Autoritetet shqiptare hedhin poshte akuzat per perfshirje ne trafikun njerezor
Policia në Shqipëri ka bërë të ditur se në mes drejtuesve të ministrisë së brendshme dhe drejtuesve të organizatës joqeveritare "Poppy Project" me qendër në Britaninë e Madhe nuk është trajtuar asnjëherë problemi i trafikimit të femrave nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe.
Policia në deklaratë e konsideron si absurd numrin prej 30 mijë femrash shqiptare të trafikuara.
Këto reagime vijnë pasi organiza "Poppy Project " dha raportin para komisionit të brendshëm të parlamentit britanik në të cilin Shqiperia renditej ndër vendet e para per trafikimin e femrave.
Raporti në parlament
Segmente të zbatimit të ligjit në Shqipëri janë akuzuar se janë të përfshira në mënyrë aktive në trafikimin e grave që përfundojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në dëshmitë para Komisionit parlamentar të Punëve të Brendshme, dy përfaqesuese të organizatës joqeveritare Poppy Project thanë se Shqipëria zë një nga vendet e para nga ku trafikohen gratë për prostitucion në Mbretërinë e Bashkuar.
Ato po u përgjigjeshin pyetjeve të deputetëve në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore dhe bashkëpunimin e organizatave qeveritare dhe agjencive të tjera në luftën kundër tij.
Sipas kësaj organizate, Shqipëria radhitet mes vendeve ku nuk luftohet trafikimi i grave për prostitucion në Britaninë e Madhe. Përmenden edhe Kina, Uganda, Tailanda dhe Nigeria.
E pyetur për bashkëpunimin me autoritetet nga vendet nga buron trafikimi i grave dhe sa të gatshme janë ato për të bashkëpunuar në parandalimin e trafikimit, Anna Johannson përmendi Shqipërinë dhe Nigerinë si një nga vendet ku nuk pranohet se ka trafikim të grave, dhe nuk bëhet shumë për ta parandaluar:
"Unë mendoj që Shqipëria është një shembull shumë i mirë ku ne e dimë që ekziston një nivel i lartë korrupsioni, nga ajo që na thonë gratë, pasi kështu na vjen informacioni në këtë fazë, se ose segmente ligjore janë të përfishira aktivisht në trafikimin e tyre, ose ata e aprovojnë atë, ose marrin të holla për një gjë të tillë. Prandaj, mendoj që ky është një vend që duhet përmendur, por një gjë e tillë është vërtetë edhe për vendet e tjera. Për shembull, Nigeria ku, siç na tregojnë gratë, ka agjentë që i ndihmojnë gratë, të cilët janë në marrëdhënie shumë të mira me Komisionin e Lartë...
Njohin punonjësit atje dhe janë në gjendje që të lehtësojnë këtë proces. Gratë i përshkruajnë ata si "personi që më ndihmoi të vij në këtë vend, agjenti që më siguroi vizën, trafikanti që më plotësoi dokumentet", të cilët duket se dinë shumë mirë sesi të merren me dokumentet, nëse jo plotësisht të rregullta nga ana ligjore, në rregull aq sa për të kaluar kontrollin e pasaportave në Britaninë e Madhe," - tha përfaqësuesja e organizatës Poppy Project.
Ky organizëm është krijuar në vitin 2003 dhe financohet nga Zyra per Reformën në Kodin Penal për t'u ofruar strehim grave që janë trafikuar për prostitucion dhe bën fushatë për sensibilizimin e opinionit në lidhje me trafikun dhe parandalimin e prositucionit.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj