Kuvendi miraton ndryshimet në qeveri. Beja dhe Godo, ministrat e rinj
Në seancën e sotme të Kuvendit, i cili është edhe i fundit për këtë sesion parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë votoi dekretin e presidentit për ndryshimet e fundit të kabinetit të qeverisë ndërsa priten të votohen edhe dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kuvendi votoi me 84 vota pro dhe 30 vota kundër shkarkimin e Genc Pollos nga posti i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe miratimin e tij në postin e zv/kryeministrit me 78 vota pro dhe 47 vota kundër.
Po kështu kuvendi miratoi me 81 vota pro emërimin e Fatos Bejës në postin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Ndërkohë është shkarkuar nga posti i ministrit të Shëndetësisë me 74 vota pro dhe 43 vota kundër Nard Ndoka. Në vend të Ndokës, shumica e deputetëve në parlament votuan pro emërimit të Anlia Godos në postin e ministrisë së Shëndetësisë me 79 vota pro dhe 45 vota kundër. Dekretet e presidentit per ndryshimet me te fundit ne qeveri jane miratuar pa debate nga deputetet.
