24 ore lajme: Aksident me pasoje vdekje ne Vushtri Aksident me pasoje vdekje ne Vushtri ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 02 March, 2008 04:28:00 Rreth orës 17:15min, autoritetet policore të stacionit Vushtrri, së bashku me njësitë e trafikut rajonal të Mitrovicës, i janë përgjigjur një aksidenti të rëndë në trafik, që ka rezultuar me fatalitet. Aksidenti është raportuar të ketë ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Pestovë, ku kanë qenë të përfshira një veturë civile e tipit “Fiat Bravo” dhe një këmbësore 17 vjeçare, banore e Vushtrrisë. Aksidenti është shkaktuar në kohën kur automjeti po qarkullonte nga drejtimi i Mitrovicës në drejtim të Prishtinës, godet viktimën e cila në atë moment në grup me katër persona të tjerë po kalonin rrugën nga ana e majtë në të djathtë të magjistrales. Viktima është transportuar urgjentisht në QKUK Prishtinë. Në bazë të raportit të mjekut kujdestar i cili ka konfirmuar vdekjen e viktimës, mësohet se viktima është sjellë në QKUK, pa shenja jete. Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, është njoftuar dhe ka dalë në vend të ngjarjes. Drejtuesi i automjetit, një 27 vjeçar, është arrestuar nga policia dhe ndaj tij është caktuar ndalimi policor për hetime të mëtejme lidhur me rastin. Hetuesit policor të trafikut rajonal të SHPK-së, janë duke zhvilluar hetimet për të përcaktuar shkaktarin e këtij aksidenti.