Barak Obama fiton ndjeshëm zgjedhjet paraprake në Karolinën e Veriut; Senatorja Klinton fiton në Indiana
Senatorja Hillari Klinton shpalli fitoren në zgjedhjet e djeshme paraprake të Partisë Demokrate në shtetin Indiana, megjithëse shumë mjete të informimit e konsideruan garën shumë të afërt dhe nuk e shpallën rezultatin deri vonë.
Senatorja Klinton u tha përkrahësve të saj mbrëmë vonë në Indianapolis të shtetit Indiana se ajo do të vazhdojë me “shpejtësi të plotë” fushatën e saj për të siguruar emërimin e partisë. Ajo u bëri thirrje pjesëmarrësve në tubim që të kontribuojnë në fushatën e saj.
Senatorja e Nju Jorkut dhe ish Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara uroi gjithashtu rivalin e saj demokrat, Barak Obama, për fitoren e ndjeshme po dje në shtetin e Karolinës së Veriut.
Zonja Klinton premtoi të mbështesë kandidatin demokrat që fiton emërimin e partisë, duke thënë se rreziqet janë shumë të mëdha për të lejuar republikanët të mbajnë Shtëpinë e Bardhë.
Senatori Barak Obama, në fjalimin e tij me rastin e fitores në Ralli të Karolinës së Veriut, bëri thirrje për unitet në Partinë Demokrate.
Ai bëri një kontrast midis vetes së tij dhe kandidatit republikan për president, Xhon Mekein, të cilin ai e portretizoi si shumë afër presidentit Bush në çështje si lufta në Irak, ekonomia dhe politika energjetike.
Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se rezultatet e zgjedhjeve nga një zonë kyçe në pjesën veri-perëndimore të Indianës, e cila mendohet të mbështesë ndjeshëm zotin Obama, nuk janë njoftuar ende.
Dy shtetet, ku u zhvilluan dje zgjedhjet paraprake, Karolina e Veriut dhe Indiana, kanë 187 delegatë, që do të ndahen mes dy kandidatëve sipas votave të fituara.
Senatori Obama ka fituar deri tani më shumë delegatë, të cilët nevojiten për të siguruar emërimin e partisë. Të dy kandidatët kanë nevojë për mbështetjen e super-delegatëve për të siguruar emërimin e partisë.
Super-delegatët, udhëheqës partie dhe zyrtarë të zgjedhur, vendosin vetë se cilin kandidat mbështesin.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj