24 ore lajme: Ambasada SHBA: Qeveria amerikane asnjë kontratë çarmatimi me Tiranën Ambasada SHBA: Qeveria amerikane asnjë kontratë çarmatimi me Tiranën ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 17 March, 2008 11:58:00 “Do të donim të qartësonim se Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për çmontimin e municioneve në këtë bazë magazinimi” deklarohet ne nje deklarate zyrtare nga Ambasada Amerikane. Në këtë deklaratë theksohet se “megjithëse Qeveria e ShBA-se ka bashkëpunuar më parë në mënyrë të suksesshme me Ministrinë e Mbrojtjes për një sërë projektesh shkatërrimi armësh, aktualisht nuk ka projekte të tilla të përbashkëta në Shqipëri”. Më tej Ambasada Amerikane thekson se “Me sa kuptojmë nga një deklaratë qeveritare e datës 15 mars, Qeveria e Shqipërisë kishte kontraktuar me një kompani private amerikane, Southern Ammunition Company, Inc. (SACI) nga Karolina e Jugut, për të ndihmuar për çmontimin e municioneve në këtë depo. Kontrata nuk financohet nga Qeveria e Sh.B.A”. Gjithashtu ne kete deklarate Ambasada e ShBA-se I përcjell ngushëllimet e sinqerta dhe mbështetjen e saj popullit shqiptar, veçanërisht viktimave, familjeve të tyre dhe atyre që janë prekur drejtpërdrejt nga tragjedia e së shtunës në Gërdec. “Amabasada e ShBA-se ka dhënë ndihmën e saj që nga koha e shpërthimit. Konkretisht ajo ka deklaruar se “Brenda tre orëve nga shpërthimi, Ambasada siguroi për qendrën e trajtimit të traumave në spitalin ushtarak medikamente me vlerë 1.000 dollarë, të blera me fondet e USAID-it. Ekspertë amerikanë për menaxhimin e krizave pranë Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë së Sh.B.A. dhe Flotës së Sh.B.A. janë duke u konsultuar nga afër Qendrën e Menaxhimit të Krizës në Ministrinë e Brendshme. Një skuadër me dhjetë anëtarë, në pension, të Forcave Speciale të Ushtrisë së Sh.B.A. me përvojë të gjerë në shkatërrimin e municioneve shpërthyese dhe në mbështetje për emergjenca mjekësore dhe operacionale ofruan ndihmë për Ministrinë e Mbrojtjes në vendin e shpërthimit, duke mbështetur ngritjen e Qendrës Operacionale, qendrës së medias dhe spitalit fushor, si dhe duke ndihmuar në bashkërendimin e operacioneve në vend. Komanda Europiane ka ngarkuar pjesën e saj të flotës që të dërgojë një skuadër vlerësimi me ekspertë mjaft të trainuar në shkatërrimin e armëve që të përcaktojnë çfarë ndihme të mëtejshme mund të ofrohet. Po konsultohemi me Qeverinë e Shqipërisë se çfarë ndihme shtesë mund të nevojitet dhe do të përpiqemi të ofrojmë ndihmë shtesë sipas kërkesave” thuhet në deklaratë.