Ministrat e Jashtëm të BE-së po diskutojnë për Kosovën
Në Bërdo afër Kranjit, filloi takimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit perëndimor. Temë e këtij takimi, që po mbahet nën drejtimin e ministrit të jashtëm të Sllovenisë e Kryesues i radhës së Bashkimit evropian, Dimitrij Rupel, është perspektiva evropiane për Ballkanin perëndimor dhe zhvillimet e përgjithshme pas shpalljes dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
Republikën e Kosovës e përfaqësojnë Kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi të shoqëruar nga këshilltari i lartë politik i Kryeministrit, Bekim Çollaku.Në këtë takim po marrin pjesë edhe kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Joakim Ryker dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Piter Feithudhëheqësi i Misionit Evropian në Kosovë – EULEX, Piter Feith. Kjo është pjesëmarrja e parë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në nivelin më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Në ambientet e Qendrës kongresiane të Bërdos, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri Kuçi patën takime të veçanta me ministrin e jashtëm slloven e kryesues i radhës së Bashkimit Evropian, Dimitrij Rupel, me përfaqësuesin e lartë të politikës së jashtme të Bashkimit evropian – Havier Solanën, Komisionerin për Zgjerim Oli Rejn, Kryesuesin e Komisionit Evropian, Baroso, si dhe me shumë ministra të vendeve evropiane dhe të Ballkanit: me ministrin e jashtëm britanik, Deivid MiliBand, me atë francez, Bernard Kushner, atë suedez Karl Bild, pastaj me atë të Shqipërisë, Lulëzim Basha, të Maqedonisë, Antonio Milloshovski dhe ministra të jashtëm të vendeve të tjera evropiane.
Zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe raportet e BE-së me Rusinë, ishin në qendër të vëmendjes së takimit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pretendojnë të anëtarësohen në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO.
Në fjalën e tij, e cila u prit me interesim të posaçëm nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, informoi lidhur me zhvillimet aktuale në vendin tonë pas shpalljes dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës shtet i pavarur e Sovran. Ai tha se institucionet e shtetit më të ri në Evropë e botë, me përkushtim të madh po angazhohen për respektimin e ligjit, luftimin e krimit e të korrupsionit në vend, sidomos për krijimin e kushteve që të gjithë qytetarët, pa dallim nacionaliteti të realizojnë të drejtat e tyre sipas standardeve evropiane. Thaçi, në mënyrë të veçantë përmendi përpjekjet e Qeverisë që e udhëheq ai për funksionimin e institucioneve legjitime dhe vendosjen e ligjit e të rendit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjitha vendet fqinje: me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Kryeministri Thaçi apeloi që serbët të pranojnë realitetin e ri dhe të mos mendojnë për izolim, por për integrim në jetën institucionale të shtetit të Kosovës. Ai pohoi se qytetarët e Kosovës dhe Bashkësia ndërkombëtare janë kundër çdo përpjekje për ndarjen e Kosovës. Ai kërkoi mbështetje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare për rimëkëmbjen e ekonomisë, hapjen e perspektivës për punësim më të madh të rinisë dhe prosperitet në të gjitha sferat e jetës, si parakusht për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian.Në këtë takim, ishte edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili para fillimit të tij mbajti një konferencë me gazetarë. Ai me këtë rast, paraqiti pikëpamjet e njohura të Beogradit lidhur me Kosovën, duke insistuar për vazhdimin e negociatave për të ashtuquajturin plan serb për Kosovën.Si tha Kryeministri Thaçi për Radiotelevizionin e Kosovës, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian mbështetën vizionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e vendit tonë, përpjekjet për vendosjen e shtetit ligjor dhe të drejtësisë në tërë territorin e Kosovës dhe kundërshtuan në mënyrë të fuqishme planin e Beogradit për ndarjen e Kosovës dhe destabilizimin e rajonit.
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj