Presidenti Topi merr pjese ne konferencen nderkombetare " Perballja me te nesermen" ne Jeruzalem
Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi, po merr pjesë në Konferencën Presidenciale “Përballja me të nesërmen”, e cila po të zhvillohet në Jeruzalem.
Në Konferencën që mbahet me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Shtetit të Izraelit, potrajtohen tema të rëndësishme të sfidave globale me pjesëmarrjen e liderëve dhe personaliteteve të shquara botërore si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, krerët e shteteve të Letonisë, Polonisë, Sllovenisë, Kroacisë, Ukrainës, etj., si edhe ish-presidentë dhe kryeministra si Toni Bleir e Mikail Gorbaçov.
Me poshte eshte fjala e plote e presidentit Topi mbajtur ne kete konference:
I nderuar President Peres,
Shkëlqesi Presidentë,
Zonja dhe zotërinj,
Dëshiroj të falenderoj Presidentin Peres, i cili më ftoi të marr pjesë në këtë tryezë të nderuar dhe të jap vlerësimet e mia mbi çështje, të cilat thërresin kontributin e të gjitha kombeve dhe popujve të botës.
Thirrja për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët vjen jo vetëm nga lashtësia e njerëzimit dhe librat e shenjtë, por sidomos nga fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë pas. Përgjigja ndaj kësaj thirrjeje është përkushtimi misionar i botës së sotme në përballjen me sfidat dhe rreziqet që kërcënojnë vlerat e ndërtuara deri tani.
E ardhmja u përket të gjithëve. Ajo s’ka kufij, politikë as fetarë. Misionet, strategjitë, politikat e themelimit të saj nuk duhet të jenë as futuriste e as virtuale. Ato duhet të shkrihen në lëvizje të orientuara drejt mirëqenies së popujve, të mbështetura në përvojën e gjatë pozitive të historisë së ndërthurjes së civilizimeve, të vëmendshme ndaj dështimeve në historinë e bashkëjetesës midis kombeve.
Përfshirja në këtë proces të rëndësishëm të të gjithë aktorëve ndërkombëtarë; shteteve, kombeve, besimeve, realiteteve politike, kulturore, gjuhësore, ekonomike, vetëdijeve kombëtare dhe globale, arritjeve intelektuale dhe shkencore, do të mund themelojë qytetërimin e paqes, të lirisë, të respektit reciprok dhe të sigurisë së përgjithshme e afatgjatë dhe të interesave të përbashkëta.
Shembujt e panumërt të historisë ku individët dhe popujt ndahen dhe bashkohen, ku dallimet mes tyre rishfaqen ashpërsisht, por edhe plotësohen harmonikisht, ku ndjenja e përplasjes shpesh fiton mbi atë të përbashkimit, ku valët e revanshit përmbytin kufijtë e arsyes dëshmojnë për kompleksitetin e këtij raporti.
Shqipëria dhe shqiptarët, besojnë në bashkëpunimin ndërkombëtar, në integrimin ndërshtetëror, në globalizimin dhe në dinamikat e ecurisë së tyre duke kontribuar dhe pasuruar këto procese nëpërmjet historisë, por edhe të tashmes së saj.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, ishte i vetmi vend në Evropë, i cili kishte popullsi hebreje më të madhe se para fillimit të Luftës. Asnjë hebre nuk u dorëzua, kallëzua, përkundrazi, Shqipëria mbrojti nga deportimi nazist jo vetëm shtetasit e saj hebrenj, por strehoi edhe qindra të tjerë të ardhur nga Austria, Gjermania dhe vendet e saj fqinje.
Gjatë pushtimit nazist në Shqipëri, një shqiptar i qytetit të vjetër të Krujës, simbol i rezistencës së Gjergj Kastriot Skënderbeut ndaj pushtimit otoman, strehoi 10 hebrenj në shtëpinë e vet. Kur nazistët iu afruan shtëpisë së tij, ai i dërgoi hebrenjtë të fshihen në çati. Hebrenjtë e frikësuar pyetën se çfarë do të ndodhte nëse shtëpisë i vihej zjarri. Atëhere shqiptari dërgoi djalin e tij të fshihej bashkë me ta. Ky shqiptar i thjeshtë dëshmoi, ashtu si shumë e shumë të tjerë, për vlerën e institucionit unik të besës, këtë kod të lashtë shpirtëror shqiptar të mikpritjes ndaj miqve apo njerëzve në nevojë, si gjënë më të shtrenjtë që ai kishte. Kjo histori e vërtetë shqiptare nuk do koment.
Shqipëria e sotme, laike në kushtetutë, por me pasuri të trashëguar besimesh lëvron vlera të rralla të lirisë, tolerancës dhe harmonisë ndërfetare. Këto veti, këto atribute, shqiptari i ndjen si të vetat, si pjesë të identitetit e jo si kontradikta që përçajnë personalitetin dhe shoqërinë. Marrëdhëniet mes besimeve, sa institucionale, por sidomos shpirtërisht dialoguese e ndërpranuese, historikisht kanë prodhuar një shoqëri shqiptare pa konflikte fetare e armiqësi apo paragjykime besimesh e kulturash, një shoqëri shembulli rrallë i patjetërsueshëm i së shkuarës, së tashmes dhe të nesërmes globale.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria e shikon të ardhmen e saj pjesë të të ardhmes euroatlantike, si gur në themelet e demokracisë globale. Kjo është rruga e vetme për të garantuar mirëqënien ekonomike, paqen sociale, besimin recirok, lirinë e vlerave mes popujve, kombeve e civilizimeve të botës sonë të vogël.
Dëshiroj të falenderoj Presidentin Peres dhe të gjitha autoritetet vendase për organizimin e shkëlqyer të këtij aktiviteti dhe mikëpritjen e ofruar me këtë rast duke na krijuar kështu mundësinë që nga Jeruzalemi, nga ky qytet me vlera të papërsëritshme njerëzore, civilizuese e historike të ndihmojmë së bashku të ardhmen e njerëzimit.
