24 ore lajme: Presidenti Bush, takim në Kroaci “me udhëheqësit e vendeve që do të ftohen në NATO” Presidenti Bush, takim në Kroaci “me udhëheqësit e vendeve që do të ftohen në NATO” ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 14 March, 2008 07:53:00 Presidenti Bush ka në plan të vizitojë Ukrainën, Rumaninë dhe Kroacinë dhe të takohet me udhëheqësit e këtyre vendeve në kuadrin e udhëtimit të tij muajin e ardhshëm për takimin e NATO-s në Bukuresht. Shtëpia e Bardhë nxorri pak detaje dje për itinerarin e Presidentit Bush. Ai do të shkojë fillimisht në Kiev dhe do të takohet më 1 prill me presidentin dhe kryeministrin e Ukrainës. Zoti Bush do të qëndrojë në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht për tri ditë dhe do të takohet me udhëheqësit e Rumanisë, si edhe do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s, që fillon më 2 prill. Më pas, presidenti Bush do të shkojë në Kroaci. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se udhëheqësi amerikan do të takohet me udhëheqësit kroatë, si edhe me “udhëheqësit e atyre vendeve për të cilët udhëheqësit e NATO-s do të vendosin të bëjnë ftesa për anëtarësim në NATO, gjatë takimit të Bukureshtit”. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se transformimi i vazhdueshëm i NATO-s ka qenë një sukses historik në konsolidimin e Aleancës, përmes nxitjes së paqes dhe sigurisë, si edhe përparimit të lirisë dhe demokracisë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Vizita e Presidentit dhe zonjës Bush në Ukrainë, Rumani dhe Kroaci, vazhdon më tej njoftimi do t’i vërë theksin rëndësisë së forcimit të një Evrope të bashkuar, të lirë dhe në paqe