24 ore lajme: Prokuroria i ka gati dokumentat shtese per imunitetin e Mediut Prokuroria i ka gati dokumentat shtese per imunitetin e Mediut ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 10 May, 2008 01:50:00 Burime nga prokuroria kanë bërë të ditur se janë duke përgatitur dokumentacionin shtesë të kërkuar nga Kuvendi lidhur me heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Mësohet se dokumentet do të dërgohen në Kuvend pas disa ditësh, dokumente të cilat do ti bashkëngjiten kërkesës së bërë para disa ditësh për heqjen e imunitetit nga Kuvendi. Këshilli për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin është mbledhur në datën 28 prill për të diskutuar çështjen për heqjen e imunitetit të Mediut, sipas kërkesës së prokurorisë, por mbledhja nuk ka zgjatur as 10 minuta, për mungesë dokumentacioni. Arjan Madhi, anëtar i këshillit të PR-së ka kërkuar që kërkesa e prokurorisë të shoqërohej dhe me dokumentet përkatëse ashtu siç e kërkon ligji. “Ligji e shpreh në mënyrë eksplicite, së përveç këreksës duhen edhe dokumente shoqëruese. Ne po e mbajmë kërkesën por procedurat nuk do të fillojnë derisa prokuroria të sjelli materialin e kërkuar”- tha Madhi. Akuzat mbi Mediun Mbi Mediun rëndojnë disa akuza. Kështu sipas Organit të Akuzës ai ka shmangur forcat e armatosura nga garantimi i sigurisë dhe nga mbikëqyrja e punës në Gërdec në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Ministrave. Është bërë përzgjedhje e gabuar për vendin e demontimit që ka ardhur në kundërshtim me rregulloret e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat kërkojnë licencim për vendndodhjen e depove ku kryhet demontimi. Është lejuar demontimi i kalibrit të madh të municioneve ndërkohë që ligji lejon vetëm demontimin e municioneve të vogla. Është lejuar leja e eksportit për dy kompanitë, SAC dhe Albademil, ndërkohë që rregullorja thotë se kompani të palicencuara nuk mund ta bënin këtë gjë. Së fundi Mediu sipas kryeprokurores nuk ka iniciuar nxjerrjen e akteve ligjore për eksport importin e mallrave ushtarake.