Faqja e Pare | Bota | Presidenti Bush dhe sekretari i Pergjithshem i NATO-s bisedojne per Kosoven ne Uashington

Presidenti Bush dhe sekretari i Pergjithshem i NATO-s bisedojne per Kosoven ne Uashington

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Nga takimi George Bush dhe shefi i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer

Presidenti amerikan, George Bush, gjatë fundjavës po diskuton për zhvillimet në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, në takime të ndara me kreun e NATO-s dhe kryeministrin danez.

Presidenti amerikan, George Bush dhe shefi i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, diskutuan gjatë takimit, në Shtëpinë e Bardhë, konfliktin në Afganistan, planet amerikane rreth mbrojtjes raketore dhe përgatitjet për takimin e Bukureshtit në prill. Roli i NATO-s në Kosovën e pavarur ishte një tjetër temë e bisedimeve Bush - De Hoop Scheffer.

"Misioni i NATO-s në Kosovë është misioni i dytë më i rëndësishëm për Aleancën. 16 mijë trupa të NATO-s janë aty për t'i mbrojtur gjithë kosovarët, shumicën, pakicën, shqiptarë dhe serbë, në mënyrë që Kosova të ketë një të ardhme", tha Jaap de Hoop Scheffer.

Presidenti amerikan nënvizoi rëndësinë e NATO-s në rajon. "E çmoj shumë rolin e NATO-s dhe ndihmën që jep për të krijuar stabilitet në Ballkan", tha Bush. Lidhur me zgjerimin e Aleancës në takimin e Bukureshtit, presidenti amerikan shtoi: "Shpresa jonë është se vendet që kanë aplikuar për t'iu bashkangjitur NATO-s, do vazhdojnë t’i përmbushin detyrimet e parapara në Planin e Veprimit për Anëtarësi.

Do ta analizojmë përparimin e bërë prej tre vendeve, përpara se të votojmë për zgjerimin", tha Bush. Shefi i NATO-s nga ana e tij ka shtuar se ende asgjë nuk është vendosur për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë. "Vendet e interesuara duhet të vazhdojnë me reformat. Nuk janë prerë ende biletat për anëtarësim, por zgjerimi i NATO-s do të jetë në planin e punës së takimit të Bukureshtit", tha Jaap de Hoop Scheffer.

Kosova dhe takimi i NATO-s, në prillin e këtij viti në Bukuresht, do të jenë ndër temat e diskutimit edhe në takimin mes presidentit amerikan Bush dhe kryeministrit të Danimarkës, Anders Fogh Rassmusen.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë, John Gondroe. Ai shtoi se ndër temat e diskutimit do të jenë edhe zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.

Bush e ka pritur kryeministrin e Danimarkës në fermën e tij në Krauford, Teksas. Zyrtarët amerikanë thanë se Bush dhe Rassmussen pritet të diskutojnë edhe për luftërat në Irak dhe në Afganistan, përfshirë përpjekjet për dërgimin e më shumë trupave të NATO-s në Afganistan. Danimarka është e pranishme me trupa në Kosovë, Irak dhe Afganistan.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0