24 ore lajme: Policia kthehet në veri të Mitrovicës Policia kthehet në veri të Mitrovicës ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 20 March, 2008 01:31:00 Policia ndërkombëtare dhe Shërbimi Policor i Kosovës janë rikthyer sot në mesditë në pjesën veriore të Mitrovicës, pas tërheqjes dy ditë më parë. Zëdhënësi i SHPK-së, Besim Hoti, tha se vendimi është marrë pas vlerësimeve se situata e sigurisë është përmirësuar pas trazirave të së hënës. Policia është tërhequr nga veriu i Mitrovicës pas incidenteve të dhunshme afër ndërtesës së gjykatës, me ç'rast një polic ukrainas humbi jetën ndërsa dhjetëra të tjerë pësuan lëndime pas përplasjes me protestuesit serbë. Këta të fundit hodhën mjete shpërthyese dhe shtinë më armë zjarri, gjatë një operacioni të policisë dhe të KFOR-it për të rivendosur kontrollin e UNMIK-ut në ndërtesën e gjykatës së qarkut dhe asaj komunale në veri të Mitrovicës. Zëdhënësi i SHPK-së në Mitrovicë, Besim Hoti tha se situata në pjesën veriore mbetet ende e tendosur dhe përgjegjësinë kryesore për gjendjen e sigurisë vazhdojnë ta kenë trupat paqëruajtëse të NATO-s. Sipas tij policia do të bashkërendojë veprimet e veta me pjesëtarët e KFOR-it.