24 ore lajme: Përkundër kundërshtimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, zgjedhjet lokale serbe po mbahen edhe në Kosovë Përkundër kundërshtimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, zgjedhjet lokale serbe po mbahen edhe në Kosovë ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 11 May, 2008 04:31:00 Me gjithë kundërshtimin e institucioneve kosovare, UNMIK-ut dhe BE- së, në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, Beogradi zyrtarë ka organizuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale krahas atyre parlamentare. Sipas Komisionit Zgjedhor të Serbisë, materiali zgjedhor iu është dorëzuar komisioneve zgjedhore dhe trupave tjera punuese në të gjitha komunat e Kosovës, dhe janë të hapura 285 vendvotime. Njoftohet se në Graçanicë dhe në veri të Mitrovicës serbët tanimë kanë filluar të votojnë për zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme të Serbisë. Këtë e ka konfirmuar edhe anëtari i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve në Serbi, Veljko Odaloviq, i cili tha se informacionet nga terreni bëjnë të ditur se janë hapur gjitha qendrat e votimit në Kosovë. Ai tha se tash për tash nuk është shënuar asnjë problem. Në 23 komuna të Kosovës janë hapur 279 qendra votimit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale serbe. Gjithsej, 115 mijë e 504 persona kanë të drejtë vote. Organizimi i këtyre zgjedhjeve edhe në territorin e Kosovës është cilësuar si shkelje e Rezolutës 1244, në të cilën thirret Beogradi për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e misionit të BE-së. KFOR-i dhe SHPK-ja situatën e sigurisë në vend, në prag të këtyre zgjedhjeve, të cilat po mbahen edhe në disa pjesë të Kosovës, e vlerësojnë të qetë. SHPK-ja ka bërë të ditur se nuk do të ketë përforcim të policisë nëpër enklavat serbe, ndërkaq do të vëzhgohet me kujdes situata në veri të vendit. Sidoqoftë, UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë ripërsëritur disa herë se zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, të organizuara nga Serbia, nuk kanë asnjë vlerë dhe se ato nuk do të pengohen me forcë. Ndryshe, sot në Serbi po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe ato lokale, ku blloku pro-perëndimor i presidentit Boris Tadiq përballet me bllokun e partive nacionaliste. Të drejtë votimi kanë 6.865.400 qytetarë. Presidenti Tadiq ka deklaruar se "zgjedhjet e 11 majit janë një formë referendumi, ku qytetarët do të vendosin nëse Serbia do të jetë apo jo anëtare e BE-së".