24 ore lajme: Shpigel": Njohja e Kosovës shkaktoi kontest në "koalicionin e gjërë" Shpigel": Njohja e Kosovës shkaktoi kontest në "koalicionin e gjërë" ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 25 February, 2008 08:19:00 Vendimi i Qeverisë federale në Berlin për ta njohur pavarësinë e Kosovës shkaktoi "pakënaqësi dhe kontest të rëndë" në koalicionin e gjërë të kancelares Angela Merkel, shkruan sot javorja politike gjermane "Shpigel". "Në çështjen kosovare ekzistonin vetëm dy vendime të këqija..., ndërsa njohja e Kosovës është njëra nga ato", deklaroi, siç transmeton "Shpigel", eksperti për politikë të jashtme i Partisë Socialdemokrate (SPD) Nils Anen. Eksperti për Ballkanin, gjithashtu nga radhët e SPD-së, Johanes Jung, sipas "Shpigel", ka shprehur dyshim se Kosova do të mund të bëhet shtet, i aftë për jetë. "Shpigel" shkruan se të mërkurën e kaluar në takim të Komisionit parëamentar për politikë të jashtme janë shfaqur shumë dyshime të socialdemokratëve, kur bëhet fjalë për Kosovën. Zëdhënësi i SPD-së për çështje të politikës së jashtme, Gert Vajskirhen, sipas javores gjermane, e ka shënuar Kosovën si "shtet mafioz", por siç theksohet, pas protestës së deputetëve të tjerë, është tërhequr. Në të njëjtën kohë Vajskirhen e ka sulmuar bllokun demokristian të kancelares Merkel për shkak të raportit ndaj Partisë Demokratike të Serbisë, duke kërkuar prej tyre "haptazi dhe qartë" ta kritikojnë Vojisllav Koshtunicën, i cili, sipas vlerësimeve të këtij politikani gjerman, bart përgjegjësi për trazirat në Beograd dhe për sulmin ndaj ambasadës gjermane.