Faqja e Pare | Shqiperia | Lajme nga Presidenti | Dita e drejtësisë, Topi: Hapat antikorrupsion, të vogla

Dita e drejtësisë, Topi: Hapat antikorrupsion, të vogla

image

Hapat e hedhura në luftën antikorrupsion kanë qenë të vogla, por të paktën në drejtimin e duhur- kështu është shprehur sot në Ditën ndërkombëtare të Drejtësisë, Presidenti i vendit, Bamir Topi në një takim të mbajtur me gjyqtarë e prokurorë në Pallatin e Brigadave.

“Statistikat e publikuara disa ditë më parë për prokurorinë apo gjykatat nuk janë për tu lavdëruar. Skepticizmi i 50% të Shqiptarëve te drejtësia bën që të besojmë se ajo nuk është në nivelin e duhur” – tha Topi.
 
Sipas tij KLD (Këshilli i Lartë i Drejtësisë) dhe organi i prokurorisë kanë dhënë shenjat e para  të angazhimit serioz në luftën kundër korrupsionit. Në vitin 2008 të dhënat e drejtësisë janë më të mira krahasuar me 3 vite më parë. “Skema e sistemit të drejtësisë ka lëvizur në kahje të duhur megjithëse me hapa të vegjël” – vazhdoi ai.

Topi ka shprehur angazhimin e tij të plotë për funksionim e shtetit të së drejtës.

Gjithashtu ai i u ka uruar Ditën e Drejtësisë gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe ka kërkuar mobilimin e tyre të mëtejshëm në punën e tyre të përditshme kundër korrupsionit dhe krimit.

“Drejtësia fillon me ligje të mira por që suksesi qëndron në zbatimin e tyre me përpikmëri. Drejtësia është prej kohësh pjesë e axhendës të qeverisë dhe përbën një tregues bindës të suksesit apo dështimit të saj” – tha Topi.

“Është e lehtë të jesh i mirë por s’është aq e lehtë të jesh i drejtë. Drejtësia është një kosto që duhet paguar me çdo kusht”.

Topi më pas ka bërë edhe dekorimin e disa gjyqtarëve ndër  të cilët Skënder Begeja, i cili u dekorua me urdhërin “Mjeshtër i madh” për rolin e tij të shquar në edukimin e brezave të ardhshëm.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave dhe zhvilloi një takim në kuadër të Ditës së Drejtësisë me juristë të shquar amerikanë: me gjykatësit Uoker, Magnuson dhe Atër, të cilët shoqëroheshin nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers.

Një pjesë nga fjalimi i Topit

Reformimi është pjesë e angazhimeve tona përballë aleatëve ndërkombëtarë. Sistemi gjyqësor mbetet fusha e përfolur nga të gjithë.

Gjykata është vendi ku filtrohen për herë të fundit kontradiktat e shoqërisë, vendimet e të cilës mbahen mend gjatë dhe me drejtësinë nuk ka tratativa. Është pikërisht ligji ai që e bën njeriun të ngrejë kokën.

Është ligji që i jep njerëzve sigurinë që ata nuk mund ta kenë në mënyrë tjetër. Ai mbron familjen dhe çdo grupim tjetër social.

“Është e lehtë të jesh i mirë por s’është aq e lehtë të jesh i drejtë”.
Drejtësia është një kosto që duhet paguar me çdo kusht.

Ditën e sotme nuk e konsideroj ditë feste të arritjeve. Megjithatë problematika e organeve të drejtësisë nuk duhet parë si pengesë për të ardhmen por duhet parë si objektiv për tu realizuar sa më shpejt.

Rritja e transparencës dhe eksesit në gjykata si dhe rritja e profesionalizimit të gjyqtarëve është punë që duhet fituar.

Kjo ditë duhet të kthehet në ditë edukative për nxënësit dhe studentët të cilët bëjnë shumë pak drejtësi nëpër shkolla.

Sot nxënësve duhet tu flitet për sistemin e drejtësisë dhe kjo jo vetëm do të rriste dijen por do të shërbente në rritjen e besimit të njerëzve te drejtësia.

Shpeshherë thuhet që politika e keqe sjell një drejtësi të keqe. Por unë mendoj se është e kundërta.

Unë si president nuk jam patriarku i drejtësisë por jam i dëshiruar për drejtësi ashtu si çdo qytetar. Kam bindjen se drejtësia shqiptare ka njerëz profesionistë që duhen motivuar.

Institucionet e këtij sistemi duhet të luajnë rolin aktiv që të forcohet besimi i qytetarëve te shteti i së drejtës.

Mesazhi im: Drejtësia është imazhi më i qartë i shtetit të së drejtës, ajo të cilës ja vlen të luftosh.
Dua të mbyll fjalimin tim me një thënien “Drejtësia të triumfojë edhe sikur bota të shembet”.