qeveri eshte nje Agjenci Funerale
Eshtë përgjegjësi e qeverisë tuaj zoti Kryeministër lejimi i demontimit të municioneve ushtarake në kushtet më të papërshtatshme të mundshme. Fabrika e demontimit të arsenalit ushtarak ishte një rangallë e vërtetë e rrethuar me llamarinë, që nuk kishte asgjë tjetër të përbashkët me qendra të tilla, ku siguria dhe kushtet e punës kanë rëndësi të dorës së parë.
Nuk gjej dot fjalë për të shprehur dhimbjen time të thellë, për të gjithë ata që humbën jetën, u plagosën dhe e gjymtuan në tragjedinë e Gërdecit.
Nuk gjej dot fjalë për t’u shprehur mirënjohjen mjekëve , ushtarakëve, mediave dhe të gjitha atyre që kontribuan kaq shumë në përballimin e pasojave të kësaj tragjedie.
Nuk gjej dot fjalë ndërkohë për të shprehur tërë protestën dhe indinjatën për përgjegjësit e kësaj tragjedie, që janë kjo qeveri dhe Kryeministri i saj.
Është përgjegjësi e qeverisë tuaj zoti Kryeministër, vendimi për të ngritur një qendër për çmontimin e mijëra tonelatave municione ushtarake në vendin më të papërshtatshëm të mundshëm. Mbi ç’llogjikë ligjore, teknike e njerëzore, mund të vendoset të çmontohen mijëra tonelata municione, në një vend si Gërdeci, fare pranë shtëpive të banimit, fare pranë magazinës më të madhe me gaz në vend, fare pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtarë, fare pranë hekurudhës së vetme në punë, fare pranë autostradës , fare pranë bizneseve të shumta?
Është përgjegjësi e qeverisë tuaj zoti Kryeministër lejimi i demontimit të municioneve ushtarake në kushtet më të papërshtatshme të mundshme. Fabrika e demontimit të arsenalit ushtarak ishte një rangallë e vërtetë e rrethuar me llamarinë, që nuk kishte asgjë tjetër të përbashkët me qendra të tilla, ku siguria dhe kushtet e punës kanë rëndësi të dorës së parë.
Është përgjegjësi e qeverisë tuaj zoti Kryeministër, lejimi i punësimit në këtë objekti i punonjësve në kundërshtim me kërkesat e të gjitha ligjeve në fuqi. Njerëz në nevojë, pa asnjë kualifikim, larg çdo parametri arsimor të nevojshëm, shumica gra dhe fëmijë ishin punësuar në këtë fabrikë vdekje. Videot e transmetuar dje në mediat e Tiranës, që tregonin punën e fëmijëve në këtë objekt, janë larg çdo përfytyrimi dhe humanizmi njerëzor.
Është përgjegjësi e qeverisë tuaj zoti Kryeministër lejimi i kompanive private të paspecializuara, të merren me demontimin e arsenaleve të tilla ushtarake. Ndërkohë, që në Shqipëri në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes janë të paktën tre qendra të specializuara për çmontimin e këtyre municioneve: në Gramsh, në Poliçan dhe në Mjekës të Elbasanit, që plotësojnë të gjitha parametrat e nevojshëm të sigurisë.
Është përgjegjësi e qeverisë tuaj zoti Kryeministër transportimi i mijëra municioneve ushtarake në kushte të diskutueshme të sigurisë rrugore. Ndërkohë, që në të njëjtat rrugë dhe pranë kamionëve të ngarkuar me municion ushtarak udhëtonin ditën për diell makina gjithëfarë llojesh, që nga autobusët e udhëtarëve, mikrobusët me nxënës shkollash e deri tek makinat familjare.
Si shpjegohet zoti Kryeministër heshtja shtetërore, që rrethon me mister këtë ngjarje ? Ministria e Mbrojtjes, Inspektorati Shtetëror i Punës, Drejtoria e Tatim-Taksave, Inspektorati i Mjedisit, Inspektorati i Mbrojtjes Kundër Zjarrit si edhe entet e tjera shtetërore, të ngarkuara me ligj për të kontrolluar zbatimit e ligjit në biznese të tilla, kanë qëndruar gojëkyçur ose kanë bërë të paditurin, ndërsa ligjet në fuqi shkeleshin në mënyrë flagrante.
Po të kishin funksionuar të gjitha ingranazhet e shtetit tragjedia me siguri do të ishte shmangur. Këta janë detyrat, që duhet të bëjë një qeveri, po qeveria jonë fatkeqësisht ngjan përditë e më shumë me një agjenci funerale, që varros gratis të vdekurit e saj.
Nuk ishte çmontimi i municioneve ushtarake anembanë vendit qëllimi i vërtetë i grumbullimit të tyre në Gërdec, por ishte përfitimi korruptim në përmasa të jashtëzakonshme, shkaku që qëndron në themel të kësaj tragjedie. Ja pse mijëra tonelata municione u transportuan nga tunelet ngjitur me uzinat ushtarake të Poliçanit e Gramshit, ku çmontimi i tyre ishte krejt i sigurt dhe u sollën në kioskën e vdekjes në Gërdec.
Të dhënat që publikohen çdo orë e minutë për tragjedinë flasin për një aferë korruptive të përmasave të pabesueshme, ku aktorë kryesorë janë drejtues të lartë shtetërorë dhe familjarë të tyre.
Tragjedia e Gërdecit vuri në provë edhe një herë shumëçka në këtë vend. Vuri në provë solidaritetin njerëzor, që u manifestua si rrallë herë në ditët e kësaj tragjedie.
Vuri në provë opozitën shqiptare. Mediat transmetuan pamjet nga Spitali Ushtarak, ku kryetari i partisë Socialiste i shprehte Kryeministrit të gjithë solidaritetin e nevojshëm për ta përballuar tragjedinë në momentet e para larg çdo konfuzioni dhe keqpërdorimit të emocioneve njerëzore. Këto imazhe nuk kishin asgjë të përbashkët me sjelljen e opozitës së dikurshme, që keqpërdorte edhe arkivolet e të vdekurve duke u sjellë ato përpara zyrave të Kryeministrisë.
Vuri në provë edhe qeverinë aktuale. Me shmangien e habitshme të çdo përgjegjësie politike dhe morale të qeverisë, duke treguar me gisht si përgjegjës për tragjedinë e ndodhur vetëm firmën private, Kryeministri i vendit, që në daljen e tij të parë përpara mediave u risolli në kujtesë shqiptarëve vitin 97, duke dëshmuar kështu se ai nuk e njeh ende aktin civil të dorëheqjes.
Nuk e njeh këtë akt civil për vete, ndërsa kur ishte në opozitë i njëjti Berishë kërkonte me ngulm dorëheqjen e kryminisrtave të atëhershëm në të gjitha rastet e humbjeve të jetëve njerëzore.
Të gjithëve ne na kujtohet se me çegërsi Berisha i djeshëm, kërkonte dorëheqjen e Kryetarit të Bashkisë dhe të shefit të qeverisë kur një pjesë e Tiranës u përmbyt nga shpërthimi i digës së liqenit artificial, edhe pse nuk u shënua as edhe një viktimë e vetme.
Këtu kam fjalën e zotit Berisha të regjistruar në procesverbalin e punimeve të Kuvendit të mbajtur në seancë për tragjedinë e 9 janarit të viti 2004.
Nuk po e akuzoj Berishën si “njeri me shpirt të kalbur nga urrejtja njerëzore, me mendje të helmuar nga cinizmi dhe shpirtkazmëria, me shpirt të zi krejt si katran” siç akuzonte ai kryeministrin e asaj kohe për ngjarjen në fjalë, por po kërkojmë pranimin e përgjegjësisë së tij morale edhe politike përmes aktit të dorëheqjes.
Ne nuk po akuzojmë Sali Berishën si “ soji i poshtërisë njerëzore, për të cilin fitimi është ligji i parë dhe i fundit i jetës” siç akuzonte ai kryeministrin e saj kohe.
Ne kërkojmë dorëheqjen dhe imunitetin e deputetëve Sali Berisha e Fatmir Mediu, që të mundësohet nga organi i akuzës zbardhja e të vërtetës rreth akuzave, për aferat e përfolura korruptive me tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, që shkaktoi këtë gjëmë të vërtetë.
