24 ore lajme: UNMIK-u merr në kontroll gjykatën në veri të Mitrovicës UNMIK-u merr në kontroll gjykatën në veri të Mitrovicës ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 17 March, 2008 09:36:00 Sot rreth orës 05:35, Policia e UNMIK-ut ka ndërhyrë në lokalet e Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në veri të Mitrovicës, e cila mbahej e okupuar në mënyrë ilegale, që nga 14 marsi 2008. Me këtë rast policia ka arrestuar 53 persona duke përfshirë edhe femra. Gjatë këtij operacioni nuk ka pasur përdorim të forcës. Të arrestuarit do të dërgohen në qendrat e mbajtjes, të cilat janë të lira nëpër Kosovë, njoftoi policia. Gjithnjë sipas njoftimit të policisë, rreth orës 07:30 një masë prej 200-300 protestuesish janë mbledhur afër ndërtesës së Gjykatës së Qarkut në veri te Mitrovicës dhe me këtë rast kanë hedhur gurë dhe koktej molotovi në drejtim të Policisë së UNMIK-ut, KFOR-it dhe automjeteve e tyre. Bëhet e ditur se dy automjete të KFOR-it dhe dy të tjera të UNMIK-ut janë dëmtuar, ndërsa rreth orës 08:10 ka ndodhur një eksplodim ku për pasojë janë plagosur tre policë të UNMIK-ut dhe dy ushtarë te KFOR-it. Pas sulmeve me mjete shpërthyese që dyshohet të jenë granata dore dhe armë zjarri, policia është urdhëruar që të tërhiqet nga veriu i Mitrovicës, ndërsa situatën e merr nën kontroll KFOR-i. Tërheqja e tyre bëhet për shkak të sigurisë, njofton përmes një komunikate policia.