24 ore lajme: Sllovenia dhe Islanda kanë njohur sot Kosovën - shtet të pavarur e sovran Sllovenia dhe Islanda kanë njohur sot Kosovën - shtet të pavarur e sovran ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 05 March, 2008 04:33:00 Edhe dy shtete kanë njohur sot zyrtarisht Kosovën shtet të pavarur e sovran. Sllovenia dhe Islanda sot edhe zyrtarisht kanë konfirmuar se e njohin pavarësinë e Kosovës, duke e çuar kështu në 27 numrin e shteteve që kanë njohur vendin tonë – shtet të pavarur e sovran. Në një seancë të jashtëzakonshme Parlamenti i Sllovenisë ka njohur sonte Kosovën shtet të pavarur e sovran. Për njohjen e Kosovës ka votuar shumica dërmuese e deputetëve. Pranimi i pavarësisë së Kosovës ka pasuar pas një debati katërorësh. Sllovenia është vendi i 14-të i Bashkimit Evropian, i cili e njeh Kosovën shtet të pavarur e sovran. Edhe Islanda ka njohur sot Republikën e Kosovës - shtet të pavarur dhe sovran Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marr sot një letër nga ministri i Punëve të Jashtme të Islandës, Ingibjorg Solrun Gisladottir, përmes të cilës konfirmohet njohja e Republikës së Kosovës - shtet i pavarur dhe sovran. Deri sot numri i vendeve që kanë njohur Republikën e Kosovës – shtet të pavarur e sovran, ka arritur në 28. Në letrën e ministrit islandez, z. Ingibjorg Solrun Gisladottir, thuhet se në emër të Qeverisë së Islandës, kam nderin t’ju komunikoj njohjen e Republikës së Kosovës nga Islanda, si shtet të pavarur dhe sovran, të ndërtuar si Republikë demokratike, sekulare dhe shumetnike, si dhe të drejtuar mbi principin e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë para ligjit. Në letër shprehet edhe gatishmëria e Islandës për të vendosur marrëdhënie diplomatike në mes të dy vendeve tona, thuhet në një komunikatë për opinion të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit për komunikim publik.