24 ore lajme: KLD zgjedh kreun e Gjykatës së Tiranës. Alibeaj: U shkel ligji KLD zgjedh kreun e Gjykatës së Tiranës. Alibeaj: U shkel ligji ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 08 July, 2009 05:30:00 KLD i është përgjigjur ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj pas përplasjeve për zgjedhjen e kreut të Gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli. Këshilli i Lartë i Drejtësisë deklaron se Zeneli është zgjedhur me shumicë votash. Përpos pretendimeve të Alibeajt se Zaneli nuk ka eksperiencë, KLD deklaron se përvoja e tij në fushën e gjyqësorit është 8-vjecare. “Gjyqtari Zeneli ripërfshihet në sistemin gjyqësor pas një periudhe shkëputje prej ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, detyrë të cilën ai e ka ushtruar për 8 (tetë) vjet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Krujë dhe Tiranë; duke sqaruar se në gjykatën e kryeqytetit, ai ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryetarit për periudhën 1993 – 1995” thuhet në deklaratën e KLD-së. KLD zgjedh kreun e Gjykatës së Tiranës. Kundërshton Alibeaj: Procesi fars Ora: 15:32- Përplasje në mbledhjen e sotme të KLD-së, për zgjedhjen e kreut të gjykatës së shkallës së parë të Tiranës. Artan Zeneli është zgjedhur tashmë kreu i kësaj gjykate por kjo është kundërshtuar nga ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Menjëherë pas mbledhjes, Alibeaj ka dalë në një konferencë shtypi përmes së cilës e ka konsideruar farsë procesin e sotëm për zgjedhjen e kreut të gjykatës së Tiranës. Ai tha se ky vendim ishte i paramenduar dhe se është shkelur ligji për emërimin e gjyqtarëve. Alibeaj theksoi se Artan Zeneli është zgjedhur gjyqtar në gjykatën e Tiranës vetëm një javë më parë, ndërsa sipas ligjit duhet të ketë të paktën 4 vjet eksperiencë. I pranishëm në mbledhje ishte dhe kreu i KLD, presidenti i vendit, Bamir Topi.