24 ore lajme: Nis epoka e ndarjes së pushtetit Nis epoka e ndarjes së pushtetit ================================================================================ BBC on 06 March, 2008 06:33:00 Në Nairobi bëhet hapja zyrtare e parlamentit të ri të Kenias. Parlamenti hapet një javë pasi presidenti Mwai Kibaki dhe udhëheqësi i opozitës Raila Odinga, ranë dakord që të ndajnë pushtetin. Ata nënshkruan një marrëveshje për të formuar një koalicion pas javëve të tëra me gjakderdhje, një pjesë e së cilës pretendohet se ishte sanksionuar nga shteti pas zgjedhjeve të kontestuara të dhjetorit. Njoftohet se së shpejti do të bëhen publike hollësi të tjera të marrëveshjes, ndërkohë që parlamenti do të fillojë të debatojë legjislacionin javën e ardhshme. Adam Mynott i BBC-së në Nairobi thotë se arritja e marrëveshjes ka ndihmuar për të ulur indinjatën, por mbetet shumë punë për t'u bërë për ta bërë të funksionueshme në praktikë marrëveshjen e arritur. Takim Z. Kibaki po drejton një takim të deputetëve të koalicionit të tij, Partisë së tij të Unitetit Kombëtar dhe Lëvizjes Demokratike Portokalli të z. Odinga. Presidenti pastaj do të hapë sesionin parlamentar, kur pritet të mësohen hollësi të tjera të marrëveshjes, e cila do të bëhet publike më vonë gjatë ditës. Marrëveshja u arrit me negociimin e OKB-së pas javëve të tëra me dhunë. Rreth 1,500 persona u vranë gjatë akteve të dhunës që pasuan zgjedhjet presidenciale për të cilat z. Odinga thonë se u manipuluan nga z. Kibaki dhe mbështetësit e tij. Qindra mijëra vetë po ashtu u detyruan të braktisnin shtëpitë. Burime i kanë thënë BBC-së se një pjesë e dhunës që ushtroi një grup paraushtarak i jashtëligjshëm, ishte sanksionuar nga shteti. Por qeveria e hedh poshtë këtë pretendim.