Faqja e Pare | Kosova | Petersen kritikon apatinë e kosovarëve

Petersen kritikon apatinë e kosovarëve

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Ish-kreu i UNMIK-ut Jessen-Petersen

Ish-kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i tha BBC-së se nuk ka parë një strategji dhe aktivitet të institucioneve të Kosovës që do të inkurajonin dhe promovonin njohjet ashtu siç ka vepruar Serbia me përpjekjet për të bllokuar pranimin e pavarësisë.

Jessen Petersen tha se nisma e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do ta zgjasë paqartësinë në rajon dhe do të mbajë peng edhe Kosovën dhe gjithë Ballkanin.

Ai tha se kjo nismë nuk mund të ndryshojë faktin se Kosova është e pavarur, por mund të ndikojë në disa nga qeveritë dhe investitorët e huaj, që po e vlerësojnë ende hapin e tyre në raport me Kosovën.

Por Jessen Petersen tha se mbështetësi kryesor i Serbisë, Rusia nuk mund të vazhdojë ta ndihmojë më, sepse, sipas tij, e ka sakrifikuar Serbinë pas ndërhyrjes në Gjeorgji dhe njohjes së pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abkhazisë.

Ish-kryeadministratori i Kosovës tha se BE-ja duhet të jetë më e qartë me Serbinë dhe të dërgojë porosi për të nëse ajo e do BE-në apo Kosovën.

Sipas tij Serbia nuk mund të vazhdojë të kundërshtojë vendosjen e EULEX-it në Kosovë.

Arbër Vllahiu bisedoi me zotin Jessen Petersen.

BBC: Si e vlerësoni ju situatën pas vendimit të Komisionit të OKB-së që të përfshijë në rend dite të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme edhe projektrezolutën e Serbinë për vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës?

 Serbia me këtë nismë fatkeqe dhe të papranueshme po vazhdon ta mbajë peng Kosovën, por gjithashtu po e mban peng edhe gjithë rajonin.
Jessen-Petersen

 

Zoti Jessen-Petersen: Fillimisht është me rëndësi të thuhet se Serbia ka patur të drejtë të bëjë një gjë të tillë. Së dyti, unë besoj se Serbia ka qenë e këshilluar gabimisht të ecë përpara. Ata mund ta kenë të mbështetur në aspektin ligjor, por politikisht unë besoj se ka qenë një lëvizje fatkeqe. Ajo do të zgjasë paqartësinë, por nuk mund të ndryshojë gjërat, sepse pavarësia është e qartë dhe qëndron fuqishëm, dhe ajo nuk mund të ndryshohet nga asgjë. Ky do të jetë një mendim këshillues, por do të zgjasë paqartësinë. Qeveritë që ende po e konsiderojnë njohjen e pavarësisë, dhe gjithashtu shumë me rëndësi, investitorët, disa nga ta, mund të ndikohen.

Pra, Serbia me këtë nismë fatkeqe dhe të papranueshme po vazhdon ta mbajë peng Kosovën, por gjithashtu po e mban peng edhe gjithë rajonin. Me këtë nismë janë në të njëjtën pozitë jo vetëm Kosova, por edhe fqinjët si Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnia, për shkak të paqartësisë së statusit të të gjithë rajonit. Prandaj mendoj se është fatkeqe dhe nuk e di se çfarë do të bëjnë, sepse mbështetësi më i fuqishëm, Rusia, nuk mund të vazhdojë të veprojë në favor të Serbisë për shkak të asaj që bëri në Gjeorgji. Kjo është një ide e keqe.

BBC: Pra, mund të presim që Asambleja e Përgjithshme ta kalojë këtë Rezolutë dhe të ecë më tej drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?

  Mendoj se udhëheqësit e Kosovës do të duhej të kishin bërë më shumë.
Jessen-Petersen

 

Zoti Jessen-Petersen: Është ende heret të thuhet. Isha në Nju Jork ditë më parë dhe bisedova me disa qeveri dhe asnjë prej tyre nuk mund ta parashihte rezutatin. Kjo vazhdon të diskutohet shumë në korridore dhe shumë qeveri janë në një pozitë shumë të pakëndëshme për shkak të kësaj nisme. Çfarë do të ndodhë, ende nuk është e qartë.

BBC: Por a ka arritur këtu ku ka arritur kjo nismë serbe për shkak të diplomacisë agresive të Serbisë dhe të Rusisë apo për shkak të dobësisë së institucioneve të Kosovës?

Zoti Jessen-Petersen: Jo, mendoj se Serbia ka lobizuar në mënyrë shumë aktive dhe siç thoni ju, me agresivitet. Sërish më lejoni ta them se Serbia ka të drejtë të lobizojë. Ajo ka qenë e mbështetur nga Rusia. Mendoj se do të jetë shumë vështirë për Rusinë që të jetë e besueshme në çfarëdo mbështetje tjetër. Rusia gjithnjë e ka thënë se do të pajtohet me çdo marrëveshje mes Prishitnës dhe Beogradit. Ata pastaj ndërhynë në Gjeorgji, duke njohur Osetinë Jugore dhe Abkhazinë pa ndonjë marrëveshje me Gjeorgjinë, madje pa bisedime. Së dyti, Rusia gjithnjë ka thënë se tërësia tokësore duhet të respektohet, por unë mendoj se Rusia nuk e ka respektuar tërësinë tokësore të Gjeorgjisë. Dhe unë mendoj se Rusia e ka sakrifikuar Serbinë rreth kësaj çështjeje.

BBC: Pra, ju po thoni se Serbia dhe me këtë edhe Rusia po e mbajnë peng gjithë rajonin e Ballkanit. Por a do të ketë kjo nismë serbe ndonjë ndikim mbi Këshillin e Sigurimit të OKB-së kur kemi të bëjmë me ndonjë Rezolutë të tij për Kosovën?

Zoti Jessen-Petersen: Të jemi shumë të qartë. Kjo nismë e Serbisë, pavarësisht nga rezultati që mund të dalë, nëse do të kalojë deri në Gjykatë, nuk mund ta ndryshojë faktin se Kosova është e pavarur.

BBC: Zoti Jessen-Petersen plani Ahtisaari parasheh shtrirjen e një misioni të ri në Kosovë atë të EULEX-it. Ne nuk e kemi parë këtë ende. Si e shihni këtë problem tani në veçanti kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës. A mund të jetë BE-ja më aktive në këtë rast?

Zoti Jessen-Petersen: Mendoj se sërish Serbia është një çështje këtu. Mendoj se BE-ja duhet të jetë më e qartë me Serbinë. BE-ja ka marrë një vendim politik për të shtrirë EULEX-in dhe shumica e vendeve e kanë njohur Kosovën. Ato duhet të dërgojnë porosi shumë të qartë për Serbinë që do të thotë a e doni BE-në apo Kosovën. Nuk mund t'i keni të dyja. Ata nuk mund të vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen e EULEX-it. Mendoj se kjo po e provokon Brukselin dhe jam i habitur se nuk janë dhënë porosi shumë të qarta nga Brukseli.

BBC: Pra ju favorizoni një kushtëzim të anëtarësimit të Serbisë në BE para se ta njohë ajo pavarësinë e Kosovës?

Zoti Jessen-Petersen: Unë nuk do të thosha kushtëzim, por e favorizoj dërgimin e porosive të qarta nga Brukseli që do të thoshte se Brukseli e do Serbinë që të ecë përpara në procesin e anëtarësimit, ashtu si e do edhe Kosovën dhe të gjitha vendet e tjera në rajon. Porosia e Brukselit duhe të jetë se 'ne duam që ju të jeni anëtarë të BE-së një ditë, por ju nuk mund që në të njëjtën kohë të bllokoni nismën e madhe të BE-së në Kosovë'.

BBC: Si e shihni ju veprimin e institucioneve të Kosovës deri tani. Ka vetëm 47 vende që e kanë njohur pavarësinë e saj?

Zoti Jessen-Petersen: Shumica nga këto 47 vende janë shtete shumë të rëndësishme. Por duke e thënë këtë unë do të doja të shihja qeverinë e Kosovës shumë më aktive rreth kësaj çështjeje. Unë ende nuk e kam parë një strategji dhe ende nuk kam parë ato lloj aktivitetesh që do të inkurajonin dhe promovonin njohjet ashtu si kemi parë nga Serbia që po e bllokon njohjen. Mendoj se udhëheqësit e Kosovës do të duhej të kishin bërë më shumë.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Nentore, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30
Vlereso artikullin
1.57