24 ore lajme: Serbët vënë nën kontroll hekurudhat në veriun e Kosovës Serbët vënë nën kontroll hekurudhat në veriun e Kosovës ================================================================================ Besim Abazi on 03 March, 2008 12:08:00 Punonjësit serbë në veriun e Kosovës morën nën kontroll hekurudhën në atë zonë, me urdhër nga Beogradi. Branislav Ristivojevic, udhëheqës i hekurudhave të Serbisë dhe këshilltar i lartë i kryeministrit serb Vojislav Koshtuncia, u tha mjeteve serbe të informimit se Beogradi ka rivendosur kontrollin mbi 50 kilometra hekurudhë në veriun e Kosovës për t’u ofruar qytetarëve shërbime më të mira. “Ndërmarrja e deritashme e hekurudhave të UNMIK-ut që u është dorëzuar të ashtuquajturave hekurudhave të Kosovës, nuk ka qenë në gjendje që në tersi dhe sipas standardeve që ne i përmbushim të kryejnë punët në të këtë pjesë të hekurudhës”, ka deklaruar Branislav Ristivojević Më herët në mëngjes punonjësit serbë ndaluan lëvizjen e trenit që udhëton nga veriu deri në Fushë Kosovë afër Prishtinës. Drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, thotë se një vendim I tillë dëmton në radhë të parë vetë qytetarët e komunitetit serb. “Ky tren së pari është në interesin e lëvizjes së qytetarëve serbë që lëvizin nga Hani i Elezit në veri dhe anasjelltas dhe unë besoj së mos qarkullimi i këtij treni do të jetë në dëm të qytetarëve serbë”, thotë zoti Ramosaj Bllokimi i sotëm i lëvizjes së trenave është veprimi më i ri në kuadër të reagimeve të ashpra të deritashme të Beogradit dhe serbëve lokal kundër pavarësisë së Kosovës. Krahas protestave të përditshme në rrugë, gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar edhe disa incidente të dhunshme. Protestuesit serbë dogjën ditë më parë dy posta kufitare dhe bllokuan punën e një Gjykate në veriun e Kosovës. Rreth 260 pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës nga radhët e komunitetit serb janë pezulluar nga puna meqë refuzuan të zbatojnë urdhrat e udhëheqësve shqiptarë të këtij Shërbimi. Veprimet e tilla shihen si pjesë e udhëzimeve të qeverisë së Serbisë dhënë pjesëtarëve të komunitetit serb që t’u japin fund kontakteve dhe bashkëpunimit me qeverinë e Kosovës. Ata janë udhëzuar nga Beogradi që të bojkotojnë edhe Misionin e Bashkimit Evropian i cili gjatë 120 ditëve të ardhshme duhet të marrë përsipër një pjesë të përgjegjësive nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, por edhe të mbikëqyrë zbatimin e propozimit të krye negociatorit ndërkombëtarë Martti Ahtisaari mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës