Faqja e Pare | Kosova | Kermabon: EULEX-i do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës

Kermabon: EULEX-i do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Yves de Kermabon

Përparimet në sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë do të jenë prioritetet kryesore të misionit të EULEX-it, ka thënë shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon. Ai tha se misioni i tij do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun.

Misioni i EULEX-it do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, ka thënë sot shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon.

Këto komente, Kermabon i ka bërë pas takimeve që zhvilloi sot, në Prishtinë, me udhëheqësit më të lartë kosovarë. Pikësynim kryesor i misionit të tij në Kosovë, Kermabon tha se do të jetë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe garantimi i sundimit të ligjit si bazë e funksionimit të një shoqërie demokratike.

Ai premtoi përmirësimin e sundimit të rendit dhe ligjit, duke shprehur përkushtimin e tij që këtë do ta bëjë në partneritet të ngushtë me institucionet e Kosovës.

“Qëllimi im është që të punojmë në gjithë territorin e Kosovës. Misioni EULEX ka qëllim që të shpërndahet gjithandej në Kosovë dhe të punojë për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe komunitetet”, tha Kermabon.

Shefi i misionit civil e policor të Bashkimit Evropian tha se shpresonte që gjatë misionit të tij të ketë një rol kryesisht këshillëdhënës dhe nuk do të ketë nevojë të përdorë autorizimet e tij, që i mundësojnë dhe pushtet ekzekutiv, dhe ndërhyrje në vendimet e institucioneve të Kosovës, në çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Sa i përket vazhdimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, edhe pas fillimit të mandatit të EULEX-it, Kermabon tha se kjo nuk i përket atij që ta komentojë dhe se aktualisht po punon në vendosjen e EULEX-it në mbarë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se institucionet e Kosovës e kanë mirëpritur që moti misionin policor e gjyqësor të BE-së dhe premtoi bashkëpunim me këtë mision.

“Natyrisht që roli i misionit të ri (EULEX-it) do të jetë edhe mbikëqyrës, por edhe këshillëdhënës..., dhe natyrisht përkushtimet tona të vazhdueshme në betejën kundër dukurive negative, kundër korrupsionit, krimit të organizuar, në mënyrë që definitivisht të kemi institucione efektive, me përkushtimin më të lartë të zbatimit të kritereve demokratike, si perspektivë për ndërtimin e demokracisë, fillimin e zhvillimit ekonomik dhe hapjen e sigurt të rrugës për integrime në strukturat e BE-së dhe në NATO”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se e mirëpret rolin e BE-së në sundimin e ligjit, pasi që, sipas tij, edhe ashtu Kosova ka nevojë për më shumë përparime në këtë fushë.

“Ne e dimë që do të kemi vështirësi, si ne, ashtu edhe EULEX-i, në detyrat dhe obligimet që kemi. Por, besojmë dhe shpresojmë se EULEX-i do ta shtrijë ndikimin e vet në tërë hapësirën e Kosovës dhe sundimi i rendit e ligjit do të marrë hapësira të reja”, u shpreh Krasniqi.

Udhëheqësit kosovarë i kanë komentuar sot edhe tendencat e sërishme të Serbisë që t’i mbajë zgjedhjet e ardhshme edhe në territorin e Kosovës. Ata nuk dhanë ndonjë përgjigje të prerë apo vendim se si do të sillet Qeveria e Kosovës në këtë situatë, por, siç tha kryeministri Thaçi, gjithnjë duhet bërë dallimi ndërmjet Beogradit dhe serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Kosova është e pavarur; Serbia po ashtu është vend i pavarur. Ne do të investojmë që të kemi raporte të mira bashkëpunimi edhe me Serbinë, por gjithnjë duhet të bëjmë dallime në mes shtetit të Serbisë dhe qytetarëve shtetas të Serbisë”, theksoi Thaçi.

Ndryshe, Yves de Kermabon është njohës i mirë i rrethanave dhe zhvillimeve në Kosovë. Për një vit, ai ka qenë edhe komandant i KFOR-it në Kosovë.

 

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Korrik, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0