24 ore lajme: Shkëlzeni: ‘’Implikimi’’ im vetem nje takim me Trebicken Shkëlzeni: ‘’Implikimi’’ im vetem nje takim me Trebicken ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 20 March, 2008 02:35:00 Djali i kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni, në një deklaratë publike dje ka dhënë sqarime lidhur me akuzat për përfshirjen e tij në trafik armësh. “Gjatë verës, një miku im më kërkoi të prisja në takim një person të quajtur Kosta Trebicka për një shqetësim të këtij të fundit. Në vijim, në prani të mikut tim, për herë të parë dhe të fundit kam takuar z.Trebicka. Duke m’u prezantuar, zoti Trebicka më sqaroi se ishte pronar i një kompanie shqiptare që pretendonte të nënkontraktohej nga një kompani amerikane, e cila kishte kontratë me ministrinë e Mbrojtjes. Zoti Trebicka ngriti pretendimin se përfaqësuesi i kompanisë amerikane i kishte thënë atij se unë i kisha kërkuar kompanisë amerikane që të mos zgjidhte për nënkontraktor zotin Trebicka, por një kompani tjetër. Në prani të personit që e shoqëronte i thashë z.Trebicka se një gjë e tillë ishte e pavërtetë; se unë kurrë nuk e kisha njohur shtetasin amerikan për të cilin bëhej fjalë dhe se kurrë nuk i kam sugjeruar atij ose ndonjë tjetri lidhjen ose jo të kontratave në një sferë të tillë aktiviteti” sqaron Shkëlzen Berisha në letrën e tij publike. Djali i kryeministrit thotë në letër se i ka kërkuar zotit Trebicka që të takohet në një ballafaqim me shtetasin amerikan të cilit i referohej. “Z.trebicka më tha se ishte i bindur që bëhej fjalë për një spekulim dhe u largua pa organizuar kurrë një ballafaqim të tillë. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë kam takuar zotin Trebicka. E gjithë kjo bisedë është bërë në prani të personit i cili më kishte kërkuar një takim me zotin Trebicka” shkruan Shkëlzen Berisha në sqarimin e vet, duke kërkuar gjithashtu që media pa spekulime t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, ndërkohë që vetë djali i kryeministrit do të ndjekë hapat e tij ligjorë.