24 ore lajme: Liderët e Republikës së Kosovës përkulen para varrezave të dëshmorve në Prekaz Liderët e Republikës së Kosovës përkulen para varrezave të dëshmorve në Prekaz ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 06 March, 2008 06:58:00 Në Ditën e Dëshmorëve të UÇK-së, zyrtarë të lartë të Republikës së Kosovës, presidenti Fatmir Sjediu, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, liderë të partive politike, pjesëtarë të TMK-së, veteranë të UÇK-së dhe një numër i madh i qytetarëve nga të gjitha trojet shqiptare kanë bërë homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe dëshmorëve tjerë të familjes Jashari në Prekaz. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ia dorëzoi familjes Jashari, dekoratën "Urdhri Hero i Kosovës", me të cilën më 26 nëntor 2004, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e pati dekoruar komandantin e UÇK së, Adem Jasharin. Më këtë rast Presidenti Sejdiu tha se familja Jashari është një simbolikë e veçantë e përkushtimit dhe sakrificës për pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se institucionet e Kosovës e kanë jetësuar amanetin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, sakrificën dhe vullnetin e tij, dhe shtoi se nuk ka gjë më të mirë se sa sot t'i shohësh bashkë të gjithë në Prekaz, duke respektuar dhe nderuar luftën. Homazhe u bënë edhe në varrezat e dëshmorëve në vendet e tjera, kurse në Gllogjan bëri homazhe edhe delegacioni i Shtabit të Përgjithshëm të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës i prirë nga gjenerallejtënant Sylejman Selimi. Sot në mbrëmje mbahet Akademi solemne në sallën “1 tetori” në Prishtinë.