24 ore lajme: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 08 March, 2008 11:29:00 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka vizituar sot Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës, me ç’rast kryetari i kësaj shoqate, Iliaz Kurteshi, e ka informuar kryeministri Thaçi për gjendjen e kategorisë së pensionistëve dhe aktivitetet e ndërmarra për të përmirësuar pozitën e kësaj kategorie të merituar të shoqërisë kosovare. Kryeministri Thaçi fillimisht ka shprehur konsideratën e tij të lartë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për kontributin shumëvjeçar të pensionistëve për ndërtimin e vendit, duke potencuar se kontributi i pensionistëve ka qenë gjithnjë në shërbim të vendit, të shtetit, të rendit demokratik dhe të zhvillimit ekonomik. Z. Thaçi iu ka uruar pensionistëve shpalljen e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës, duke u shprehur atyre mirënjohje të lartë për krejt atë që kanë bërë gjatë këtyre viteve dhe për djersën e derdhur për të mirën e shoqërisë kosovare. “Siç e dini, ne, më herët, kemi nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit, prandaj sot jam këtu që të rishpreh edhe njëherë përkushtimin tim, se në tërësi do ta respektoj këtë marrëveshje dhe bashkërisht do ta implementojmë atë”, është shprehur kryeministri Thaçi. Kryeministri me këtë rast ka konfirmuar se Ligji për Pensionistët është në përfundim e sipër. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë ai, do ta përfundojë këtë ligj sa më shpejt, me ç’rast do ta bëhet edhe kategorizimi i pensionistëve në kontributdhënës dhe atyre që këtë të drejtë e fitojnë sipas moshës. Po kështu kryeministri ka theksuar se ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë që të gjitha barnat esenciale të jenë falas për pensionistët, ndërsa nga Ministria e Transportit ka kërkuar që të zbatojë lirimin e transportit publik të pensionistëve për 50%. “Sipas marrëveshjes, kam marrë vendim që nga java e ardhshme të hapet Zyra e Pensionistëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, të cilën do ta udhëheqë përfaqësuesi i pensionistëve”, ka bërë të ditur kryeministri në takimin e sotëm në Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës. Në fund duke shprehur zotimin se do të angazhohet në vazhdimësi për mirëqenien e pensionistëve, z. Thaçi ka thënë se ekziston vullneti i mirë i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar për të mirën e pensionistëve, sepse shteti demokratik e i pavarur i Kosovës është edhe meritë e pakontestueshme e pensionistëve, në shenjë të së cilës ua ka dhuruar flamurin e ri të Republikës së Kosovës.