24 ore lajme: Ban Ki Moon: Kosova një sukses i diplomacisë së heshtur të KB Ban Ki Moon: Kosova një sukses i diplomacisë së heshtur të KB ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 18 December, 2008 11:12:00 Në konferencën e tij të fundit për shtyp këtë vit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon foli për vatrat e krizës sot dhe rolin e organizatës botërore, ndërsa përmendi edhe Kosovën duke e quajtur një sukses të diplomacisë së heshtur angazhimin organizatës atje. "Ne kemi menaxhuar situatën potencialisht shpërthyese në Kosovë përmes një diplomacie të heshtur", tha diplomati Ban para korit të gazetarëve të akredituar në Kombet e Bashkuara. Ai reflektoi edhe për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa për të kënaqur të gjitha palët përmendi sërish rezolutat ende në fuqi. "EULEX-i tashmë është vendosur pa ndonjë incident dhe unë kam besim se ne mund të vazhdojmë më tej në rikonfigurimin e Misionit të KB në Kosovë (UNMIK-ut) përmes një bashkëpunimi të plotë me të gjitha palët dhe në përputhje me rezolutat relevante të Këshillit të Sigurimit", tha sekretari i përgjithshëm. Duke folur për situatën në botë, Ban tërhoqi vërejtjen se edhe viti që vjen nuk do të jetë më i lehtë, për të nënvizuar se bota përballej edhe më tutje me kriza të shumëfishta. "Një test i vërtet do të jetë vullneti dhe prioritetet politike në mesin e liderëve botërorë, në mënyrë që të zgjidhen shumë nga këto sfida globale", tha Ban, duke përmendur disa vatra të krizës, si Afganistanin , Zimbabvenë, Somalinë, Lindjen e Mesme, Darfurin në Sudan, etj. Ai shtoi se viti 2008 ishte një viti i arritjeve modeste përballë krizës ekonomike globale, ndërsa theksoi se ndër prioritetet me të cilat duhet të përballet bota janë ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut, dhe, në përvjetorin e 60-të të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, sekretari i përgjithshëm nënvizoi se ato janë një përgjegjësi e përbashkët.