24 ore lajme: Sejdiu akuzon Serbinë për nxitje të tensioneve në Kosovë Sejdiu akuzon Serbinë për nxitje të tensioneve në Kosovë ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 03 March, 2008 11:16:00 Presidenti Sejdiu ka ftuar sot serbët e Kosovës që t’i kthehen jetës normale sepse Kosova është edhe tyre dhe njëkohësisht ka akuzuar Beogradin për manipulimin e tyre. Këto komente presidenti i bëri pas takimit me shefin e Zyrës Zvicerane në Prishtinë, Lukas Beglinger, i cili solli letrat kredenciale për njohjen e shtetit të Kosovës nga Zvicra. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova është integrale dhe me mbrojtje ndërkombëtare, por sfidat ekzistojnë dhe kanë qenë të pritshme. Ai ka ftuar serbët që po bojkotojnë shtetin e Kosovës që t’i kthehen jetës normale sepse Kosova është perspektivë e përbashkët e të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht ka akuzuar Beogradin për manipulimin e tyre. “Është përgjegjësi e veçantë edhe e atyre që në një formë apo formë tjetër dëshirojnë t’i nxisin njerëzit që ta mbajnë peng Kosovën. Kosova nuk mund të mbahet peng i askujt. Është në rrugën e vet me një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe do të ecim bashkë edhe në proceset integruese që janë të dobishme edhe për krejt rajonin”, tha Sejdiu. Gjithashtu Sejdiu ka thënë se është përgjegjësi edhe popullit në Serbi që të vendos se a është kjo rruga që ai e dëshiron, ndërkohë që ka konfirmuar angazhimin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike. Presidenti ndërkaq ka falënderuar edhe Zvicrën që njohu shtetin e Kosovës dhe për gjithë kontributin që ka dhënë deri më tash. Shefi i Zyrës Zvicerane në Prishtinë, Lukas Beglinger tha se ky është një moment historik për dy vendet. “Ky vendim reflekton marrëdhëniet e ngushta që kemi pasur mes dy vendeve të cilat do t’i vazhdojmë dhe sforcojmë bashkëpunimin e ngushtë dhe pjesëmarrjen në prezencën civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë”, tha Beglinger. Gjatë ditës kredencialet për njohjen e shtetit të Kosovës do t’ia dorëzoj presidentit edhe shefi i Zyrës së Austrisë në Prishtinë. Presidenti Sejdiu u shpreh i kënaqur me ritmin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës për të cilin tha se tashmë ekziston konfirmimi për njohje nga 80 shtete, kurse mbi 20 shtet veç kanë përfunduar procedurat e njohjes.