Faqja e Pare | Shqiperia | Nis dialogu për Referendumin dhe Kushtetutën. Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës

Nis dialogu për Referendumin dhe Kushtetutën. Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës

image

 Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës zhvilloi sot një takim madhështor në formë dialogu me qytetarët e Elbasanit në teatrin “Skampa”. Në këtë takim ishin të pranishëm Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës z.Artur Zheji, analisti i njohur dhe anëtar i këtij Komiteti të Mbrojtjes së Kushtetutës, z.Andrea Stefani, kryetari i LSI, z.Ilir Meta dhe Kryetari i PAD, z.Neritan Ceka dhe sekretari politik i PDS-së, z.Artur Duçkollari. Në takim merrnin pjesë edhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë të qytetit të Elbasanit.

Në këtë takim që mund të konsiderohet si nisja e një dialogu mbarëkombëtar për Kushtetutën dhe Referendumin, foli Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, z.Artur Zheji. Ai kundërshtoi përqendrimin e pushtetit në duart e një grupi, i cili çuditërisht është një grup bipolar, i kryesuar nga njëra anë nga Sali Berisha dhe një grup tjetër suprizë i kryesuar nga z.Rama dhe ca të tjerë të cilët po bëjnë ca marrëveshje që na çuan në këto ndryshime kushtetutore, që u votuan prej një mazhorance të sforcuar parlamentare. Kjo qeveri, tha Zheji, mori mandatin e saj qeverisës në emër të reformave të mëdha, luftës kundër korrupsionit, rritjen e mirëqënies sociale etj, por tashmë kjo Qeveri ka dështuar përfundimisht. Dështimi i kësaj qeverie ndodhi në Gërdec, në një tragjedi të frikshme ku në mënyrë ilegale gjithë rezervat e ushtrisë shqiptare u përqendruan në një fshat jo shumë larg Tiranës. Kjo është një situatë anormale sepse Kushtetuta është dëmtuar në pjesën më jetike të saj. Ndaj ne themi se e vetmja mënyrë për të korrigjuar këtë krim të madh kundër Kushtetutës është nëpërmjet sovranitetit që ka populli për t’u shprehur. Prandaj ne si popull duam të drejtën për tu shprehur për të shpëtuar kushtetutën tonë. Sepse Referendumi është një nocion politik dhe një shprehje politike e demokracisë direkte, është një moment emancipues i mirëpritur në Shqipëri dhe në momente dramatike, kur rrezikohej e drejta themelore e lirisë së shqiptarëve. Ju kujtoj referendumin për Kushtetutën në vitin 1994, ku populli shqiptar diti të shprehet dhe ti thoshte ndal tendencës autoritariste të qeverisjes së asaj kohe, tha Zheji.

Ndërkaq duke marrë fjalë në këtë takim dialogues me popullin, Andrea Stefani u shpreh se Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk është ashtu sikurse përflitet në media të ndryshme apo në qarqet e mbyllura të politikës sonë, por ky Komitet është një bashkim qytetarësh, gazetarësh, politikanësh, juristësh, njerëz të profesioneve të ndryshme, të gjithë në pozicionin qytetar dhe me shqetësimin qytetar për rrezikimin e demokracisë nga një ndryshim i beftë, jotransparent dhe i errët i dokumentit më të shenjtë të qytetarëve dhe demokracisë, Kushtetutës së Republikës. Eshtë për ta ardhur keq që nuk është Partia Demokratike sot që mbron këto ndryshime, por e kundërta ndodh sepse janë deputetët e kapur të Partisë Socialiste të cilët të vënë nën presion dalin sot para opinionit publik duke mbrojtur këto ndryshime kushtetuese. Eshtë humbje për demokracinë shqiptare, sepse ajo me këto ndryshime të bëra nuk do të zgjedhë nesër një President që i përket të gjithëve, por do të jetë e prirur të zgjedhë një President që është i mazhorancës së radhës, theksoi Stefani.

Gjatë fjalës së tij në Elbasan, lideri i LSI, z.Ilir Meta shprehu dhe njëherë vullnetin e LSI për realizimin e referendumit, në mënyrë që të njihet e drejta e popullit të që të shprehet për Kushtetutën. Ashtu sikurse është shprehur 10 vjet më parë për të miratuar atë Kushtetutë, ku Sali Berisha ishte kundër, të miratuar me votë plebishitare përmes një procesi tepër demokratik dhe transparent. Kushtetuta për ne mbetet në plan të parë, tha Meta, jo si një çështje e një partie, apo disa partive, por si një çështje e gjithë qytetarëve shqiptarë, sepse për miratimin e saj janë shprehur gjithë shqiptarët.

Në këtë takim foli dhe Neritan Ceka, i cili theksoi se “ne nuk mund të pranojnë dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 Prillit, sepse për ne parimi i ndarjes së pushteteve është i shenjtë, është jetik, është vetë vija ndarëse midis demokracisë dhe diktaturës.
Ne kurrë nuk të pranojmë që Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti si përfaqësues i unitetit të popullit, gjykatat dhe institucionet kushtetuese, të kontrollohen rreptësisht nga Kryeministri sikurse ai bën me partinë e tij”.