Dosja e Prokurorise per Mediun me 800 faqe
Kryeprokurorja Ina Rama nuk ka vonuar t’i vërë në dispozicion Komisionit të Mandateve në Kuvend, gjithçka që kishin kërkuar në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “U kemi dërguar gjithçka që ata kishin renditur në kërkesën e tyre të dorëzuar një javë më parë”, - është shprehur për gazetën zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Olta Zhiti. Bëhet e ditur se dosja që i është dërguar Komisionit të Mandateve ishte voluminoze me rreth 800 faqe, pasi ligji nuk parashikon ruajtjen e sekretit hetimor ndaj Kuvendit. Ndërkohë, gazeta ka mundur të mësojë disa prej provave dhe dokumenteve, në bazë të të cilave, grupi i hetimit për tragjedinë e Gërdecit ka vendosur të kërkojë heqjen e imunitetit ndaj Fatmir Mediut, pasi ky i fundit duhet të hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Në dosje janë përmbledhur edhe deklarata e shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, si dhe të ushtarakëve të tjerë të lartë, Shpëtim Spahiut, Shkëlzen Madanit, Zija Brahjas etj.
Provat
Në krye të fashikullit që i është dërguar Kuvendit, kryeprokurorja Ina Rama ka renditur projektvendimin e Ministrisë së Mbrojtjes, datë 12.02.2007, dërguar për miratim qeverisë, ku specifikonte drejtpërdrejtë firmën amerikane SAC për demontimin e municioneve. Ky projektvendim, sipas burimeve pranë organit të akuzës, ka shënuar një ndër veprimet e para të Mediut, jo vetëm në favorizimin e firmës SAC, por edhe në marrjen e urdhrave të tjerë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e Ministrisë së Mbrojtjes. Më pas në morinë e dokumenteve, organi i akuzës ka renditur memo-n e projekt-urdhrit nr.550 të firmosur më pas nga Fatmir Mediu, i cili ka legjitimuar aktivitetin e demontimit të municioneve në Gërdec, urdhër i cili ka anashkaluar dhe nënvleftësuar struktura të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mjaft rregulla të këtij dikasteri për aktivitetin e magazinimit dhe demontimit të municioneve. Më pas, në dosje janë renditur një mori rregulloresh; për ruajtjen e jetës në Forcat e Armatosura, për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacionit për veprimtarinë e import-eksportit të materialeve ushtarake, licencimin e depove të municionit etj. Përmbajtja e këtyre rregulloreve bie ndesh me pikat e urdhrit nr.550, të firmosur nga Mediu. Gjithashtu, në dosje është futur edhe memo-ja e Shtabit të Përgjithshëm, që refuzonte repartin e Bërzhitës për demontimin e municioneve. Urdhrat e Mediut që përcaktonin mënyrën dhe subjektin që bënte transportin e municioneve drejt Gërdecit, janë renditur gjithashtu në dosjen e dërguar Kuvendit. Për sa i përket shmangies së reparteve ushtarake që janë të specializuara për demontim, kryeprokurorja Ina Rama ka futur në dosje edhe kontratën e “Alba-Demil” me uzinën e Gramshit, për demontimin e municioneve të kalibrit të madh.
Burime zyrtare pranë Kuvendit bënë të ditur për GSH, se për shkak se dosja në fjalë përmban shumë sekrete hetimor lidhur me tragjedinë e Gërdecit, publikimi i saj do të ndikonte negativisht në procesin hetimor të hapur për këtë çështje. Është edhe kjo arsyeja që sipas administratës së Kuvendit, kushdo që do e bënte atë publike do të ndiqej penalisht. “Prokuroria e ka shoqëruar me një shkresë të veçantë raportin me dokumentet shtesë të kërkuar nga Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit. Me anë të kësaj shkrese, Prokuroria e ndalon administratën e Kuvendit t’ia servirë atë medias, pasi kjo do të përbënte një nxjerrje të sekretit hetimor. Në rast të kundër, organi i akuzës paralajmëron se kushdo që e bën atë publike do të ndiqet penalisht”, - sqaruan për GSH burime zyrtare pranë administratës së Kuvendit.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | ||||||
| 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 |
| 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 |
| 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 |
| 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 |
| 30 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj