Kryeministri Hashim Thaçi: Askush nuk do të mund ta blejë, as ta heshtë korrupsionin
Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri z.Hashim Thaçi, në mbledhjen e 13-të ka diskutuar për situatën energjetike, përgatitjet për Konferencën e Donatorëve, si dhe ka formuar komisionin për shënimin e vijës kufitare me Maqedoninë.
Në krye të Komisionit për shënimin e vijës kufitare, u emërua Bekim Çollaku, këshilltar i lartë i kryeministrit Hashim Thaçi, ndërsa anëtarë të këtij komision janë emëruar: Asllan Pushka, Behar Selimi, Murat Meha dhe Xhafer Tahiri.
Në vazhdim, kryeministri Thaçi e njoftoi kabinetin qeveritar për masat që janë marrë për përmirësimin e gjendjes elektroenergjetike, në vend pas shpalljes së saj si krizë nacionale. Kryeministri ka thënë se masat që ka ndërmarrë Ministria e Energjisë dhe Minierave kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e energjisë, por ende mbetet që të punohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Në bazë të propozimit të Ministrisë së Shërbimeve Publike (MSHP), Qeveria ka marrë vendim për personelin akademik në Universitetin e Prishtinës, që ka mbushur moshën 65 vjeçare, t’i vazhdohet kontrata e punës deri në përfundimin e vitit akademik.
Qeveria ka marrë vendim që në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të Kosovës të fillojë procesi i gradimit dhe i licencimit të mësimdhënësve. Procesit të gradimit dhe të licencimit do t’i nënshtrohen të gjithë mësimdhënësit e institucioneve të arsimit parauniversitar, të cilët nga ky proces do të përfitojnë shtesa në pagë dhe përparime në karrierë. Gjithashtu, parashihet formimi i një komisioni ndërministror, me pjesëmarrje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave për të përcaktuar efektet financiare të procesit dhe masat për zbatimin e këtij vendimi. Për këtë qëllim do të krijohet Agjencia për Licencim dhe Akreditim.
Qeveria i ka dhënë dritën jeshile rekomandimit të Zyrës për Qeverisje të Mirë (ZKM) për emërimin e anëtarëve të Grupit punues ndërministror kundër korrupsionit. Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kryeministri Thaçi ka thënë se moto e Qeverisë së Kosovës është: “zero tolerancë korrupsionit, kontrabandës dhe krimit, kudo dhe kurdoherë që paraqitet”.
Korrupsioni vazhdon të paraqitet si realitet në përmasa alarmante jo vetëm në Aeroportin e Prishtinës, por edhe në KEK dhe PTK. Nuk do të jetë askush mbi rendin, ligjin dhe drejtësinë. Askush nuk do të mund ta blejë dhe as ta heshtë korrupsionin, - ka theksuar kryeministri i Qeverisë së Kosovës z. Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit. Luftën kundër korrupsionit e ka cilësuar patriotizëm të qytetarëve.
Konstituimi i Grupit punues ndërministror kundër korrupsionit do të bëhet gjatë ditëve të ardhshme.
Qeveria ka shqyrtuar gjendjen e borxheve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës dhe i ka dhënë përkrahje në angazhimet për mbledhjen e taksave, sipas normave ligjore që janë në fuqi. Sipas të dhënave të MEF-it, shuma e borxheve në emër të tatimeve për vitet 2002- 2004, arrin në 261 milion euro. Qeveria ka konstatuar se tatimet janë bazë e funksionit të shtetit tonë.
Lidhur me kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për shtimin e numrit të të punësuarve, Qeveria ka vlerësuar se kjo aktualisht nuk është e mundur. Qeveria ka rekomanduar që kjo çështje të rregullohet përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të MBPZHR dhe MEF-it.
Kabineti qeveritar sot ka diskutuar Projektligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, të sponzoruar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve (MKRS). Qeveria ka propozuar që projektligji të plotësohet me vërejtje dhe sugjerime nga diskutimet, dhe pastaj të miratohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë.
Në përfundim të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Thaçi, duke folur lidhur me statusin e shërbyesve civilë, ka thënë se shërbimi civil është i paprekshëm, por paaftësia, injoranca dhe bllokadat me të cilat ballafaqohemi, duhet kapërcyer. Duhet tejkaluar edhe politizimet që janë paraqitur.
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj