24 ore lajme: Alarmi, në 2007 u trafikuan 80 fëmijë romë dhe 18 femra Alarmi, në 2007 u trafikuan 80 fëmijë romë dhe 18 femra ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 02 March, 2008 04:10:00 Komuniteti rom në zonën e Levanit në Fier, i cili jeton në varfëri totale është më i prekur nga fenomeni i trafikimit të fëmijëve dhe femrave në shkallë vendi. Rreth 80 fëmijë romë rezultojnë të jenë larguar nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të kaluar dhe të jenë shfrytëzuar si lypës në Fier, Vlorë e rrethe të tjera të vendit tonë, madje dhe në Greqi e Itali. Ndërkohë, janë trafikuar dhe 18 femra të këtij komuniteti, të cilat shfrytëzohen për prostitucion jashtë kufijve, kryesisht në Greqi dhe Itali. Ka qenë Sektori i Luftës Kundër Trafiqeve të qenieve njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit si dhe shoqata rome “Amarodrom”, që kanë bërë publike këto shifra tronditëse për 2007-ën. “Ne kemi një shifër të madhe dhe alarmante të trafikimit të qenieve njerëzore. 80 fëmijë janë lypës dhe kjo shifër tronditëse na obligon ne që t’i bëjmë apel pushtetit vendor që të marrë masa”, - ka thënë kreu i shoqatës “Amarodrom” në Levan, Refit Dule. Ndërkohë, ai sugjeron dhe mënyrat dhe mundësitë që shteti duhet të përdorë për t’u ardhur në ndihmë familjeve rome dhe fëmijëve të tyre që po shfrytëzohen nëpër rrugët e Shqipërisë dhe të Europës. “Ne kemi menduar si rrugë primare për të minimizuar këtë fenomen, që të krijohen salla të veçanta për fëmijë, që ata të luajnë dhe të argëtohen në mënyrë që të largohen nga rruga e madhe. Kjo duhet të realizohet nga shteti, pasi shoqata është e pafuqishme që të realizojë projekte të ndryshme për t’u ardhur në ndihmë familjeve, të cilave u janë trafikuar fëmijët e mitur dhe vajzat e tyre”, - pohon Dule, duke shtuar se gjithçka ka ardhur për shkak të kushteve mizerabël në të cilat jeton komuniteti rom i zonës së Levanit. Gjithashtu, ai sqaron se janë evidentuar me emra familjet me fëmijë e femra të trafikuara, të cilat për shkak të mjerimit nuk kanë bërë denoncim në polici.