Faqja e Pare | Shqiperia | Lajme nga qeveria | Kryeministri belg Leterme: Belgjika mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Kryeministri belg Leterme: Belgjika mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

image

Kryeministri Berisha u prit sot në një takim nga Kryeministri i Mbretërisë belge zotit Ives Leterme. Në takimin e zhvilluar në rezidencën e Kryeministrit belg, merrnin pjesë edhe ministri i jashtëm shqiptar zoti Lulzim Basha dhe Ministri i jashtëm belg Karel de Gucht.Sipsa Zyres se Shtypit te Kryeministrit Berisha " Të dy kryeministrat vlerësuan  marrëdhëniet shumë te mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e tyre të përbashkët për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, në fusha me interes të përbashkët. Duke i uruar Kryeministrit Berisha mirëseardhjen, Kryeministri belg shprehu vlerësimin e tij mjaft pozitiv dhe të qeverisë së tij për nënshkrimin e MSA-së së Shqipërisë me BE-në si një etapë shumë të rëndësishme, e cila do të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë në Evropë. Në këtë kontekst, zoti zoti Leterme theksoi se Belgjika do të mbështesë hapat e ndërmarra në drejtim të përmbushjes së kritereve, nga ana e Shqiperise, për tu bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së. Kryeministri belg përshëndeti dhe përgëzoi ngjarjen historike të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, nga ana e Shqipërisë. Zoti Leterme vlerësoi se ftesa për anëtarësim në NATO erdhi si rrjedhim i ecurisë së admirueshme të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në fusha të ndryshme, në mënyrë të veçantë në atë ekonomike. Gjithashtu Kryeministri belg vlerësoi ecurinë pozitive të reformës elektorale dhe asaj në gjyqësor, duke u ndalur në veçanërisht në luftën e pandërprerë të qeverisë shqiptare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndër të tjera, kryeministri belg u shpreh se integrimi i Shqipërisë në NATO është një proces shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërinë, por në të njëjtën kohë është i tilllë edhe për NATO-n dhe për rajonin në tërësi. Kryeministri belg vlerësoi maksimalisht rolin stabilizues të  Shqipërisë në rajon dhe qëndrimin e saj lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Duke vlerësuar potencialet natyrore të Shqipërisë dhe masat e qeverisë shqiptare në ndihmë të investimeve të huaja, Kryeministri belg u shpreh se kohët e fundit përfaqësues të biznesit belg dhe të kompanive me të rëndësishme belge kanë shfaqur një interes të lartë për të investuar në Shqipëri, veçanërisht në turizëm dhe energji. Kryeministri belg u shpreh se së shpejti Ministri i jashtëm belg do të jetë në Shqipëri, në kuadër të forumit të Krans Montanës , i shoqëruar edhe nga rreth 20 përfaqësues të njohur të biznesit belg.  Kryeministri Berisha duke falënderuar kryeministrin belg për mikpritjen shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë si në procesin e nënshkrimit të MSA-së me BE-ne ashtu dhe në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Në këtë kontekst, kryeministri  Berisha theksoi se këto dy projekt vazhdojnë të mbeten përparësitë më madhore të qeverisë shqiptare. Në funksion të realizimit të këtyre dy projekteve të rëndësishme dhe plotësimit të të gjitha kritereve për integrim në NATO dhe BE, u shpreh Kryeministri Berisha, qeveria shqiptare mbetet thellësisht e angazhuar dhe e vendosur, në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Berisha u shpreh se si rezultat i kësaj lufte rreth 900 anetarë dhe bosë bandash kriminale janë vënë para drejtësisë, duke bërë që Shqipëria të shënojë indeksin më të ulët të krimit në Evropë. Gjithashtu kryeministri Berisha e njohu kryeministrin belg me masat e ndërmarra nga qeveria për të luftuar korrupsionin, si nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit, shkurtimi i shpenzimeve administrative, digjitalizimi i një sërë procedurave të rëndësishme, të cilat kanë rritur ndjeshem transparencen. Për sa i përket reformave të rëndësishme për vendin, Kryeministri u shpreh se po ecet në rrugë të mbarë me reformën në drejtësi  dhe në reformën elektorale, në bashkëpunim edhe me opozitën. Kryeministri Berisha e njohu ndër të tjera, Kryeministrin belg me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë në drejtim të përmirësimit në vazhdimësi të klimës ndaj biznesit, duke siguruar se investitorët belgë do të gjejnë në Shqipëri të gjithë sigurinë dhe lehtësitë për zhvillimin e bizneseve të tyre. “Unë i ftoj, u shpreh kryeministri Berisha, investitorët belgë të investojnë në Shqipëri. Ata janë të mirëpritur dhe historia e investimeve të tyre në Shqipëri , me mbështetjen e qeverisë shqiptare, do të jetë një histori suksesi.”  Kryeministri Berisha mirëpriti gjithashtu lajmin e ardhjes së ministrit të jashtëm belg në Shqipëri i shoqëruar nga investitorë belgë dhe garantoi se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap për lehtësimin e punës së tyre në Shqipëri. 

Gjatë takimit , të dy kryeministrat diskutuan edhe për zhvillimet në rajon dhe çështjen e Kosovës. Kryeministri belg theksoi se qeveria belge do të ndihmojë institucionet e Kosovës, në drejtim të progresit të tyre. Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia e Kosovës ështe zgjidhja më  e mirë në dobi të paqes dhe stabilitetit dhe se përpjekjet për të manipuluar pakicat serbe në Kosovë, nuk i shërben paqes dhe as vetë serbëve.

Pas takimit, te dy kryeministrat dhane nje konference te perbashket per shtyp, gjate se ciles, nder te tjera, Kryeministri belg beri te ditur lajmin e hapjes se zyres konsullore te Mbreterise se Belgjikes ne Shqiperi"