24 ore lajme: Ashpërsohet konflikti Rusi-Gjeorgji Ashpërsohet konflikti Rusi-Gjeorgji ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 30 April, 2008 02:46:00 Rusia ka paralajmëruar se do të reagojë në qoftë se Gjeorgjia përdor forcën kundër rajoneve të shkëputura të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha se Moska nuk po përgatitej për luftë, por do të detyrohej të vepronte nëse trupat gjeorgjiane do të hynin në këto dy rajone. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse, Boris Malakjhov, tha se Moska po e bënte këtë paralajmërim për shkak të atij që ai e quajti qëndrim agresiv të autoriteteve të Tbilisit. "Ky hap u mor pasi u bë një vlerësim i informacionit që vjen nga zona e konfliktit dhe që flet për shtimin e tensionit për shkak të hapave destabilizues që po hedh pala gjeorgjiane. Masat për forcimin e kontigjentit paqeruajtës rus në Abkazi dhe në Osetinë Jugore po merren ekskluzivisht për të parandaluar një gjakderdhje të re në Kaukaz dhe për të neutralizuar përpjekjet për të penguar perspektivën e një zgjidhjeje politike paqësore të konfliktit gjeorgjiano-abkhazian", tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse, Boris Malakjhov. Gjeorgjia e ka mohuar se po grumbullon trupa për një ofensivë në këto dy rajone të shkëputura. Në një fjalim televiziv presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili e quajti të papërgjegjshëm njoftimin e Moskës për dërgimin e përforcimeve për kontigjentin paqeruajtës rus në rajonet e shkëputura të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Duke folur pas një takimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryeministri gjeorgjian, Lado Gurgenidze, tha se shtimi i kontigjentit të paqeruajtësve rusë ishte një hap destabilizues. "Ne e konsiderojmë këtë një hap veçanërisht të papërgjegjshëm në kushtet dhe rrethanat që janë krijuar kohët e fundit. Po të kemi parasysh deklaratat apo veprimet e Rusisë, sidomos pas 16 prillit, ne mendojmë se ky hap, nëse hidhet, do të shkaktojë destabilizim ekstrem në rajon. Për rrjedhojë, që sot e tutje ne e konsiderojmë çdo ushtar apo njësi ruse që do të vijë në këto rajone, madje edhe këta tre mijë ushtarë që janë momentalisht, si të jashtëligjshëm, potencialisht agresorë dhe potencialisht destabilizues", tha kryeministri i Gjeorgjisë, Lado Gurgenidze.