24 ore lajme: Kuvendi i Kosoves miratoi në parim edhe 10 projektligje të pakos së Ahtisarit Kuvendi i Kosoves miratoi në parim edhe 10 projektligje të pakos së Ahtisarit ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 12 March, 2008 10:45:00 Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi sot në parim edhe 10 projektligje që dalin nga pakoja e Ahtisarit. Ndër projektligjet më të rëndësishme ishin projektligji për ministrinë e punëve të jashtme dhe për shërbimin diplomatik dhe projektligji për forcën e sigurisë. Kuvendi do të vazhdojë punimet nesër, ku pritet që 10 projektligjet të miratohen me procedurë të shpejtë. Para votimit kryeministri Hashim Thaçi paraqiti ekspozenë për projektligjin për ministrinë e punëve të jashtme dhe shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës. Ai vlerësoi se ky projektligj rregullon themelimin e një institucioni të ri, që është i rëndësishëm për këtë periudhë të realitetit të ri në Kosovë. Ky projektligj krijon dhe organizon krijimin e shërbimit diplomatik në vende të tjera dhe në organizatat të ndryshme ndërkombëtare. Ai theksoi se ky projektligj është në harmoni të plotë edhe më dispozitat e projektkushtetutës së Kosovës. “Ky projektligj përcakton krijimin dhe organizimin e shërbimit diplomatik të përbërë nga anëtarë të përhershëm të ministrisë si dhe anëtarë të ministrisë së caktuar në misione diplomatike në vende të tjera dhe në organizatat të tjera ndërkombëtare”, tha Thaçi. Kryeministri Thaçi paraqiti ekspozetë edhe të projektligjit për ministrinë e forcës së sigurisë së Kosovës, projektligjit për forcën e sigurisë dhe projektligjit për themelimin e Këshillit të forcës së sigurisë së Kosovës. Kryeministri tha se misioni i forcës së sigurisë do të shërbejë si forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës në bashkërendim me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare. Ai tha se forca re e sigurisë do të jetë e armatosur, profesionale, shumëtenike dhe me organizim të mirë të brendshëm. “Forca e sigurisë së Kosovës do të jetë e armatosur, sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo forcë do të përbëhet nga 2 mijë e 500 pjesëtarë aktivë dhe 800 pjesëtarë rezervë e ndërtuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë të cilët do të mbrojnë qytetarët e Republikës së Kosovës përmes përgjegjësisë së tyre ndaj krizave, ndaj reagimit të mjeteve shpërthyese dhe mbrojtjes civile”, tha Thaçi. Projektligjet që rregullojnë fushën e sigurisë janë në përputhje të plotë me dispozitat e pakos së Ahtisarit dhe të projektkushtetutës së Kosovës. Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për të drejtat komuniteteve dhe pjesëtarët e tyre, projektligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë i vitit 2008, projektligjin për financat e Pushtetit Lokal dhe projektligjin për Aviacionin Civil, projektligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe projektligjin për kompetencat, përzgjedhjen dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të misionit EULEX në Kosovë. Vetëm shefat e grupeve parlamentare dhanë pëlqimin në parim për këto projektligje. Në bazë të një mocioni të votuar më herët në Kuvend, për projektligjet e pakos së Ahtrsiarit, debati është i kufizuar vetëm në deklarimin në parim të shefave të grupeve parlamentare, ndërsa vërejtjet e deputetëve mund të jepen me shkrim dhe të shqyrtohen nga një komision ad hoc i Kuvendit, në një afat prej 24 orësh. Kjo do të thotë se Kuvendi do të miratojë nesër edhe grupin e dytë të projektligjeve të pakos së Ahtisarit. Grupi strategjik për tranzicion i ka dhënë pëlqimin politik këtyre projektligjeve dhe ato po miratohen në Kuvend me procedurë të përshpejtuar. Pas miratimit, ligjet duhet të certifikohen nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar, i cili verifikon përputhjen e tyre me dokumentin e Ahtisarit dhe pastaj ato do të nënshkruhen nga presidenti i Kosovës.