Presidenti Topi priti Ministren e Drejtësisë të Austrisë, Maria Berger
Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim me Ministren e Drejtësisë të Austrisë, Maria Berger dhe delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Presidenti Topi pasi bëri një përshkrim të reformës në drejtësi, shprehu mirënjohjen për ndihmesën që Austria i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë viteve të tranzicionit në të gjitha fushat, në mënyrë të veçantë për sistemin e paraburgimit dhe kontributin e Misionit EURALIUS, punën e të cilit Kreu i shtetit e vlerësoi lart duke vënë në dukje edhe nevojën për vazhdimësi të këtij misioni.
Në kuadër të përmbushjes së standardeve të kërkuara për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Europian, Presidenti Topi vuri në dukje se dialogu dhe fryma e konsensusit e bashkëpunimit mes forcave politike janë përmirësuar ndjeshëm duke bërë të mundur kryerjen e reformave të rëndësishme, tregues i të cilave ishte edhe përfundimi i ligjit për gjyqësorin, që u votua me konsensus në Parlament.
Presidenti Topi shprehu gjithashtu edhe besimin për ftesën që Shqipëria pret të marrë së shpejti nga Samiti i Bukureshtit për t’u bërë anëtare e NATO-s.
Kreu i shtetit vuri në dukje edhe rëndësinë e ditëve mjaft të veçanta që po kalojmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke falenderuar njëkohësisht pozicionin e qartë që ka mbajtur Austria lidhur me këtë çështje dhe duke theksuar që Kosova e pavarur është pjesë e rëndësishme e klimës së stabilitetit, që Ballkani po fiton përditë e më tepër. “Rajoni ynë po bëhet pjesë e aspiratave europiane dhe ky është një shans i madh për vendet e Ballkanit për t’u larguar përfundimisht nga skenarët e qarqeve nacionaliste për rikthimin e erërave të luftës.” u shpreh Presidenti Topi.
Ministria Berger përcolli përshëndetjet më të mira nga qeveria dhe Presidenti austriak, duke vënë në dukje se Austria ishte nga të parat vende që e njohu Kosovën dhe theksoi se tani jemi në fazën e rëndësishme dhe delikate kur pavarësia e Kosovës duhet të pranohet nga të gjitha palët.
Znj. Berger u shpreh mjaft e kënaqur për reformën në gjyqësor që po zbatohet në Shqipëri, si një proces afatgjatë dhe i rëndësishëm. Gjithashtu Znj. Berger e informoi Presidentin Topi se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit do të ratifikohet nga Parlamenti austriak brenda brenda gjysmës së parë të këtij viti.
Presidenti Topi shprehu dëshirën që Presidenti Fisher të mund ta vizitojë së shpejti Shqipërinë dhe kjo do të ishte, së bashku me vizitën e sotme të Ministres së Drejtësisë, tregues i qartë i marrëdhënieve mjaft të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Austrisë, të cilat po marrin çdo ditë e më tepër nota të reja gjallërimi.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.
