100 vjetori i Kryepeshkopatës Shqiptare Ordodokse në Shtetet e Bashkuara te Amerikes
Sot në kishën e Shëngjergjit në Boston, në prani të besimtarëve dhe klerikëve ortodoksë edhe nga Shqipëria, u zhvilluan ceremoni të posaçme në kuadër të 100 vjetorit të liturgjisë së parë ortodokse në gjuhën shqipe, ngjarje e cila përkon edhe me 100 vjetorin e dorëzimit të Fan Nolit si prift dhe kryepeshkop i kishës autoqefale të shqiptarëve të Amerikës.
Fillimi i shekullit të XX-të e deri në gjysmën e tij, mund të thuhet se ka qenë një prej periudhave më dinamike të historisë shqiptare, veçanërisht të shqiptarëve të Amerikës. “Sa shumë punë në kaq pak kohë”, mund të thuhet për këtë periudhë, ku një nga figurat më të spikatura ishte ajo e Fan Nolit.
Historianë që kanë arritur të zbardhin thuajse gjithë veprimtarinë e Fan Nolit në Amerike, shprehen të mahnitur sa herë që flasin mbi jetën e këtij atdhetari. Dhe energjitë fizike të Nolit sikur përputhen plotësisht me fuqinë shpirterore, mendore dhe intelektin e tij. Ai ishte aktor, mësues, përkthyes, poet, shkrimtar, parlamentar, politikan, shtetar muzikolog, historian, teolog, e mbi te gjitha, atdhetar.
Fan Noli erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1906 dhe menjëherë regjistrohet në shkollën e natës për mësimin e anglishtes, gjuhë për të cilën kishte njohuri, por kërkonte ta perfeksiononte. Kjo këmbengulje do të shpërblehej vite më vonë, kur personalitete të kulturës botërore do ta cilësonin si përkthyes të përsosur e njohës i anglishtes së Shekspirit; apo muzikolog i thellë dhe ekspert i Betovenit ose historian i klasit të parë, mbi Skënderbeun.
Dhe gjatë kësaj periudhe disa vjeçare, Fan Noli kreu punë të ndryshme edhe të rëndomta si punëtor fabrike e sharrexhi. Dhe prapseprapë, ndërsa punonte natën në punishte dhe mezi flinte ditën, Noli krijoi shoqatën atdhetare, Besa Besën në janar 1907. Në shkurt 1909, ai filloi të botojë gazetën Dielli. Dhe midis këtyre dy viteve, më 1908, pas ecejakeve të mundimshme nga Bostoni në Nju Jork për të siguruar perkrahje, Noli gjeti kohën dhe fuqinë për themelimin e Kishës ortodokse autoqefale, ndoshta krijesa e tij më e rëndësishme përsa i përket çështjes kombëtare shqiptare.
Më 1908, ky njeri shtatpakët por me vullnet dhe etje për dije, jo vetëm për vete, u regjistrua në Universitetin e Harvardit nga ku u diplomua pas 4 vjetësh, më 1912. Ndërsa në prill të po atij viti, në hollin e kishës së themeluar dhe kryesuar nga Noli, shqiptarë të krishterë e myslimanë u mblodhën për të krijuar Vatrën, federatën mbarë shqiptare të Amerikës.
Pas një periudhe plot ngjarje të stuhishme në krijmtari e politikë, më 1938, Fan Noli diplomohet nga Konservatori i Nju Englandit. 7 vjet më vonë, më 1945, ai mori titullin, profesor doktor i shkencave historike nga universiteti i Bostonit ndërsa më1947, del nga shtypi në anglisht Historia e Skenderbeut, ndoshta një nga monografitë më të cituara nga studiuesit vendas e të huaj pas veprës se Barletit mbi heroin kombëtar shqiptar. Që nga fillimi i shekullit të kaluar kanë ndodhur shumë ngjarje që kanë ndikuar edhe mbi veprat apo krijimet e Nolit.
Për shembull, shoqata Besa Besën sot është histori por gazeta Dielli vazhdon të botohet, megjithëse rrallë e në pak kopje, për arsye që dihen. Vatra e pashuar, por jo e ndezur, përpiqet të ruajë atë ngrohtësine e kaherëshme. Ndërsa, shkrimet e Nolit, krijime a përkthime, shumë herë të ribotuara vazhdojnë të cilësohen të pashoqe. Gjithashtu, Kisha ortodokse e shqiptareve te Amerikes, sot renditet mes institucioneve simotra në Hemisferën perëndimore, si një entitet i pavarur fetar ortodoks shqiptarësh krenarë në mërgim.
Dhe së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, arritja kryesore e ketyre viteve është figura e vetë Nolit, e cila zmadhohet sa më shumë koha kalon, duke u bërë gjithnje e më shumë, pjesë e gojëdhënave dhe legjendave shqiptare.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj