24 ore lajme: Carl Bildt: Kosova do të jetë pjesë e proceseve integruese Evropiane Carl Bildt: Kosova do të jetë pjesë e proceseve integruese Evropiane ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 08 March, 2008 08:35:00 Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu takoi sot , z. Carl Bildt, ministër i Punëve të Jashtme i Suedisë Presidenti Sejdiu e falënderoi z. Bildt për vendimin e Mbretërisë së Suedisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe për ndihmën e përgjithshme të Suedisë dhënë Kosovës, duke përfshirë edhe prezencën e saj në Kosovë. Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu prezantoi qëndrimin e Kosovës për të vazhduar në qasjen e saj themelore, që të jetë një vend demokratik i të gjithë qytetarëve, një vend që do të ketë kujdesinë e veçantë ndaj komuniteteve pakicë, dhe që do të realizojë projektin e rëndësishëm të Presidentit Ahtisaari, si dhe orientimin e Kosovës për të qenë e integruar në mekanizmat euro-atlantike. Ndërkaq, z. Bild, i cili solli dokumentin zyrtarë të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij, pas takimit me Presidentin Sejdiu tha se u bisedua për ndryshimet që kanë ndodhë në Kosovë dhe për sfidat e vërteta për Kosovën, jo vetëm për tu bërë një shoqëri funksionale multietnike dhe demokratike, por edhe në çështjet ekonomike dhe sociale. Duke premtuar mbështetjen e vendit të tij për Kosovën ai theksoi: ”Dy tri vitet e ardhshme mund të jenë kritike për Kosovën, para se të ndodhin ndryshimet e vërteta në sferën e ekonomike. Ne do t’ju ndihmojmë aq sa mundemi por, puna duhet të bëhet nga autoritetet e Kosovës”. Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë shprehu kënaqësinë që vendi i tij është këtu për të ndihmuar dhe pohoi se Kosova do të jetë pjesë e proceseve integruese evropiane e cila është esenciale për një të ardhme paqësore dhe prosperuese për rajonin dhe Kosovën.