24 ore lajme: Theren me thika dy nxenes te shkolles se mesme ne Prishtine Theren me thika dy nxenes te shkolles se mesme ne Prishtine ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 07 May, 2008 04:33:00 Dy nxënës të moshës 17 dhe 18 vjeçare të shkollës së mesme “Gjin Gazulli” në Prishtinë janë plagosur me mjete të mprehta. Shërbimi Policor i Kosovës është njoftuar për këtë rast dhe ka dal ne vendin e ngjarjes, ndërsa, nxënësit e plagosur menjëherë janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku është mësuar se jeta e tyre nuk është në rrezik. Policia ka njoftuar përmes një komunikate se të dyshimtit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe deri tani nuk është arrestuar ndonjëri nga ta edhe pse hetuesit e SHPK-se nga stacioni Policor Veriu kanë arsye të besojnë se shumë shpejt ky rast do të ndriçohet. Derisa vitin e kaluar kjo ishte një dukuri mjaft shqetësuese për neve, dhe në atë kohe ne kishim punuar plane operative dhe i kishim vënë në zbatim në nivel të Kosovës, thotë SHPK-ja duke sqaruar se të involvuar ne zbatimin këtyre planeve ishin policia në komunitet, operativa dhe hetimet. Ky plan kishte ndikuar ne rritjen e sigurisë nëpër shkolla, ndërsa këtë vit është riformuluar dhe vazhdon edhe me tutje te jete aktiv, njofton SHPK. Para 6 javëve është formuar edhe një grup punues ndërministror i përbërë nga përfaqësues të MPB-së, MASHT-it, Ministrsë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Drejtësisë si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili do të punojë në hartimin e një Marrëveshjeje Mirëkuptimi, e cila do të jetë bazë për formimin e grupeve dhe nëngrupeve punuese, sipas fushave të caktuara për hartimin e strategjisë nacionale për parandalimin e sjelljeve asociale dhe delikuente. “Edhe pse SHPK-ja është vazhdimisht e përkushtuar që të ndikojë në ruajtjen e sigurisë në shkolla, kuvendet komunale janë përgjegjëse për sigurinë ne to”,thuhet në një komunikatë të policisë.