24 ore lajme: Ruecker porosit serbët: S’ka ndarje të Kosovës Ruecker porosit serbët: S’ka ndarje të Kosovës ================================================================================ Zijadin Gashi on 06 March, 2008 01:48:00 Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka qëndruar sot në Mitrovicë, ku ka zhvilluar dhe një debat me studentët serbë. Ruecker u ka thënë atyre se bashkësia ndërkombëtare nuk pranon kurrfarë ndarjeje të Kosovës. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker, ua ka transmetuar sot studentëve dhe banorëve serbë të Mitrovicës qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare se nuk ka ndarje të Kosovës. Gjatë një vizite që Ruecker i bëri pjesës veriore të Mitrovicës, ku në veçanti u ndal dhe zhvilloi takime me studentët serbë, ai tha se komuniteti serb duhet të integrohet në kuadër të sistemit legal dhe të shmangë kështu praktikën e funksionimit përmes strukturave paralele. “Kam ardhur të takoj studentët e Mitrovicës, të cilët janë një ndër përgjegjësit për demonstratat që i kemi parë këto ditë”, tha Ruecker. Ai tha po ashtu se ua ka sqaruar atyre pozicionin ndërkombëtar për Kosovën dhe i ka dëgjuar edhe pikëpamjet e tyre. “E ardhmja e Kosovës është integrimi i saj në Bashkimin Evropian”, theksoi Ruecker. Ndërkaq, rruga për në BE, sipas shefit të UNMIK-ut, përcillet jo me ndarjen e Kosovës, por me një Kosovë unike e të bashkuar. “Mandati i UNMIK-ut, si dhe i KFOR-it, rezulton nga bashkësia ndërkombëtare dhe nuk ka të bëjë me ndarjen e Kosovës”, u tha Ruecker studentëve serbë. Ai tha se strukturat legale, si ato vendore dhe ndërkombëtare, do të vazhdojnë të ballafaqohen me të gjitha sfidat eventuale, duke e respektuar integritetin territorial të Kosovës. Shefi i administratës ndërkombëtare u ka bërë thirrje edhe policëve serbë që të kthehen në vendet e tyre të punës. Qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare, shtoi ai, është që në Kosovë të krijojë një shoqëri shumetnike e demokratike, që nënkupton edhe institucione gjithëpërfshirëse. Ruecker tha po ashtu se beson që mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare do t’i pranojnë dhe kuptojnë edhe serbët e Kosovës, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë e këtij procesi që e shpien Kosovën kah perspektiva evropiane. Shefi i UNMIK-ut mbetet ende autoriteti kryesor në Kosovë, edhe pas shpalljes së pavarësisë. Këtë pozitë ai do ta ketë përderisa UNMIK-u të mos fillojë tranzicionin, që nënkupton bartjen e kompetencave te autoritetet vendore dhe zëvendësimin e UNMIK-ut me misionin e BE-së.