24 ore lajme: Pronari i Kompanisë“Southern Amunition Company Inc”, Partick Henry, flet për tragjedinë e Gërdecit Pronari i Kompanisë“Southern Amunition Company Inc”, Partick Henry, flet për tragjedinë e Gërdecit ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 31 March, 2008 05:25:00 Pronari i kompanisë “Southern Amunition Company Inc”, Patrick Henry ka komentuar për mediat amerikane shpërthimin e Gërdecit, duke pohuar se ishte drejtori i MEICO-s - Ylli Pinari, ai që e detyroi të punonte me Delijorgjin. Madje ai ka hedhur dyshime se një pjese e municioneve që janë dërguar për demontim ne Gërdec mund te jene shitur më pas tek firma AEY, duke u dërguar ne Afganistan. Henry ka pohuar se ka qenë në Shqipëri një javë para shpërthimit dhe se nuk ishte në dijeni të punëtoreve të pakualifikuar që bënin demontimin e municioneve. Ai ka shpjeguar se kishte ardhur në Shqipëri për të marrë pajisjet e tij, të cilat ia kishin bllokuar dhe i përdorte Delijorgji për demontimin e predhave të ushtrisë, qe sollën edhe tragjedinë e 15 marsit. “Në kohen kur ndodhi shpërthimin ne nuk ishim përfshirë në asgjë që kishte lidhje me Shqipërinë dhe me Gërdecin. Kontrata jonë mbaroi në dhjetor 2007 dhe me datë 8 të atij muaji të gjithë punonjësit tanë u kthyen ne shtëpi”, ka thënë Patrik Henry. Sipas Henry-t, firma e tij furnizoi fabrikën me pajisje dhe supervizoreë përkatës, por pjesën më të madhe të punës ia dha kompanisë shqiptare “Alba Demil”, në pronësi të Mihal Delijorgjit. "Unë nuk dija asgjë për personelin e patrajnuar që punonte në fabrikë. Ata nuk po punonin për kontratën e "Southern Ammunition". "Alba Demil" kishte një kontratë tjetër, të ndarë nga e para, për demontimin e predhave të kalibrit të madh", ka shpjeguar Patrick Henry. Ky lloj pune iu sjell tregtarëve miliarda dollarë fitime, si në tregun e ligjshëm, ashtu edhe në tregun e zi, dhe, bëhet kryesisht në vendet ish-komuniste, të cilat janë të gatshme të heqin qafe municionet e vjetra ushtarake. Pjesa më e madhe e kësaj pune, përfshirë edhe atë që ka bërë në Shqipëri "Southern Ammunition", bëhet pa u marrë vesh nga publiku. Por ajo që ndodhi me 15 mars në Shqipëri, do të bëjë që asnjë nga këto punë, në çfarëdolloj vendi të botës, të mos kalojë pa u mësuar. "Menjëherë pas ngjarjes telefoni im nuk ka pushuar së rëni. Të gjithë donin të flisnin me mua, të gjitha mediat", tregon Patrick Henry. Jo gjithçka që ka deklaruar pronari i firmës amerikane "Southern Ammunition", Patrick Henry, është absolutisht e vërtetë. Ky është vetëm versioni i tij i historisë pasi hetimet në Shqipëri kanë treguar se "Southern Ammunition" ishte ortake me "Alba Demil".