Miratohet rezoluta për armët bërthamore
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar njëzëri një rezolutë që synon të pengojë përhapjen e armëve bërthamore, promovimin e çarmatimit dhe reduktimin e terrorizmit bërthamor.
Për rezolutën u ra dakord në një sesion të drejtuar për herë të parë nga një president amerikan, Barack Obama.
Ai tha se dy muajt e ardhshëm do të ishin me rëndësi kritike për negociatat rreth mospërhapjes bërthamore.
Sesioni shihet si mënyrë për të ushtruar më shumë presion mbi Iranin rreth programit të tij bërthamor.
Më herët Kina përsëriti qëndrimin e saj kundër sanksioneve të reja ndaj Teheranit për programin e tij bërthamor dhe bëri thirrje për të intensifikuar përpjekjet diplomatike për ta zgjidhur këtë çështje.
Të mërkurën SHBA dhe Rusia ranë dakord se Teherani mund të përballet me sanksione shtesë nëse nuk do të ofrojë garanci se nuk po prodhon armë bërthamore.
'Lëshim'
Presidenti amerikan, Barak Omaba, dhe homologu i tij rus, Dimitri Medvedev, ranë dakord se ndaj Iranit mund të vendosen sanksione të tjera, nëse ai nuk demonstron me vepra se nuk ka si objektiv të prodhojë armë bërthamore.
Të dy presidentët u takuan gjatë sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Javën e ardhshme Irani pritet të rifillojë bisedimet për programin e tij bërthamor me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të tjera, ku bëjnë pjesë Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.
Shprehja e vullnetit nga Rusia për të pranuar idenë e mundësisë së vendosjes së sanksioneve të reja kundër Iranit, është një lëshim i vogël, gjithsesi i mirëpritur që i bëhet presidentit Obama.
Kjo ndodh pas vendimit të administratës amerikane për të rishikuar planet për vendosjen e sistemit mbrojtes të raketave në Evropë, hap ky që u përshendet nga Moska.



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj