24 ore lajme: Ministrat e jashtëm të NATO-s diskutojnë për Kosovën dhe zgjerimin e NATO-s Ministrat e jashtëm të NATO-s diskutojnë për Kosovën dhe zgjerimin e NATO-s ================================================================================ Viron Gjymshana on 06 March, 2008 06:49:00 Kosova dhe mundësia e pranimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO - janë ndër çështjet më kryesore që po diskutojnë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Aleancës Atlantike. Në selinë e NATO-s në Bruksel janë mbledhur ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Aleancës Atlantike. Zgjerimi i mundshëm i NATO-s me pranimin në gjirin e Aleancës edhe të tri vendeve kandidate, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë si dhe forcimi i rolit të NATO-s në Kosovë janë ndër çështjet më të rëndësishme të këtij takimi, i cili paraprin samitin që do të mbahet në 3 dhe 4 prill në Bukuresht të Rumanisë. Rëndësinë e takimit të sotëm e pohoi edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike Jaap de Hop Skefer, i cili ndër të tjera theksoi se NATO është e mendimit se integrimi euroatlantik i vendeve të Ballkanit përbën garancinë më të sigurt për paqen dhe stabilitetin në rajon. Zgjerimi përbën një pikë të rëndësishme të diskutimeve të sotme - deklaroi Jaap de HopSkefer, para se të deklaronte se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë punuar fort për të përmbushur detyrimet e tyre për anëtarësim në NATO. Deri më sot ne kemi pas thënë me të drejtë se nuk ka ardhur ende koha për të folur për anëtarësimin e këtyre vendeve në Aleancën Atlantike. Por tani kur ndodhemi një hap larg saj, kur edhe 4 javë na ndajnë nga samiti i Bukureshit, kur do të vendoset për kushtet dhe mënyrat e zgjerimit të mëtejshëm të Aleancës, - ka ardhur koha që ta shqyrtojmë këtë problem, - theksoi zyrtari i lartë i Aleancës Atlantike. Duke iu referuar njohjes së pavarësisë së Kosovës, Skeferi pohoi se Nato nuk ka tagër të njohë ose jo pavarësinë e një njëvendi. Misioni i saj është ruajtja e sigurisë. Por mund të themi se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës atje nuk janë vërejtur rritje të dhunës ndëretnike, lëvizje refugjatësh etj, -dhe këto janë shenja pozitive. KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në Kosovë për të mbrojtur si pakicat ashtu edhe shumicën në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, - nënvizoi Skefer gjatë fjalës së tij të mirëseardhjes drejtuar pjesëmarrësve të këtij takimi.