Berat, atentat policit në derën e shtëpisë
Një efektiv i policisë së Beratit i ka shpëtuar mrekullisht një atentati mesnatën ndërmjet të enjtes dhe të premtes teksa po dilte nga shtëpia e tij. Astrit Pirja ka dalë nga porta e shtëpisë por në atë moment është përballur me katër të shtëna armësh si dhe predhat që kanë rënë pranë tij. Për fat të mirë, ai është hedhur në një kanal aty pranë duke arritur që të shpëtojë vetëm me një plumb në krah, por pa rrezik për jetën. Kolegët e tij kanë nisur hetimet duke ngritur edhe dy pistat e para. Njëra ka të bëjë me detyrën e tij si efektiv policie dhe çështjet që ka hetuar ndërsa tjetra ka të bëjë me ndonjë konflikt personal që mund të ketë pasur kohët e fundit 38-vjeçari.
Burimet nga vendi i ngjarjes pohuan se rreth mesnatës së mbrëmshme efektivi i policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, 38-vjeçari Astrit Pirja, është qëlluar me armë zjarri përpara portës së shtëpisë së tij. Ai sapo kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në komisariat pasi ishte me shërbim në turnin e natës. Familjarët e tij pohuan se ai kishte dalë nga shtëpia dhe sapo kishte mbyllur derën e jashtme. Astrit Pirja po i drejtohej makinës së tij tip "Fiat Punto" me targa "BR 4225 A" kur ka dëgjuar disa krisma pistolete. "Astriti kishte njërën dorë në derën e makinës dhe po tentonte që ta hapte atë kur e kanë qëlluar me armë. Një prej plumbave e ka prekur në krahun e majtë. Menjëherë ai është larguar nga makina për t'iu shmangur sulmeve të tjera. Astriti ka mundur që të bëjë disa hapa e më pas të hidhet në një kanal që ndodhet pranë shtëpisë sonë. Fatmirësisht ai ka marrë vetëm një plumb në krah",- thanë dje të afërmit e tij, të cilët sapo e kishin takuar në dhomën e spitalit ku po kurohet.
Vetëm pak minuta më pas, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur kolegët e të plagosurit. Astrit Pirja është dërguar me urgjencë në spital ndërsa hetuesit kanë izoluar vendin e ngjarjes. Sipas burimeve të grupit hetimor, Pirja është qëlluar me një pistoletë tip TT. Atentatori ka shkrepur armën katër herë por vetëm një nga predhat ka prekur efektivin e policisë. "Ai ka qëndruar i fshehur në kanalin e ujit deri sa personi që e ka qëlluar është larguar. Për shkak të errësirës ai nuk ka mundur që të identifikojë atentatorin",- thanë dje hetuesit. Ekspertët balistikë kanë gjetur dy prej predhave në kroskotin e makinës. Hetuesit shpjeguan se deklarimet e dhëna nga kolegu i tyre kanë qenë shumë të pakta dhe nuk kanë ndihmuar shumë në hetimin e ngjarjes. Pistat e para hetimore kanë të bëjnë me një atentat në lidhje me detyrën e tij ose me ndonjë konflikt personal që mund të ketë pasur polici 38-vjeçar. Ndërkohë burime nga spitali pohuanse efektivi i policisë Astrit Pirja ka marrë vetëm një plagë në krah, e cila ka qenë shumë pranë trupit. Ai ka marrë mjekimet e para dhe gjendja është jashtë rrezikut.
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj